Reportazh në Verri, “qëndresa” vetmitare e një fshati që i trembet helmimit, përballë inceneratorit

19/01/2018 8:05 AM 0 komente

Reportazh në Verri, në fshatin pranë Fierit që po i reziston me të gjitha forcat ndërtimit të një inceneratori, që do jetë vetëm 500 metra larg shtëpisë më të afërt. Si po e presin projektin banorën, mungesa e transparencës, provokimet dhe frika e banorëve se ndërtimi i tij do t’i detyrojë të shpopullojnë fshatin, si rrjedhojë e helmimit të produkteve bujqësore dhe tymit shkatërrues 

 

Nga Nertila Maho

 

Është ora 11:30 dhe kemi mbërritur në fshatin Verri në Fier. Rastësisht në rrugë takojmë dy mesoburra të cilët i pyesim për projektin e inceneratorit. Mjaftoi vetëm 1 minutë bisedë që banorët e tjerë të na rrethonin ndërkohë që turma sa vinte dhe bëhej më e madhe. Ju themi që jemi gazetare por ndërsa një pjesë duket pozitive për vizitën tonë, pjesa tjetër duket dyshuese. Më shumë ju dukemi si të dërguara të kompanisë që do të ndërtojë inceneratorin, për t’i provokuar në hapin e radhës dhe këtë edhe na e shprehin. Edhe pse të dyzuar nevoja e tyre për të folur dhe denoncuar kalon atë të dyshimit.

“Nuk ka punime për momentin. Kompania ka kohë që ikën e vjen duke na provokuar se çfarë do bëjmë. Sjell disa makina e heq disa të tjera. Herën e fundit që protestuam ishte data 7 janar kur erdhën makinat e radhës dhe pas disa ditësh qëndrimi aty vendosën që t’i largonin” shprehet njëri prej banorëve. Këtë situatë në fakt e konfirmuam edhe vetë më herët, duke shkuar deri tek vendi ku qëndronin të vendosura makineritë. Pranë tyre thjesht një roje dhe asnjë punim.

Çdo bëni nëse kompania do nisë punimet-i pyesim? Duket që pyetja nuk i pëlqen shumë dhe revolta në zërin e tyre ndjehet menjëherë. “Nuk do i lejojmë ta ndërtojmë, do i shkojmë deri në vdekje kësaj pune” shprehet banori tjetër të cilin edhe pse e pyesim për emrin nuk ka asnjë dëshirë të identifikohet sepse vazhdon të mendojë që jemi të dërguarat e kompanisë. Në fakt duke parë atë situatë nuk është se i fajësojmë shumë, janë zhgënjyer nga të gjithë, media, krye bashkiaku i Fierit dhe mbi të gjitha nga qeveria dhe deputetët e zonës.

Me banorët në qendër të fshatit Verri, 16 janar 2018

“Na premtuan që nuk do bëhej inceneratori. Para zgjedhjeve në maj i hoqën makineritë dhe na u tha që nuk do vijonte më si projekt. Kryebashkiaku në një takim jopublik me përfaqësues të fshatit tonë na premtoi që kjo nuk do të ndodhte edhe deputetët e zonës na dhanë fjalën që gjithçka do të rregullohej por nuk ndodhi kështu.

Kompania që se dimë farë çfarë kompanie është në fakt, është kthyer sërish, ka tentuar të na joshë duke na thënë që do kemi përfitime dhe do na punësojnë por edhe na kanë kërcënuar por ne nuk do heqim dorë” shprehen banorët. Janë të togfjalsha që i hedhin njëri dhe tjetri tek-tuk duke dashur që të denoncojnë hallin që i ka zënë. Vendosmëria e tyre për të mos lejuar ndërtimin e këtij inceneratori është e qartë sepse kanë ngritur një rrjet të tërë monitorimi të situatës. Çdo ditë dy persona bëjnë roje me turn tek vendi ku ndodhen makineritë e kompanisë për të njoftuar të tjerët ndërkohë që nuk është shumë vështirë të shquash atë çka ndodh edhe nga fshati. Është vetëm 500-600 metra nga shtëpitë blloku ku do të ndërtohet inceneratori.Turni i radhës pranë makinerive i takonte një të moshuari mbi të 80- at i cili, na thonë se është mësues, historie dhe se ka investuar paratë e gjithë jetës në vreshta, që tani do helmohen.

 

Pamje satelitore, distanca mes fshatit Verri dhe bllokut ku është projektuar ndërtimi i inceneratorit

Pasojat e projektit sipas banorëve

Kuptohet që një investim disa milionë euro mund të shihet në dy aspekte si negativ apo pozitiv por ne duam të dimë çfarë mendojnë banorët pse këmbëngulin kaq fort për ta refuzuar ndërtimin e inceneratorit, a janë të njohur ata me pasojat. “E dimë që do e ndotë ajrin edhe ujin. E kemi të qartë këtë.

Nuk dimë ku i çon mushka këta qeveritarët tanë që në një tokë cilësia e parë siç është ajo ku kanë projektin të ndërtosh incinerator. Po si mund të ndotësh kështu një vend si ky që është zemra e bujqësisë.

Ta çojnë ku të duan por jo në fshatin tonë. Ne jetojmë me bujqësi dhe blegtori nëse ndërtohet ky incinerator ne i bie të vdesim. Kompanitë që na marrin qumështin na e kanë bërë të qartë. Nëse do ndërtohet nuk do na e marrin më” na informojnë banorët.

Po të ishte një projekt kaq i mirë sipas tyre do ta kishin lënë banorët e fshatrave të tjera të ndërtohej sepse projekti fillestar nuk ka qenë në Verri por ka shëtitur në disa zona si Plug, Portëz, Mbrostar e me radhë. Gjithsesi referuar dokumentave zyrtare inceneratori rezulton që në fillim me destinacion fshatin Verri në një sipërfaqe 11.15 hektarë. Kur kërkuam një përmbledhje nga fillesat tek ditët e sotme banorët thirrën Leonardin.

Duket se ai është personi që po merret më së shumti me menaxhimin e situatës në media dhe rrjetet sociale. Leonardi ish-emigrant në Itali na shpjegoi se projekti i inceneratorit nuk duket të ketë asgjë të mirë pas. “Unë kam jetuar dy vjet në Napoli kur kam qenë emigrant në Itali. Ju keni dëgjuar dhe vetë për Gomorran dhe përfshirjen e mafies në çështjen e plehrave. Unë e kam akoma më të qartë dëmin që shkaktojnë plehrat. Në Napoli ziente toka nga kjo punë dhe aty mund të mbillen vetëm lule, asgjë tjetër sepse kontaminohet. Për të mos folur pastaj për pasojat tek njerëzit dhe mutacionet gjenetike” shprehet ai.

 

Banorët

“E dimë që do e ndotë ajrin edhe ujin. E kemi të qartë këtë. Nuk dimë ku i çon mushka këta qeveritarët tanë që në një tokë cilësia e parë siç është ajo ku kanë projektin të ndërtosh incinerator. Po si mund të ndotësh kështu një vend si ky që është zemra e bujqësisë. Ta çojnë ku të duan por jo në fshatin tonë. Ne jetojmë me bujqësi dhe blegtori nëse ndërtohet ky incinerator ne i bie të vdesim. Kompanitë që na marrin qumështin na e kanë bërë të qartë. Nëse do ndërtohet nuk do na e marrin më”

 

Nga ana tjetër i vjen keq që në fshatin ku ka investuar paratë e fituara nga emigrimi duke ndërtuar një shtëpi, një lokal të vogël dhe një fermë, do bëhet pikërisht ky projekt. “Nuk e quaj projekt zhvillimi por shpopullimi” shprehet ai. Na tregon se para ca ditësh në terrenin ku parashikohet projekti erdhën edhe tre italianë që po bënin matje. Konkretisht në datën 12 janar 2018. “I pyeta se çfarë po bënin aty dhe më thanë jemi turistë. Një turist me xhup shiu dhe çizme në mes të fushës. Bëra një bisedë të shkurtë me ta në italisht dhe ju bëra të qartë qëndrimin e fshatit që aty nuk do të ndërtohet incenerator. Vijnë dhe ikin por nuk dimë se çfarë ndodh” na tregon Leonardi.

 

Disa nga firmat e banorëve pjesë e peticionit që i është dorëzuar qeverisë kundër projektit

Peticioni dhe premtimet boshe para zgjidhjeve

Sot banorët e fshatit Verri janë të vetëm përballë një kompanie që ata e quajnë fantazmë. Ata kujtojnë se gjithçka nisi në muajin mars të vitit të shkuar kur një mëngjes në truallin prej 24 hektarësh gjetën të vendosura disa makineri. Më pas në një lokal në dalje të fshatit përfaqësues të kompanive mblodhën një pakicë dhe iu prezantuan në linja të përgjithshme projektin por që përgjigjja që morën nga banorët ishte “jo”.

Nga ajo ditë nisi edhe epopeja e fshatit nga protestat e njëpasnjëshme, përplasje me policinë, një peticion me 1300 firma dërguar Kryeministri Edi Rama, ministrit të Mjedisit në atë kohë Lefter Koka si dhe kryebashkiakut të Fierit Armando Subashi e një sërë institucioneve të tjera. Deri në 1 maj 2017 protesta e banorëve ishte e pandalur kur u mor edhe premtimi se nuk do të ketë ndërtim pa dakordësinë e banorëve. Gjithçka duket se u la pas krahëve gjatë zgjedhjeve dhe ndërkohë mes premtimeve elektorale ishte edhe kjo e inceneratorit që nuk do ndërtohej që i dhanë Partisë Socialiste votat e shumicës.

“Nuk e ndalonim dot shitjen e votës. Janë hedhur lekë pa fund në kohën e fushatës. Na u dha garancia që nuk do bëhej. Pastaj po flasim për një zonë të varfër dhe njerëzve edhe një thes miell ju bënte punë. Ky është fati më i keq i ne shqiptarëve që jemi kaq të varfër dhe që politikanët e shfrytëzojnë sa herë ju jepet mundësia” na pohon një zonjë rreth të 50-ave. Shohim orën tashmë ka kaluar 14 :00 dhe na duhet të largohemi. Na përcjellin me shpresën se ngritja e zërit të tyre do të bëjë që sërish të kujtohet dikush për premtimet që u ka bërë.

E ndërsa dalim rruga e fshatit në atë qëndore që nuk është as një kilometër, ke mundësinë të përjetosh një aventurë më vete në kushtet mizerabël të saj, me një asfaltim arnash elektorale që jemi mësuar ta shohim shpesh. Aty vetvetiu mendon çfarë mund të ishte bërë me ato 6 milionë euro, që kompania i ka marrë ndërkohë pa punuar, për këtë fshat, që qeveria ja ka dhënë kompanisë për inceneratorin që ende qëndron në letër. Rruga po e po, por edhe sigurimi i ujit të pijshëm që sot e kanë vetëm 20 për qind e familjeve.

Detajet teknike të projektit të inceneratorit

Në vitin 2016 ish-Ministria e Mjedisit shpalli si fituese të koncesionit “Për ndërtimin dhe administrimin i impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Fierit dhe prodhimin e energjisë” bashkimin e shoqërive “Integrated Technology Services sh.p.k.” dhe “Energy 2 Srl” nën “Integrated Technology Waste Treatment Fier”.

Projekti sipas dokumenteve zyrtare propozon një zgjidhje të kombinuar për menaxhimin e integruar të mbetjeve të ngurta urbane për qarkun e Fierit. Propozimi teknik përfshin ndërtimin e një impianti të përpunimit të mbetjeve urbane me rikuperim të energjisë dhe një landfilli, brenda një zone të vetme, e cila ndodhet në territorin e fshatit Verri, Njësisë Administrative Mbrostar, Bashkia Fier, Qarku Fier.

“Zgjidhja teknologjike e projektit përfaqëson një impiant që prodhon energji elektrike nga djegia e mbetjeve të ngurta urbane, si në gjendjen fillestare të tyre (siç vijnë në impiant) ashtu edhe të para seleksionuara. Djegia do të realizohet në furrë me zgarë të lëvizshme, në një interval të gjerë të fuqisë nxehëse (nga 1500 deri në 3400 kcal/kg). Fuqia e centralit parashikohet 3,85 MWe dhe do të hidhet në rrjetin kombëtar të energjisë elektrike. Lidhja me rrjetin kombëtar do të bëhet në linjën 35 kV “Linja 30- 51 Jagodinë-Libofshë”, e cila kalon pranë zonës së impiantit, paralel me autostradën Fier-Lushnje” thuhet në dokument.

 

Makineritë dhe pajisjet e kompanisë në afërsi të bllokut të planifikuar për inceneratorin (7 janar 2018)

Kompania ka marrë nga buxheti 5.8 milionë euro, pa bërë asnjë punë

Kur akoma nuk është hedhur asnjë gur në themelet e inceneratorit, kompania ka arritur të marrë një pagesa të vazhdueshme nga qeveria. Thesari në Ministrinë e Financave ka paguar në ditët e fundit të vitit 2017 një faturë tjetër prej 108 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro) ndaj kompanisë Integrated Technology Waste Treatment.

Kjo nuk është pagesa e parë që merr kompania pasi edhe më herët janë bërë një seri të tilla.  Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, Integrated Technology Waste Treatment Fier, më datën 19 dhjetor 2017 ka ekzekutuar faturën prej 108 milionë lekësh, duke e çuar kështu shumën e përgjithshme të pagesave ndaj kompanisë në 771 milionë lekë ose rreth 5.8 milionë euro.

Nga 11 nëntori i vitit të kaluar, kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka të drejtën për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit nëpërmjet koncesionit me Partneritetit Publik Privat, teksa ka përfituar nga qeveria 21% të vlerës së investimit.

Sipas Ministrisë së Financave, impianti i mbetjeve në Fier do të kushtojë rreth 3.6 miliardë lekë ose 27 milionë euro.  Financimi është përllogaritur të bëhet gjatë periudhës 2017-2022. Kufiri vjetor i financimit është 661.5 mln lekë.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz