Mbështetur në të dhënat zyrtare të Doganave të Kosovës, këtë vit ka patur rënie të importit të duhanit.
Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” deklaroi se brenda një viti importohen mesatarisht nga 3’100 deri në 3’300 tonelata duhan, kurse origjina e tij është kryesisht nga prodhuesit e Bashkimit Evropian.
Stavileci tha se bizneset kosovare në 10-mujorin e parë të këtij viti kanë importuar më pak duhan krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Nëse i krahasojmë dy periudhat 10-mujore, vitin e kaluar për 10 muajt e parë ka pasur import prej 2500 tonë, kurse gjatë këtij viti janë importuar 2350 tonë”, ka thënë Stavileci.
Një nga arsyet që mësohet se shkakton këtë rënie është kontrabanda, e cila ndër të tjera, i shkakton edhe dëm të madh buxhetit të shtetit.
Disa ditë më parë, nga të dhënat e publikuara nga ASK-ja u bë e ditur se rreth 200 milionë euro në vit shpenzohen për cigare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.