Avokati i tatimpaguesit: Biznesi, sidomos ai i vogël, duhet të informohet paraprakisht për procedurat…
Një valë e re gjobash prej 10 mijë lekësh për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit për bizneset e reja të hapura në 2015-2016, që po u bëhen aktualisht të ditura sipërmarrjeve, ka revoltuar bizneset. Ndonëse tatimet bënë me dije se bizneset e reja kanë 48 orë afat nga marrja e NIPT-it për të bërë deklarimin online të punonjësve, ekonomistët ankohen se ata po gjobiten edhe përpara se të marrin NIPT-in, ndërsa po ngrenë pikëpyetjen se pse po gjobiten në qershor 2016, edhe një vit pasi janë hapur. Nga ana tjetër, shume ekonomistë janë të paqartë për procedurat që duhen ndjekur.
Erion Prifti, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit, pohoi se teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë tha ai nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për tepër regjistrimin online. Mirëpo tatimet edhe në këtë rast e kanë zgjidhur ngërçin tha Prifti. Në faqen zyrtare të tatimeve (www.tatime.gov.al) janë mbi 20 numra kontakti, me të cilat bizneset e reja konsultohen se si të regjistrohen. http://www.monitor.al/nuk-deklaruan-ne-afat-punonjesit-bizneset-e-reja-gjobiten-10-000-leke-tatimet-nuk-njohin-ligjin-dhe-regjistrimin-online/
Por, bizneset kanë shpërthyer në ankesa, duke i quajtur këto gjoba të padrejta, pasi ka raste kur data që tatimet njohin si fillim pune për administratorin është më e hershme se data e marrjes së NIPT. “Aktualisht mbaj llogarite e 10 Personave fizikë pa TVSH, të cilet janë krijuar në periudhën Shtator – Dhjetor 2015. Të gjithë këta subjekte janë dënuar me gjobë 10,000 lekë për deklarim me vonesë të formularit ESIG027 (dmth deklarimi i fillimit të punës të vetëpunesuarit i cili është person fizik i vetem). Kjo gjë është totalisht e papranushme, pasi eshte e pamundur që një person fizik ta deklarojë datën e fillimit të punes më përpara se të marrë Niptin. Ata duan një periudhë 2-3 ditore që të tërheqin NIPT-in dhe po një periudhë 3-4 ditore të njoftojnë një ekonomist për regjistrimin e biznesit të tyre, thotë Virsoni, ekonomist.
“Kjo s’ka ndodhur vetëm me bizneset e reja, por edhe ato ekzistuese, ti punëson sot një punonjes dhe je i detyruar ta deklarosh në sistem një ditë para, ndryshe nëse e deklaron në ditën që e ke punësuar merr 10,000 lekë gjobë, për vonesë deklarimi”, thotë Alma, ekonomiste.
“Në sistemin tatimor kohët e fundit është aktivizuar sipas specialistëve të shërbimit , formualri E-sig 027, për punësimet dhe largimet rishtaz. Aktivizimi i tij ka bërë që sistemi të vendosë gjoba 10.000 lekë për deklarimet, të cilat nuk kanë respektuar afatin 24 orë para. Po flasim edhe për deklarata të dorëzuara para aktivizimit të këtij formulari. Në periudhën e fushatës kundër informalitetit, vetë inspektorët tatimorë nxisnin biznesin që të bënin punësime brenda dites edhe pse kjo është shkelje. Gjithashtu bizneset, për të shmangur penalizimet kanë kryer edhe vetë deklarime sot për sot. Nga informacionet e mia janë penalizuar gati 99% e bizneseve në shkallë vendi. Duket sikur kemi rënë në një grackë që s’po e shpjegojmë dot”, thotë Atosi, ekonomist.
Një tjetër ekonomist thotë se në ligj nuk citohet asnjëherë për të vetëpunësuarin ose administratorin, të cilët quhen të regjistruar që në momentin e aplikimit të tyre në QKB. “Kur aplikon për regjistrim në QKB në datën 31 dhe NIPT-in e merr të nesërmen në datën 1 të muajit pasardhës, në sistemin e tatimeve detyrimisht regjistrimin do e bësh kur ke aplikuar në QKB, dmth dt 31, pra detyrimisht do marrësh gjobë”.
Armandi, kontabilist, shpjegon se deri dje duhej të shkoje të merrje password-in në Tatime në mënyrë që të logoheshe në sistemin IT dhe duheshin disa ditë që biznesi i sapo regjistruar të shfaqej në sistem. Pavarsisht çfarë shkruhej në ligj, sqaron ai, u kthye në një normë që deklarata e parë ESIG27 të dërgohej disa ditë me vonesë dhe subjektet nuk penalizoheshin (kjo konfirmohej edhe nga inspektorët e shërbimit).
Ekonomistët shprehin habinë se pse pikërisht tani u vendos që subjektet të gjobiteshin.
Avokati Tatimpaguesit: Biznesi i vogël duhet të vihet në dijeni për procedurat
Burime nga Avokati i Tatimpaguesi pohuan se ata nuk kanë marrë ende ankesa nga biznesi për këtë çështje, por do e ndjekë pas shqetësimeve të ngritura në media nga bizneset.
Ata shtuan se Avokati i Tatimpaguesit ka kërkuar që në paketën e re fiskale të vihet në ligj që është detyrim për shtetin të informojë bizneset për procedurat. Bëhet fjalë sidomos për bizneset e vogla, sepse ato të mëdha janë më të strukturuara dhe kanë ekonomistë e kontabilistë.
Më parë, thonë burimet nga Avokati, kur biznesi regjistrohej në tatime, ata informoheshin dhe se çfarë procedurash duhet të ndiqnin, ndërsa tani që regjistrohen në QKB nuk i informon njeri.
Si në ligjin e procedurave tatimore, ashtu dhe në kartën e tatimpaguesve, saktësohet që është detyrim i administratës që të informojë biznesin për procedurat që duhen ndjekur, që me hapjen e tij.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Eshte e vertete , askush nuk informon dhe shteti rri gadi te te zere ne gabim
Edhe une jam gjobitur,pa patur as edhe nje te punesuar.Nuk besoj tek fjalet e atij drejtoritt te sherbimit,pasi nuk na sherben ne.Dikush nga lart duhet ti frenoje.