Qeveria vendosi të aplikojë çmimet e referencës ndaj mineraleve që nxirren në vend për të aplikuar në bazë të tyre vjeljen e rentës minerare.
Vendimi u mor në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave ku u vendos që në fund të pikës 3, të vendimit nr.7, datë 4.1.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje: “ Në varësi të përqindjes së mineralit të shitur brenda vendit, nga nxjerrësi i mineralit te përpunuesi/pasuruesi i mineralit, llogaritja e pagesës së rentës bëhet sipas çmimeve, të përcaktuara në tabelat referuese, të miratuara nga komisioni ad-hoc, i përcaktuar në këtë vendim.”
Burimet nga Ministria e Energjisë thanë se, çmimet e referencave do të ndihmojnë në frenimin e spekulimeve që bëhen në raportim real të çmimeve. Biznesi i nxjerrjes së mineraleve është i fragmentarizuar dhe karakterizohet nga një informalitet i madh.
Ulja e çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare vitet e fundit, ndikoi në uljen si në sasi dhe në vlerë të eksporteve e mineraleve shqiptare. Sipërmarrësit e kompanive nxjerrëse në vend, ndërsa kufizuan punën për nxjerrjen e xeherorëve (mineralet e bakrit dhe kromit) reduktuan ndjeshëm eksportet, në pritje të rritjes së çmimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.