Sipas aktorëve të tregut, mbështetja e madhe që reklamohet nga qeveria për këtë sektor është vetëm propagandë, pasi janë rritur shumë kosto, që nuk po përballohen dot dhe kjo po nxit informalitetin, ndonëse sipërmarrja nuk e do këtë…
Ndonëse kërkesa është shtuar nga partnerët italianë, të cilët po largohen nga Rumania dhe kanë si preferencë Shqipërinë, eksportet e tekstile e këpucëve, që punojnë kryesisht me material porositësi, kanë shënuar një performancë negative në katër muajt e parë të vitit. Sipas statistikave të INSTAT, eksportet e tekstileve e këpucëve u tkurrën me me 2% në 28.3 miliardë lekë për 4 mujorin, rënia e parë që nga 2012-a. Vitin e kaluar, kjo industri u zgjerua me rreth 25%, duke dhënë ndikimin kryesor në rritje në 2014-n. Vetëm në prill, kjo industri ra me 12%.
Flamur Hoxha, drejtues i Kler, një nga kompanitë më të mëdha në vend në prodhimin e këmishëve, thotë për Monitor.al se arsyeja kryesore është rritja e kostos së punës, ndërsa kërkesa nuk mungon. Ai vlerëson se me çmimin e rritur të energjisë (nga 9 lekë në 14 lekë për kilovat ore), rritjen e tatim fitimit dhe dividendit nga 10 në 15%, kosto e punës për njësi është rritur me 15-20%, duke e bërë industrinë më pak konkurruese.
Sipas aktorëve të tregut, mbështetja e madhe që reklamohet nga qeveria për këtë sektor është vetëm propagandë, pasi janë rritur shumë kosto, që nuk po përballohen dot dhe kjo po nxit informalitetin, ndonëse sipërmarrja nuk e do këtë.
Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Dhoma Amerikane, e cila në kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave për paketën fiskale 2016 ka pohuar se “U mendua për FASON-istët se do të kishte lehtësira fiskale, por kjo nuk ndodhi, përkundrazi ndodhën ndryshime që e rënduan gjendjen e tyre. Rritja e çmimit të energjisë ka shkaktuar problematika për këtë sektor dhe ne propozojmë që TVSH-ja për energjinë të ulet nga 20 në 6 për qind. Ndërkaq, jo vetëm sektori i fasonit, por shumë industri janë duke e ndjerë rritjen e çmimit të karburantit. Ne propozojmë një reduktim të normës së taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit për karburantin”.
Hoxha thotë se në periudhën 2008-2014, industria nuk ishte keq, ndërsa tani po kalon në kufijtë e mbijetesës. “Kërkesa ka nga kompanitë që punonin më parë me Rumaninë, të cilët e pëlqejnë Shqipërinë, por këtu të gjithë bëjën konkurrencë me njëri tjetrin, mundohen të japin çmime sa më të ulëta dhe kjo i fut në kurth”.
Lehtësitë fiskale që Italia po ofron për sipërmarrësit e rinj janë një tjetër faktor që po i mbajnë larg sipërmarrjet italiane, që po prferojnë të hapin kompani në vendin e tyre.
Ndryshe nga vendet e rajonit, që kanë rendiment më të lartë, teknologji të avancuar dhe cikël të mbyllur prodhimi, industria shqiptare, sidomos ajo e tekstileve vijon të mos e mbyllë ciklin dhe të ketë avantazh kryesor krahun e lirë të punë, çka e bën më të brishtë ndaj lëvizjeve fiskale. Mosmbyllja e ciklit e ka lënë ndërkohë industrinë të varur nga Italia, që është e vetmja që delegon vetëm disa procese te partnerët shqiptarë, kryesisht prerje dhe qepje. Sipërmarrjet e tjera të Europës kërkojnë që partnerët shqiptarë të realizojnë të gjitha proceset, ata vetëm dërgojnë modelin dhe më pas presin produktin e gatshëm.
Një tjetër problem, sipas Hoxhës, është dhe kualifikimi i punonjësve, që mbetet i ulët.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.