Rënie e fortë për industrinë kineze

26/12/2011 10:56 AM 0 komente

“Infektimi” i ekonomisë europiane po ndihet gjithnjë e më shumë mes ekonomive të vendeve “Bric”. Në muajin nëntor, aktiviteti prodhues në Kinë ka pësuar rënien e parë që nga viti 2009.
E duket se vala po përfshin edhe Indinë dhe Brazilin.

Indeksi i blerjeve të shërbimeve menaxheriale, sipas të dhënave të Federatës së Logjistikës dhe Blerjes, një organizatë afër qeverisë zbriti nga 50.4 në muajin tetor në 49. Një reagim i pritshëm, por i jashtëzakonshëm, pasi e çon këtë indeks nën kuotën 50. Me pak fjalë edhe Kina ka hyrë në një fazë tkurrjeje ekonomike. Sipas të dhënave të bankës “Hsbc”, rënia mund të ishte edhe më e lartë, në nivelin 47.7.

Indeksi i blerjeve të shërbimeve menaxheriale reflekton përkeqësimin e vazhdueshëm të kushteve ekonomike, në të gjithë sektorët e industrisë prodhuese”, tha Qu Hongbin, shef ekonomie për Kinën pranë bankës britanike “Hsbc”.
Është pikërisht Pekini që vuan rënien e ekonomive të zhvilluara. Sipas të dhënave të “OECD”-së, vitin e ardhshëm Prodhimi i Brendshëm Bruto nuk do të rritet me më shumë se 9%, për herë të parë në dhjetë vitet e fundit. Kina ka nevojë për një ritëm të fortë rritjeje, në mënyrë që të thithë në tregun e punës miliona të rinj që hyjnë çdo ditë në tregun e punës, si dhe për të përmirësuar kushtet e miliona njerëzve të varfër.
E gjithë kjo duket se po vështirësohet edhe nga problemet me të cilat po ndeshen ekonomitë e zhvilluara të Eurozonës, që shënuan rënie të indeksit të blerjeve të shërbimeve menaxheriale deri në kuotën 46.4, më e ulëta që nga muaji korrik 2009.
India, gjithashtu po vuan pasojat. Prodhimi i Brendshëm Bruto po shënon rënie në minimumet e verifikuara që prej dy vjetësh e gjysmë, duke u rritur vetëm 6.9%. Aktiviteti prodhues në nëntor frenoi duke shënuar rënie të indeksit në 51 pikë.
Nga ana tjetër e botës, Brazili ka shkurtuar për të tretën herë me radhë normën e interesit, duke e çuar në 11%, 50 pikë bazë më pak. Banka Qendrore po përpiqet të japë sinjale pozitive të tregut dhe të rimëkëmbë kërkesën e brendshme, që duhet të tejkalojë rënien e eksporteve.
Ndërkohë, për tremujorin e tretë të vitit, rritja ekonomike, sipas vlerësimeve të qeverisë u llogarit në vlerë të barabartë me zero. Ulja e normës së interesit u shoqërua me një sërë masash nga ana e qeverisë, duke përfshirë këtu shfuqizimin e taksës mbi blerjen e aksioneve dhe obligacioneve nga investitorët e huaj dhe reduktimin e disa të tjerave, si mbi të ardhurat personale. Këto masa së bashku me ato që janë ndërmarrë në fillim të vitit do të bëjnë të mundur që qeveria të grumbullojë rreth 3.1 miliardë euro më shumë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of