Pse firmat e vogla janë më pak të mrekullueshme sesa mendonit
Njerëzit e kanë të vështirë që të pëlqejnë bizneset, në momentin që ato rriten përtej një madhësie të caktuar, shkruan “The Economist”.
Bankat që ishin “shumë të mëdha për të falimentuar” nxitën një krizë globale ekonomike dhe dogjën paratë e taksapaguesve.
Tregtuesit e mëdhenj si “Walmart” dhe “Tesco” shtrydhin furnizuesit dhe godasin rivalët e vegjël. Disa firma të mëdha britanike minimizojnë faturat e tyre të taksave në mënyrë aq agresive,
sa ato provokojnë skandale. Filmat i përshkruajnë pothuajse gjithnjë firmat e mëdha si të këqija.
Është një taktikë e politikanëve për të mbështetur të vegjlit. Por adhurimi popullor për bizneset e vogla nuk shkon shumë me realitetin ekonomik. Firmat e mëdha janë në përgjithësi më produktive,
ofrojnë paga më të larta dhe paguajnë më shumë taksa se të voglat. Ekonomitë që dominohen nga firmat e vogla shpesh janë të dobëta.
Konsideroni periferinë jugore të Eurozonës. Shtetet si Greqia, Italia dhe Portugalia kanë shumë firma të vogla, të cilat në sajë të legjislacionit të papërshtatshëm nuk kanë arritur që të rriten.
Firmat me të paktën 250 punonjës llogariten të zënë më pak se gjysmën e peshës së vendeve të punës në prodhim në këto vende, sesa në Gjermani, ekonominë më të fortë të Eurozonës.
Mungesa e firmave të mëdha është e lidhur me produktivitetin e ulët dhe humbjen e konkurrueshmërisë, që është shkaku i thellë i krizës së Eurozonës.
Pavarësisht rëndësisë që i jepet bizneseve të vogla, janë ekonomitë ku mbizotërojnë kompanitë e mëdha, ato që kanë qenë në gjendje që të mbështesin standardet më të larta të jetesës.
Firmat e mëdha mund të përfitojnë nga ekonomia e shkallës. Një fabrikë e madhe përdor më pak cash dhe forcë pune për të prodhuar një makinë ose një tub, sesa një e vogël.
Supermarketet e mëdha, si i ndyri “Walmart” ofrojnë një gamë të gjerë produktesh me cilësi të lartë dhe çmim të ulët, sesa çdo dyqan lagjeje.
Madhësia lejon specializimin, i cili nxit risitë. Një inxhinier tek “Google” ose “Toyota” mund të përqendrojë të gjithë energjinë e tij në një problem specifik; atij nuk do t’i kërkohet që të rregullojë dhe laptop-in e shefit po ashtu.
Prodhuesit në Europë me 250 ose më shumë punonjës janë 30-40% më shumë produktivë sesa firmat “mikro” me më pak se 10 punonjës. Dhe dihet që mikrondërmarrjet janë të zakonshme në Greqi, por shumë të rralla në Europë.
Firmat e mëdha kanë pa dyshim problemet e tyre. Ato janë të ngadalta për të reaguar ndaj ndryshimit të shijeve e nevojave të konsumatorëve dhe teknologjisë.
Në rast se ato bëhen të mëdha në sajë të mbështetjes shtetërore, ato janë shpesh burokrate dhe jo eficiente. Të idealizosh firmat e mëdha është njësoj si të tregohesh aq pak i zgjuar sa të idealizosh të voglat.
Është ajo që bëni që ka rëndësi
Më shumë sesa të përqendrohen te madhësia, politikëbërësit duhet të përqendrohen te rritja. Një nga arsyet se pse cilido pëlqen firmat e vogla është se ato krijojnë më shumë vende pune, sesa të mëdhatë.
Por shumë biznese të vogla qëndrojnë të tilla për një kohë të pafund. Lidhja midis firmave të vogla dhe vendeve të punës qëndron tërësisht në kompanitë e reja, të cilat janë zakonisht të vogla dhe si rregull krijojnë vende të reja pune
(duke qenë se nuk kishin ekzistuar përpara). Një studim i fundit i bizneseve amerikane gjeti se lidhja midis madhësisë së kompanisë dhe rritjes së vendeve të punës zhduket në momentin që merret në konsideratë mosha e firmës.
Më shumë se të përdorin subvencionime dhe rregulla favorizuese për firmat e vogla, qeveritë duhet të përqendrohen në heqjen e barrierave për zgjerim. Në pjesë të Europës, për shembull, firmat e vogla përjashtohen nga barra e rëndë e rregullave sociale.
Kjo u jep atyre një nxitës që të qëndrojnë të vegjël. Në një ekonomi të shëndetshme, sipërmarrësit me ide mund të nisin me lehtësi kompani, ku më të mirët mund të rriten shpejt dhe më të këqijtë do të bëjnë shpejt mënjanë.
Madhësia nuk ka rëndësi. Rritja ka.
Problemi i periferisë së Eurozonës
Costa Navarino është një resort luksoz në jugperëndim të Peloponezit, 270 kilometra larg Athinës. Ai ka dy hotele të mëdha luksoze, shtëpi të shtrenjta, një qendër sportive, dy qendra golfi,
një e dizenjuar nga Bernhard Langer, një yll gjerman golfi i viteve 1980 dhe 1990. Udhëtari që kërkon më shumë sesa pushime në plazh mund të zgjedhë midis sporteve të ujit, vëzhgimit të zogjve ose guidave në natyrë.
Ky vend është një botë larg masave të rrepta dhe tensionit social që ka pushtuar pjesën më të madhe të Greqisë. Megjithatë, çdo rigjallërim afatgjatë i ekonomisë greke lidhet me sipërmarrje të këtij lloji.
Rreth 15% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Greqisë vjen direkt ose indirekt nga turimi, sipas “McKinsey”, një kompani konsulente.
Por turizmit, ashtu si industritë e tjera të Greqisë, i mungojnë zhvillime të mëdha të këtij lloji të Costa Navarino, që mund të përfitojnë nga ekonomia e shkallës dhe të marrin mbrapshtë eurot e investuara gjatë gjithë vitit.
Greqia renditet mes shteteve të Bashkimit Europian, që kanë firmat më të dobëta. Rreth një e treta e prodhuesve grekë janë firma “mikro” me më pak se 10 punonjës,
krahasuar me 4.3% të firmave në Gjermani (shiko grafikun majtas). Por problemi i firmave të vogla gjithashtu është i ndjeshëm në periferinë jugore të Eurozonës.
Spanjës i mungojnë prodhuesit e mëdhenj; në Itali mbizotërimi i firmave të vogla lidhet pjesërisht me nderimin që ekziston për bizneset familjare.
Vetëm 19% e prodhuesve portugezë kanë 250 ose më shumë punonjës, në krahasim me 55% të firmave industriale në Gjermani.
“Tkurrja e pabesueshme e firmave portugeze” është titulli i një studimi nga tre ekonomistë në “Carnegie Mellon University”,
i cili tregon se Portugalia kishte më shumë firma të vogla dhe më pak të mëdha në vitin 2009 sesa në vitet 1980.
Autorët kanë zbuluar se tendenca ka qenë drejt firmave më të mëdha në Amerikë, po ashtu në Danimarkë, një vend me madhësi të krahasueshme me Portugalinë.
Tendenca drejt firmave të vogla është e kushtueshme. Produktiviteti i firmave europiane me më pak se 20 punonjës është mesatarisht sa gjysma e kompanive me më shumë se 250 punonjës (shih grafikun djathtas).
Rrënjët e thella të krizës së Eurozonës lidhen me humbjen e konkurrueshmërisë në rajonin problematik. Dhe problemi lidhet më shumë me produktivitetin e ulët në dekadën e fundit, sesa me inflacionin e shpejtë të pagave.
Në rast se firmat e vogla do të kishin qenë në gjendje që të rriteshin më shpejt, Greqia dhe të tjerat mund t’i kishin zgjidhur problemet e tyre të konkurrueshmërisë pa iu dashur të ulnin pagat ose të linin euron.
Nën mikroskop
Numri i firmave prodhuese, sipas madhësisë së punësimit në Francë, 2007
Numri i punonjësve
Shpërndarja e punonjësve, sipas madhësisë së firmës
% e prodhuesve total, 2009
Produktiviteti mesatar sipas madhësisë së firmave prodhuese, 2009
(250 + punonjës = 100)
*Vlera e shtuar bruto për person të punësuar. Mesatarja e 20 vendeve të BE-së
Problemi i produktivitetit të periferisë është rezultat i rregullave të ashpra që qeverisin vendet e punës dhe tregjet e mallrave.
Në teori, thelbi i prosperitetit është shuma e kapitalit fizik dhe punonjësve të aftë në një ekonomi dhe mënyra se si ato kombinohen.
Por cilësia e kompanisë do të variojë, ndaj ka shumë rëndësi ku — po ashtu sa mirë dhe sa shumë — zhvillohen kapitali dhe aftësitë.
Në rast se rregullat shtrënguese nënkuptojnë se burimet kanë ngecur në firma jo eficiente, kjo bën që kompanitë më të mëdha të kenë mungesa për to.
Rezultati është produktiviteti i ulët. Ekonomistët e “Carnegie Mellon” ia vënë fajin për tendencën tkurrëse të firmave pikërisht rregullave të punësimit të vendit, të cilat janë ndër më të rreptat në vendet e OECD-së
(megjithëse po bëhen më të buta) dhe që veprojnë si një taksë mbi madhësinë e firmës, për shkak se bizneset e vogla gjejnë strehë tek ato.
Duhen hormone rritjeje
Vendosja e një lidhjeje direkte midis rregullave dhe madhësisë së firmës është e ndërlikuar, duke qenë se zbatohen rregulla të ndryshme në bazë të madhësisë së kompanisë.
Në Francë, gjithsesi, dalin në pah shumë rregulla në momentin që firma punëson 50 punonjës. Një studim nga Luis Garicano, Claire LeLarge dhe John Van Reenen të “London School of Economics” (LSE)
e përdor këtë kufi për të testuar nëse prodhuesit francezë qëndrojnë të vegjël si rrjedhojë e rregullores, dhe gjetën rënie të fortë në firmat që kishin saktësisht 50 punonjës (shiko grafikun kryesor).
Niveli i lartë përpara këtij kufiri sugjeron se firmat që mund të kishin pasur mundësi që të bëheshin më të mëdha kanë zgjedhur që të qëndrojnë të vogla.
Barrierat për t’u rritur janë shumë më të mëdha në Greqi, një nga ekonomitë më të rregulluara të Europës. Përveç rregullave të ashpra të punës, licencimi i firmave të reja është në mënyrë komike i papërshtatshëm.
Do të duhet të shkosh në më shumë se 10 zyra në disa ministri dhe të plotësosh me dhjetëra dokumente për të marrë miratimin përfundimtar për një plan biznesi.
Kufizimet në përdorimin e tokës gjithashtu i pengojnë kompanitë greke që të arrijnë një ekonomi shkalle eficiente. Zhvilluesve iu deshën 30 vjet që të bashkojnë tokat për resortin e Costa Navarino;
nuk ka shumë për t’u habitur që shumica e hoteleve greke kanë më pak se 100 dhoma. Kufizimet në përdorimin e tokës janë një problem në tregtinë me pakicë gjithashtu.
Grekët kanë pothuajse dyfishin e dyqaneve për frymë në krahasim me mesataren europiane, thotë McKinsey. Si rrjedhojë, dyqanet greke vjelin 40% më pak prodhim sesa potenciali për çdo metër katror të hapësirës së tregtisë me pakicë.
Ilaçi për Greqinë dhe të tjerët është i njohur: lehtësimi i rregullave që qeverisin vendet e punës, pagat dhe zhvillimin e tokës do të mundësojë kompanitë më të mira që të rriten
dhe ato të paafta që të falimentojnë, duke nxitur produktivitetin, rritjen e PBB-së dhe të ardhurat nga taksat. Megjithatë, ideja se firmat e vogla janë më të mira,
mbizotëron edhe në vende më pak të rregulluara si Amerika dhe Britania. Ky qëndrim lidhet më shumë me idenë se bizneset e vogla krijojnë pjesën më të madhe të vendeve të punës.
Por, një studim nga John Haltiwanger i Universitetit të Maryland, me dy kërkues të Zyrës së Regjistrimit të SHBA-ve, gjeti se firmat e reja, shumica e të cilave rezultojnë të jenë të vogla,
llogariten për gjysmën e rritjes së vendeve të punës në Amerikë. Firmat e vogla të maturuara shpesh shkatërrojnë vendet e punës, po ashtu bëjnë dhe kompanitë e sapo hapura që nuk mbijetojnë. Është më mirë të jesh i ri sesa i vogël.