Reportazh / Si po shkatërrohet Valbona

21/04/2018 10:06 PM 0 komente

Pas një dimri të vështirë, Mbretëresha e Alpeve Shqiptare që tërheq turistë nga e gjithë bota po i gëzohet ardhjes së pranverës. Poshtë majave me borë, fadromat dhe ekskavatorët kanë zhbërë themelet e luginës duke fshirë gjurmët nga peizazhet e mahnitshme të deri vjetshme.
Gjatë 25 kilometrave të grykës së Valbonës janë vendosur tetë kantiere punimesh me gurore e kampe makinerish që po ndërtojnë HEC-et mbi lumë dhe hotele në fshat. Rënia e numrit të turistëve, përfshirja në TVSH dhe vonesat në planin rregullues kanë përhumbur Valbonën në këtë fillim pranvere

 

Nga Blerina Hoxha

 

Udhëtimi për në Valbonë ka një magji që nuk i ngjan asnjë tjetri. Edhe pse mund ta kesh bërë shpesh, adrenalina që të jep madhështia e natyrës plot oksigjen lë pas pakënaqësitë që mund të vijnë nga mungesat në shërbim dhe ushqimi. Kjo është arsyeja që shumë të huaj kur vizitojnë kurorën e alpeve vendosin të kthehen sërish.

Por në vend që kjo dhuratë e natyrës të mirëmbahet, pasurohet dhe të “shitej” ashtu si takon, për të rimëkëmbur zonën që trashëgoi një varfëri të skajshme, po shkatërrohet në themele. Këtë pranverë, gryka e Valbonës në 25 kilometrat e saj nga perëndimi i qytetit të Tropojës deri në qendër të fshatit është e zaptuar nga 8 kantiere punimesh që kanë hapur HEC-et, gurorët dhe hotelet e reja. Në vend të pishave dhe shkëmbinjve që deri vjet lartësoheshin thikë mbi grykën e ngushtë të lumit qelibar, këtë pranverë janë bërë tym e mjegull nga kamionë dhe ekskavatorët dhe llava e betonit që është shtrirë përmes luginës.

Vendasit të lodhur nga arroganca e investimeve të reja që kanë shpërbërë shtratin e lumit qysh në burim janë tulatur. Nuk kanë më fuqi të “luftojnë”. Rënia e numrit të turistëve, përfshirja në TVSH dhe vonesat në planin rregullues i kanë përhumbur në këtë fillim pranvere.

 

Gurorja në hyrje të luginës së Valbonës. Punimet në një nga HEC-et në zonën e Dragobisë

Guroret në portat e luginës

Kur Valbona i afrohet Tropojës kalon në ngushticë në formën e një minikanioni që vendasit e quajnë Gryka e Shtrenjtit. Ka formën e një porte të krijuar nga natyra përgjatë së cilës ngjitesh në Valbonë. Në të djathtë është Varri i Ajkunës dhe në të majtë lugina me fshatra alpinë me pamje mahnitëse. Po kjo i takon së djeshmes. Shkëmbinjtë në hyrje të grykës janë shndërruar në gurore të zhurmshme dhe në varreza makinash. E para është në hyrje të kanionit në përfundim të qytetit. Disa makineri vijojnë të gërryejnë në shpatin e rrugës pa kurrfarë kriteri.

Shoqëruesi ynë, teksa shikon pamjet, lajmëron se vitin tjetër gërryerja në anë të rrugës, mund të krijojë një shembje katastrofike. Ekskavatorët dhe kamionët në hyrje janë të shoqëruar me disa rrangalla të vjetra makinash. Dikush nga punonjësit të shpjegon se gërmimet po bëhen për të sajuar një truall për një objekt biznesi. “Kanë tokat e veta. Do të bëjnë hotel dhe lokal më duket”, – të thotë kalimtari. Më tej, sqarimet janë të pakta pasi i zoti i “shembjes” të shikon vëngër, maksimumi një foto fshehtas mund të bëhet.

Shija mbytëse që të lë gurorja varrezë është vetëm garnitura e udhëtimit tonë. As dy kilometra më tutje, pasi kalon në anën tjetër të “portës”, ku nis e ngjitesh për lart, sa kalon fshatin e Shoshaj, një gurore e stërmadhe ka shembur gjysmën e malit. Dhjetëra ekskavatorë vijojnë të gërmojnë pa pushim, plot kamionë me radhë presin të ngarkohen. As shiu i dendur nuk e ka zbehur e pluhurin e kuq të shkëmbinjve. Ndalojmë makinën dhe pyes shoqëruesin. Çfarë është kjo?

“Nuk janë HEC-et, pa merak kemi edhe do rrugë për të bërë. Është gurorja e vjetër. Nuk e ke parë vjet” – shtoi ai.
Gjysma e malit nuk është më. Për herë të fundit kam qenë në Valbonë në shtator të vitit të kaluar. Shtanga, mali ishte fiks si frontet e punimeve që kanë hapur fabrikat e çimentos në malet e Krujës. Shoferi bën me dorë. “Mos u habit moj, se këta kishin shumë punë këtë vit. Shumicën e materialeve HEC-et i kanë marrë këtu, prandaj duket ashtu. Hajde nisemi tani se sa ke për të parë deri lart. Kjo nuk është asgjë me atë që i ka bërë shtratit të lumit lart”, thotë më tej shoqëruesi. M’u errën sytë deri te makina… nuk fola më asnjë fjalë, teksa shoqëruesi habitej me reagimin tim. “Nuk kemi çfarë të bëjmë. Me çfarë të jetojmë. As të huajt nuk po vijnë më. Ja me këta punonjësit e HEC-eve dhe guroreve e shtynë lokalet këtë vit. Ju kanë bërë shumë xhiro”.

 

Devijim i rrugës Tropojë – Valbonë si pasojë e shembjes së saj për shkak të ndërtimit të HEC-eve

Në vend të lëndinave dhe korijeve, kantieret e HEC-eve

Biseda e shoqëruesit nuk zgjati shumë, pasi rruga ndërpritet nga një rrethim që kufizon një humnerë me rrugën, pak pa hyrë për në fshatin e Dragobisë. Gremina është aq e thellë sa ka përpirë rrugën e re që u ndërtua pak vite më parë dhe anën tjetër të malit përtej lumit. Pamja është rrëqethëse, sidomos për mua që disa herë kam shijuar pamjet e pashoqe të deridjeshme.

“Këtë e kanë bërë ata të HEC-it, – thotë shoqëruesi, – por prit se ende nuk kemi arritur te HEC-i”. Më duket se është fronti më i ri i punimeve për HEC-in e tretë. Shembja ka përfshirë malin në dy anët e lumit dhe është bërë me mina.

Dy kamionë të ngarkuar plot e për plot, që vijnë nga gurorja poshtë nxitojnë të parakalojnë. Të shohin vëngër. Fytyrat e tyre kanë një pamje armiqësore për çdo kalimtar, si përgjigje ndaj neverisë që shfaq çdo vizitor. Po ecnim me ngadalë. Livadhi i bukur me lule e shkurre që deri vjet ishte shesh pushimi për turistët dhe kullotë për bagëtitë është plot e për plot me kabina, kamionë, ekskavatorë, punonjës me uniforma dhe sigurisht me një zhurmë alarmuese që të hingëllin fort në vesh edhe prej qetësisë së pyllit. Më në fund jemi bash në qendër të kantierit të HEC-eve. Ndaloj pak larg kampit të punimeve për të shmangur kontaktet direkte me punonjësit, të cilët bëjnë me shenjë se nuk lejohen fotot.

Nga ana tjetër e kampit poshtë rrugës në shtratin e lumit, deri dje një korije plot shkurre me ngjyra e ujë të pastër, tani është shndërruar në një kanal betoni me një digë në mes. Lumi ka lënë shtratin dhe është rrethuar me beton gati për të shkuar në turbinat ku do të prodhohet energjia. Asgjë nuk është më si më parë. Më lart, mbi kampin e punimeve, një rrugë e shëmtuar ka çarë në mes shpatin e malit. Shoqëruesi thotë se që andej do të merret uji i lumit të Çeremit që do të kalojë në një tunel të gjatë nën tokë për HEC-in e parë që është në zonën e Dragobisë. Kjo pamje e zymtë me kamionë, humnera e shpate të thyera nga ekskavatorët që janë ngjitur deri lart në shpatet e alpeve të shoqërojnë deri në lart në Valbonë.

Puna për ndërtimin e hidrocentraleve është në kulmin e saj dhe duket se tashmë gjithçka ka marrë fund. “Edhe Katerina, amerikania e Valbonës, nuk jeton më këtu” – thotë shoqëruesi. Është zhvendosur në një fshat afër Tropojës larg poteres që po krijojnë punimet. Katerina tashmë është një personazh i njohur nga të gjithë që kanë dëgjuar për Valbonën. Kur erdhi për herë të parë si turiste, ajo vendosi të jetojë përgjithmonë aty prej bukurisë mahnitëse, duke lënë pas vendlindjen e saj në Manhatan të SHBA-së. Ajo, së bashku me një grup banorësh të zonës, edhe sot e kësaj dite janë përfshirë në një betejë ligjore për dëmin që po krijojnë në ekosistem investimet e hidrocentraleve. LEXO EDHE http://www.monitor.al/turizem-apo-hec-e-2/

 

Valbonën e braktis dhe Katerina

“Edhe Katerina, amerikania e Valbonës, nuk jeton më këtu” – thotë shoqëruesi. Është zhvendosur në një fshat afër Tropojës larg poteres që po krijojnë punimet. Katerina tashmë është një personazh i njohur nga të gjithë që kanë dëgjuar për Valbonën.

Kur erdhi për herë të parë si turiste, ajo vendosi të jetojë përgjithmonë aty prej bukurisë mahnitëse, duke lënë pas vendlindjen e saj në Manhatan të SHBA-së. Ajo, së bashku me një grup banorësh të zonës, edhe sot e kësaj dite janë përfshirë në një betejë ligjore për dëmin që po krijojnë në ekosistem investimet e hidrocentraleve.

 

Hotelet e reja, dëmi sa HEC-et

Kur ke kaluar Dragobinë dhe bën një copë rrugë, duke lënë pas katrahurën e hidrocentraleve, fshati i Valbonës fillon të shfaqet bashkë me kurorën e majave të bardha me borë të Alpeve. Pamja është mahnitëse. Lulet dhe pemët kanë nisur të çelin në breg të lumit dhe përgjatë shpatit të malit shumë afër ka shumë borë. Përrenjtë e vegjël rrjedhin ngado faqeve të maleve dhe shkëmbinjve të mprehtë.

Teksa rehatohesh dhe shijon pamjen, zhurma e një fadrome tjetër nis e dëgjohet. Mos! Hap sytë, më shtohet vigjilenca. Zhurma shtohet sa më shumë afrohesh drejt qendrës së fshatit, në vend të turistëve ka vetëm mjete pune, edhe pse është një mot i bukur me diell dhe në ditë si këto, ka shumë vizitorë.

Këtë herë, Valbona ka një pamje të zymtë dhe hoteli ku akomodohem gjithmonë nuk ka asnjë mysafir, si rrallë ndonjëherë. Astriti, miku ynë prej udhëtimeve të shpeshta në Valbonë, na ndihmon si zakonisht me akomodimin. Na tregon se, këtë vit, koha ishte shumë e keqe dhe rrugët qenë të bllokuara. Bujtinat thuajse janë mbyllur dhe shumicën e kohës nuk kishin as energji, pasi linjat e shpërndarjes dëmtohen shpesh nga shirat dhe bora. Përtej xhamave të bujtinës, dy fadroma vinin e shkonin anës shtratit të lumit, pak metra larg burimit të tij.

Po shpërndajnë inertet e një hoteli që po bëhet aty pranë duke e zhbërë krejt shtratin e lumit përgjatë gjithë qendrës së fshatit. Shtrati i lumit është rritur me gati një metër me dherat dhe gurët që po nxirren nga hapja e themeleve të hotelit të ri. Brezi natyror i lumit, deri vjet kishte tek-tuk disa pishina natyrore të krijuara nga forca e ujit të lumit që tashmë janë zhdukur dhe në vend të tyre ka dhe, gurë dhe mbetje të nxjerra nga prishja e një ndërtese të vjetër në vend të së cilës po ndërtohet. Burri i gjatë që orienton fadromat është punonjësi i firmës që po ndërton hotelin dhe duket se është vendali. Shqetësimin tonë për batërdinë e merr me një nënqeshje të lehtë. “Ne po e sistemojmë pak se shirat dhe bora e kishin bërë skandal lumin”, – thotë punonjësi krejt i pavetëdijshëm për masakrën që ka bërë.

Përballë janë dy nga bujtinat më të vjetra të zonës. “E shikon. Këto janë më keq se HEC-et, edhe ato e kanë dëmtuar lumin më pak se inertet e hotelit”, – shton shoqëruesi ynë. Siç duket largësia me inspektoratet e mjedisit dhe kontrollit i kanë lënë kompanitë të ndërtojnë pa respektuar asnjë lloj kriteri ndaj mjedisit bash në zonën më të bukur të turizmit malor në vend. Nga qendra e Valbonës për te Fusha e Gjësë, ku është edhe hoteli më i madh i Valbonës grumbuj inertesh janë vënë andej-këndej.

 

TVSH-ja, halli tjetër

Shqetësimet që kanë krijuar HEC-et dhe punimet pa kriter në hotele janë venitur pak, pasi pikërisht atë ditë, më 1 prill, bizneset e Valbonës janë përfshirë në TVSH. Bujtina jonë ka disa kabina druri me nga një dhomë, të cilat janë vendosur në atë të livadhit pa cenuar aspak mjedisin përreth. Të zotët, dy vëllezër me familjet e tyre kanë nisur të shërbejnë për turistet gati 25 vite më parë. Në më shumë se dy dekada me punën në bujtinë vetëm sa po nxjerrin jetën dhe ushqejnë familjet. Këtë vit morën kredi për të instaluar edhe pesë kabina të tjera, të cilat pritet të vihen në punë këtë sezon.

“Të gjitha i kemi bërë me forcat tona, me punë të ndershme dhe me fitimet e bujtinës nuk mund të zgjerohesh as me dhoma të reja dhe as me punonjës, shpjegojnë ata. Bujtinat janë larg qendrave të furnizimit dhe çdo shërbim që ne ofrojmë ka kosto të larta transporti”, – thotë Isai. Rritja e taksave në një kohë që shërbimet nga shteti mungojnë totalisht e bëjnë të vështirë mbijetesën.

“Sot për sot e kemi biznes familjar dhe punojmë nga agimi deri në orët e vona të darkës. Na ndihmojnë edhe fëmijët. Të punësosh të tjerë është e vështirë. Valbona është larg. Pagat nuk mund të mbulojnë kostot e transportit, ushqimit dhe fjetjes”, – shton Isai. Tani me aplikimin e TVSH-së, fitimet tona do të cenohen edhe më shumë pasi nuk mund të ndryshojmë çmimet nga frika se mund të ikin vizitorët, shpjegon ai më tej.

 

Shtohet akomodimi, bien vizitorët

Në bujtinat e Valbonës aktualisht akomodohen rreth 600 turistë në natë, por me investimet e reja që po bëhen, kapacitetet për një natë pritet të arrijnë 1000 persona, – thotë Astriti. Përveç vendasve, të tjerë po investojnë në Valbonë, edhe pse plani rregullues nuk është bërë ende. Disa objekte janë bërë pa leje dhe dikush po ringre ndërtesat e vjetra. Mirëpo këtë dimër, vizitorët kanë qenë më të pakët në numër. Po dalim nga një dimër i vështirë, thotë një plak i vjetër në cep të restorantit të Bujtinës.

“Gazetare je ti? Shkruaj se edhe njerëzit në Valbonë janë me TVSH. Edhe dhitë madje. Unë gjithë jetën kam pirë ujë burimi, pasi me ka qëlluar vrella (burimi) në oborr, por tani thonë se do të më çojnë në burg se jam debitor tek ujësjellësi, se nuk kam paguar faturat e ujit. Kurrë në jetën time nuk kam pi ujë në rubinet. Hajde shiko në shtëpi, nuk kam asnjë tubacion uji”, bërtet me zë të lartë malësori plak.

Astriti thotë se edhe pse po shtohet akomodimi, këtë dimër turistët ishin më të paktë në numër se vitin e kaluar. Ka qenë dimër i keq dhe shpesh është bllokuar rruga, prandaj mbase nuk kemi shumë vizitorë, – shpjegon ai. Por kam frikë se dhe këto punimet lart e poshtë prishin imazhin për të huajt, pohon ai. Furnitorët kryesorë me turistë janë vendet perëndimore të Europës. Më së shumti vijnë të pasionuarit pas natyrës së egër. Bujtinat atje kanë përfituar duke ofruar shërbime minimale ndaj tyre si ushqim dhe fjetje.

 

Projektet shterpë

Për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Valbonë ka shumë projekte në letër. Valbona është pjesë e masterplanit për zhvillimin e alpeve shqiptare. Valbona është pjesë e projektit 100 fshatrat, në të cilin synohet rindërtimi i qendrës së fshatit në përputhje me traditën dhe natyrën.

Sipas planit të qeverisë, mbështetja për 100 fshatrat do të jetë me fonde për të nxitur agroturizmin, zhvillimin e prodhimeve tradicionale, staneve, bizneseve të reja startup për të rinjtë.

Ende nuk ka një draft final për financimin, katër ministri pritet të prezantojnë secila kontributin e tyre në program. Por deri më tani nuk është jetësuar asnjë projekt teksa fshati i bukur i Alpeve që vizitohet nga e gjithë bota ende nuk ka një plan rregullues. Qeveria e Shqipërisë ka premtuar se do të miratojë këtë vit planin rregullues për Bashkinë e Tropojës, në të cilën bën pjesë edhe Valbona, por kjo nuk ka ndodhur ende.

 

Valbona nxit ofertat e brendshme turistike

Valbona është nga të paktat destinacione që bashkë me Thethin është në anën tjetër të Alpeve. Agjencitë turistike e kanë përfshirë Valbonën në ture të posaçme. Një natë dhe dy ditë bashkë me ushqimin dhe fjetjen kushtojnë 59 euro për person. Në këtë paketë, agjencitë ofrojnë udhëtimin me traget që nga Komani në Fierzë me pamje mahnitëse, akomodimin në hotel, vaktet dhe guidë në luginë falas. Kthimi bëhet ditën tjetër, nga Kosova nëpërmjet Rrugës së Kombit ku mund të vizitohen qytetet karakteristike të Kosovës, Gjakova dhe Prizreni.

Aktualisht Valbona ka kapacitet akomodues deri në 600 shtretër, teksa qindra pushues të tjerë përdorin kampingjet në natyrë. Turi i Alpeve është tashmë aq popullor sa edhe udhëtimi i bregut nga Llogoraja. Shtigjet që lidhin Valbonën dhe Thethin janë aksesueshme dhe me një sinjalistikë të përkryer. Gjithashtu të gjitha shtigjet e tjera të zonës janë zbuluar dhe shënjuar nga Maria, një amerikane që pasi ka vizituar Valbonën ka vendosur të mos ikë më prej andej.

Valbona dhe Theshi janë pjesë e turit që ofron “Maja e Ballkanit”, një projekt që është zhvilluar nga GIZ, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe që pak kohë më parë u vlerësua edhe në Abu Dhabi, me çmim për kategorinë “Administrimi i destinacionit”. Në një kohë kur turizmi po kërkon të tërheqë me destinacione të veçanta, përvoja me adrenalinë dhe natyrisht me kosto të ulët, Shqipëria, nëpërmjet këtij projekti duket se ka mësuar si të ecë në “shtegun” e duhur për ta bërë edhe turizmin malor të frekuentuar. Për zëvendësdrejtorin e zyrës së GIZ në Tiranë, Ismail Beka, shtegu “Maja e Ballkanit” kalon nëpër rajonet malore më tërheqëse të Ballkanit Perëndimor deri në lartësi që shkojnë 2,300 metra mbi nivelin e detit.

Në këto maja duket sikur koha ka ndalur. Për 20 vjet me radhë, ato kanë qenë më shumë pjesë e “legjendave” dhe të paktë kanë qenë ata që kanë arritur t’i prekin dhe t’i shijojnë nga afër këto bukuri. Është pikërisht kjo kulturë autentike, me shumë adrenalinë brenda, që e bën përvojën mes shtigjeve ndërkufitare të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi vërtet unike. Një fakt, i cili tërhoqi jo pak vëmendjen e Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimeve (WTTC) i cili gjatë Samitit të 13 Botëror ndau edhe çmimet për “Turizmin e së Nesërmes”.

Shtegu “Maja e Ballkanit” konkurroi për kategorinë e menaxhimit të destinacionit kundër dy të nominuarve të tjerë “Sentosa Development Corporation” nga Singapori dhe “Tourism Council” nga Butani. Zonat shqiptare që përfshihen në këtë projekt janë Thethi, Valbona, Rragami, Çeremi, Bjeshkët e Dobërdollit.

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz