Tkurrja me 0.6% në tremujorin e dytë të këtij viti ka ngritur pikëpyetjet nëse do të arrihet të kemi një rritje të ekonomisë me rreth 2% këtë vit, sipas parashikimeve fillestare. Ekonomistët na sugjerojnë të shohim përpara e mbi të gjitha, të mos “mbjellim vrer” në ekonominë shqiptare. Me përshpejtimin e investimeve publike, shlyerjen e borxheve ndaj biznesit e mbi të gjitha, një klimë pozitive, pritet që ritmet e ekonomisë të përshpejtohen në pjesën e mbetur të vitit
Lajmi i Institutit të Statistikave se ekonomia shqiptare u tkurr në tremujorin e dytë të këtij viti me 0.6% me bazë vjetore ringjalli debatin mbi politikat ekonomike. Një debat që i ngjan atij politik më shumë se sa një debati të mirëfilltë ekonomik u shoqërua me akuza dhe kundërakuza mes ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Të dy palët e hedhin “topin” e fajit te njëra-tjetra. Qeverisja ia faturon uljen opozitës së sotme, e cila investoi shumë para në ekonomi, pikërisht në tremujorin e dytë të vitit 2013, periudhë që përkon me zgjedhjet elektorale. Nga ana tjetër, ish- ministri i Financave, Ridvan Bode, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se kjo ishte pasojë e politikës së gabuar të qeverisë “Rama”, e cila në fillim të këtij viti rriti taksat. Në po të njëjtën ditë, javës së kaluar, përgjigjja i erdhi nga ministri Ahmetaj, sipas të cilit, qeverisja e kaluar zgjodhi politikën e tokës së djegur, duke sjellë edhe një shembull konkret, atë të prodhimit të energjisë. Sipas Ahmetajt, vitin e kaluar u prodhua energji më shumë se kërkesa e brendshme, u eksportua më tepër dhe hidrocentrali i Fierzës “u tha”.
Por e gjithë kjo ringjallje e debatit politik, me kundërakuza të ashpra, pa tolerancë, as sipërmarrjeve dhe as familjeve shqiptare në vështirësi nuk u zgjidh punë e nuk u jep përgjigje se çfarë do të ndodhë më vonë. Pikësëpari, duhet të mendojmë që ky nuk është “fundi i botës”, pasi rënie të ekonomisë patëm edhe në tremujorin e tretë të vitit të kaluar e madje shumë më të lartë (-2.2%) e do të mjaftonte një rimëkëmbje në gjysmën e dytë të vitit për të arritur objektivin (aspak ambicioz për një vend në zhvillim), të rritjes prej 2% këtë vit. Kjo nuk e përjashton mundësinë që as ky objektiv të mos realizohet, aq më tepër, nëse politika vazhdon të bëjë retorikë jo vetëm të padobishme, por edhe dëmtuese për ekonominë.
Nuk është e këndshme të themi “jemi me fat që nuk kemi bursë, pasi ndërmarrjet do të tronditeshin qoftë edhe nga një deklaratë politike”. Niveli i ulët i zhvillimit të tregut të kapitalit ka shërbyer si një amortizator i përjetimit të krizave ekonomike, por ky nuk mund të vlejë si një argument që do të përdoret për gjatë, kur flitet për ndikimet që qëndrimet politike, apo faturimi i fajit nga një qeverisje në tjetrën, të mos bëhen të pandjeshme në treg.
Na e kujtojnë ekspertët e ekonomisë, të cilët, të pyetur pikërisht për uljen prej 0.6% në për periudhën prill-qershor, vëmendjen nuk e ndalin te rënia e ekonomisë, por te klima e saj.
Arben Malaj, ish-ministër i Financave, e rendit si kusht parësor përmirësimin e pritshmërive. Kur flet për ambient social e politik, që krijon pritshmëri pozitive, ai nënkupton pikërisht zbutjen e toneve, përçimin e mesazheve të tjera te bizneset dhe familjet shqiptare. Kështu e vlerëson edhe Selami Xhepa, ish-këshilltar ekonomik i Kryeministrit Berisha, ndërsa drejtuesi i Studimeve Bashkëkohore, Artan Hoxha, fajëson pjesërisht për këtë efekt qeverinë. Sipas tij, qeveria rriti taksat dhe kjo ndikoi që ekonomia të ecë “e kërrusur”.
Ndaj, për të mos u ndalur shumë te pyetja se kush e pati fajin dhe çfarë ndodhi, le të fokusohemi te puna që duhet bërë këta pak muaj të mbetur për t’i dhënë ekonomisë rritjen e parashikuar nga qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Që treguesit janë të përkeqësuar dhe pritshmëritë jo shumë të kënaqshme e thonë edhe shifrat e fundit të zhvillimeve ekonomike. Ministri i Zhvillimit Ekonomik bëri të ditur publikisht se rritja në tremujorin e tretë vlerësohet të ketë qenë 3.3%. Por, nëse kujtojmë se kjo rritje krahasohet me një periudhë kur ekonomia ishte në performancën e saj më të dobët të vitit të kaluar (me rënie 2.2% sipas INSTAT), rritja është lehtësisht e arritshme. Me pikëpyetje shihet edhe optimizmi i qeverisë për rritjen e konsumit. Kërkesa konsumatore, sipas ministrit Ahmetaj, është rritur 8% në tremujorin e tretë, por edhe të dhënat e fundit të inflacionit, tregojnë për një zbehje të saj. Sipas Institutit të Statistikave, në muajin shtator, indeksi i çmimeve të konsumit ishte 1.5%, pra nën objektivin e Bankës së Shqipërisë preh 2-4%. Edhe të dhënat e Bankës së Shqipërisë flasin për një ulje të fuqisë blerëse, aftësisë së familjeve për të paguar borxhet dhe, mbi të gjitha, humbje të vendeve të punës. Kur sipërmarrjet po përpëliten për t’u rimëkëmbur sicc thotë edhe Artan Hoxha, një pjesë e mirë e detyrave i takojnë qeverisë, e cila duket se politika e saj e taksave më shumë e ka frenuar konsumin se sa i ka rritur të ardhurat.
Ekspertët vlerësojnë shlyerjen e detyrimeve, por kujtojnë se ka ende për të paguar (pra për të hedhur para në treg). Një hap që duhet përshpejtuar është ai i investimeve publike, të cilat, deri më tani, janë 30% më pak se plani. Ministri Ahmetaj deklaroi në takimin e javës së kaluar me gazetarët se investimet deri në fund të vitit do të realizohen në masën 95%.
Dy porosi të tjera për qeverinë nga ekonomistët janë kujdesi me politikën fiskale për vitin e ardhshëm (thënë më qartë kujdes me rritjen e taksave) dhe rishikimi i vendimit për të pezulluar lejet e ndërtimit.
——–
Të përmirësohet klima ekonomike, të realizohen investimet
Flet Arben Malaj, drejtor i Institutit për Politika Ekonomike dhe Mirëqeverisje
Në kushtet kur rritja ekonomike rezulton e ulët për 6-mujorin e parë të këtij viti, ajo çka u takon të gjithë aktorëve është të ndikojnë në përmirësimin e pritshmërive. Pra, ambienti social dhe ekonomik në Shqipëri duhet të jetë i tillë që të përmirësojë pritshmëritë dhe jo t’i përkeqësojë ato, pasi qëndrimi ndaj pritshmërive materializohet në konsum dhe në investim privat, i cili është me peshë të konsiderueshme në ekonominë e vendit.
Së dyti, një nga faktorët që rezulton të ketë ndikuar negativisht është niveli i ulët dhe jo harmonik i realizimit të investimeve publike. Deri në 6-mujorin e parë të vitit 2014, krahasuar me vitin 2013, investimet publike ishin realizuar rreth 52% më pak.
Edhe ndalimi në bllok i të gjitha ndërtimeve kudo në Shqipëri mund të ketë efekt negativ dhe qeveria duhet ta rishikojë këtë politikë. Është mirë që të ulet dhe të luftohet informaliteti, por qeveria ka detyrimin të krijojë akses për çdo njeri që do të investojë, madje në kohë krize rekomandohet që çdo qindarkë të investohet, në mënyrë që ekonomia të rritet.
Nga analiza e gjashtëmujorit, rezulton të ketë impakt negativ ngadalësimi i shlyerjes së borxheve. Qeveria ka bërë një punë të mirë, që ka parashikuar 35 miliardë lekë shlyerje borxhesh, është një zhvillim tepër pozitiv që janë paguar dy të tretat e saj, por në rritjen 2% është parashikuar që ekonomia të ushqehej edhe nga shlyerja e këtyre borxheve. Duhet të kujtojmë se një e treta e këtyre borxheve është akoma e pashlyer.
E fundit, dhe më e rëndësishmja, bazuar në përvojat e menaxhimit të financave publike, ka të bëjë me faktin që kur rritja ekonomike bie, të ardhurat bien. Ne duhet të parandalojmë çdo përkeqësim të mbledhjes së taksave, thjesht për të realizuar planin, pasi çdo e ardhur e mbledhur në mënyrë të sforcuar mund të na vendosë në pozita formale të rregullta me treguesit e buxhetit, por dëmton rëndë rritjen ekonomike, e cila në periudhat e mëparshme pastaj bëhet gjithnjë e më e vështirë.
————-
Të realizohen investimet publike
Selami Xhepa, ekonomist
Sigurisht që rënia e ekonomisë në tremujorin e dytë është një zhvillim jo i favorshëm dhe ndikon e rrezikon objektivin përfundimtar për rritjen prej 2.1% për këtë vit, siç është parashikuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky duhet marrë si një sinjal nxitës për t’i orientuar politikat ekonomike të rishikohen drejt nxitjes dhe inkurajimit, për të shmangur rënien në ekonomi. Që nga viti 2011, kemi pasur gjithnjë një tremujor me rënie ekonomike, një zhvillim ky jo i favorshëm, duke pasur parasysh që ekonomia jonë gjatë viteve të fundit ka shënuar ritme shumë të ulëta të saj, kur 2013-a kishte një rritje vetëm 0.4%. Megjithatë, fatmirësisht, kjo rënie ka qenë vetëm në një tremujor. Një rënie e vazhdueshme për dy tremujorë bën që ekonomia të bjerë në recesion. Kështu që ne presim ecurinë e tremujorit të tretë të këtij viti për të parë nëse ekonomia ka rënë në recesion apo i kemi qëndruar larg.
E rëndësishme është të shihen arsyet përse ekonomia nuk po performon në nivelin e saj optimist dhe në veçanti, sektorët kritikë, siç ka qenë ndërtimi, i cili ka pasur kontributin më thelbësor në rënien ekonomike.
Këtu duhen veçuar dy elemente: Së pari, bllokimi i aktivitetit të ndërtimit për një periudhë relativisht të gjatë kohe, duke pasur parasysh jo vetëm thjesht bllokimin në mënyrë ligjore, por edhe prishjet e hërë pas hershme, të cilat kanë ndikuar psikologjikisht për të pezulluar bllokimin e aktivitetit në vend; së dyti, edhe një gjendje e ciklit të industrisë së ndërtimit. Ajo e ka kapërcyer fazën e saj të ushqimit të rritjes ekonomike, sepse kemi një stok ndërtimesh që praktikisht do të fillojë të bëhet problematike, jo vetëm për rritjen ekonomike, por edhe për sektorin bankar, sepse një e treta e kredisë deri tani ka shkuar për të ushqyer sektorin e ndërtimit.
Rritja prej 2% është e rrezikuar, por nuk është e pamundur të realizohet. Për të siguruar këtë rritje, realizimi i investimeve publike mbetet një nga çështjet thelbësore. Ky është një nga faktorët e rëndësishëm frenues. Investimet janë realizuar në masë shumë modeste krahasuar me periudhat e kaluara. Realizimi i buxhetit në kohë është një çështje shumë kritike për të ushqyer rritjen ekonomike gjatë muajve në vazhdim dhe nuk ka dyshim që thelbin duhet ta shikojmë te reformat strukturore. Duhet synuar krijimi i një klime realisht të shëndoshë biznesi, ku qartësia juridike, dhe respektimi i kontratave duhet të luajnë një rol vendimtar. Nëse do të vazhdojë të ketë një klimë të arbitraritetit administrativ në raport me biznesin, një klimë të pasigurisë juridike, të gjitha këto do të ndikonin negativisht në procesin e investimeve. Këtu flas edhe për reformat sektoriale. Energjia ka pasur rol negativ në rënien ekonomike dhe dihet që klima në përgjithësi ndaj investimeve private në sektorin e energjisë elektrike ka qenë jo e favorshme, duke pasur parasysh qëndrimet kundër tregut të mbajtura nga autoritetet publike.
Prioriteti thelbësor i korporatës mbetet niveli performancës. Çdo rritje çmimi do të ishte një masë e padrejtë e do të ndikonte te qytetarët korrektë, seriozë e për rrjedhojë, mendoj se do të ishte e papërballueshme mbi moralin që duhet të qëndrojë në rritjen e shëndetshme ekonomike. Vetëm me përmirësimin e performancës, qeveria dhe korporata mund të kërkojnë rritje të çmimit të energjisë.
Duhet të kemi parasysh që prodhimi i energjisë elektrike në tremujorin e dytë të këtij viti ishte deficitar, për shkak të kushteve klimatike jo të favorshme dhe një pjesë e energjisë ka ardhur nga importi. Por nuk është vetëm çështja e energjisë elektrike, pasi ajo zë një pjesë jothelbësore në totalin e industrisë në Shqipëri. Të gjithë sektorët kanë pasur rënie me përjashtim të tregtisë dhe shërbimeve. Kjo do të thotë që e gjithë kërkesa e ekonomisë ka qenë shumë e dobët.
Një situatë e tillë u faturohet pasigurive që vazhdojnë të mbeten mbizotëruese në treg, fakti që nuk kemi një injektim të likuiditetit në ekonomi, gjendja e kredisë që ka vazhduar të mbetet problematike, kërkesa ka vazhduar të jetë e dobët dhe të gjitha këto lidhen me një element të vetëm, pasiguritë në ekonomi. Masat për të nxitur ekonominë janë të gjitha ato që shtojnë besimin konsumator dhe krijojnë një frymë dinamizmi dhe entuziazmi tek agjentët ekonomikë.
Element thelbësor dhe prioritar është realizimi i investimeve publike. Ky është një instrument i ndërhyrjes së drejtpërdrejtë dhe me efekt të menjëhershëm. Ndërkohë që reformat e tjera janë strukturore dhe më afatgjata. Në veçanti, shlyerja e detyrimeve në kohë ndaj subjekteve private dhe nxitja e aktivitetit të kreditimit ndaj sektorit bankar, i cili duket që po e rimerr veten këta muajt e fundit.
Qeveria duhet të ketë kujdes edhe me rishikimin e taksave. Rishikimi i tyre është çështje e përhershme e çdo programi buxhetor. Ajo që më duket se nuk merr vëmendjen e duhur është që nuk duhet të jetë ky prioriteti thelbësor i politikave fiskale: më i rëndësishëm është përmirësimi i administrimit tatimor fiskal në vend. Rritja apo ulja e taksave nuk japin asnjëherë efektet që politika dëshiron të realizojë, të cilat janë qoftë zgjerimi i aktivitetit privat, kur flitet për ulje taksash, apo rritje e të ardhurave buxhetore kur flitet për rritje taksash, siç ka ndodhur këtë vit. Shpeshherë, këto politika nuk kanë arritur të realizojnë ato politika të synuara, pikërisht për faktin se procesi i zbatimit të tyre nuk ka qenë korrekt.
Kur ka një kërkesë të dobët ekonomike, bizneset shesin më pak dhe kjo komprometon biznesin. Për më tepër, një pjesë e portofolit të kredive ka shkuar për pasuritë e paluajtshme. Bankat duhet të shikojnë alternativa të tjera investimi.
———–
Ekonomia e kërrusur, qeveria kujdes me taksat
Flet Artan Hoxha, ekonomist
INSTAT dha shifra dekurajuese për prodhimin e ekonomisë në tremujorin e dytë të këtij viti, përfshirë gjithë gjashtëmujorin. Shifrat tregojnë që ekonomia po ecën e kërrusur. Faktorët që ndikojnë këtë gjendje të ekonomisë shqiptare janë së pari faktorët e jashtëm, që lidhen me atë që po ndodh në Eurozonë, veçanërisht në ekonomitë e Italisë dhe Greqisë. Nga këto vende vijnë disa sinjale ndihmuese dhe të tjera penguese, me një rezultante të paqartë, por lehtazi favorizuese krahasuar me një apo dy vite më parë. Faktori i dytë i kësaj ecje të kërrusur të ekonomisë shqiptare në këta muaj është qeveria. Politikat e qeverisë janë më së shumti dekurajuese, me aty-këtu ndonjë element inkurajues, dhe me një rezultante në ekonomi dekurajuese. Faktori i tretë në ekonomi është rezistenca e shpirtit sipërmarrës. Megjithëse mjedisi rrethues i sipërmarrjeve shqiptare nuk është favorizues në këta muaj, bizneset shqiptare vazhdojnë të tentojnë, të rezistojnë, përpiqen të kapin tregje të reja dhe si rezultat i këtyre faktorëve, jemi në këtë gjendje të ecjes së kërrusur të kësaj ekonomie. Kësaj i shtohen dhe zhvillimet në Eurozonë, veçanërisht Itali e Greqi. Së dyti, qeveria duhet të rishikojë programin e saj, natyra e së cilës ka qenë shtrënguese e rënduese mbi ekonominë. Nëse qeveria do të ndërmerrte politika lehtësuese, do të bënte mirë. Deri më tani, politikat e qeverisë e kanë penguar ekonominë.
- MUÇAJ