Revolucion në Champions League dhe Europa League duke filluar nga sezoni 2018-2019

06/04/2017 1:18 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Finalet e Champions League dhe Europa League në vitin 2019 do të luhen brenda së njëjtës javë. Në këtë mënyrë shkurtohet distanca në kohë mes dy finaleve krahasuar me sot. Vendimi është marrë me rastin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s në Helsinki.

Këto po ndodhin në vazhdën e ndryshimeve që UEFA po planifikon për ciklin trevjeçar 2018-2021. Duke filluar nga sezoni 2018-2019, shumë gjëra do të ndryshojnë, për të tërhequr ndjekës të rinj, nëpër stadiume e rrjete sociale.

Siç dihet, ndryshimi më thelbësor është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në fazën e grupeve (pa pasur nevojën e raundeve eliminatore) e 4 skuadrave që do të renditen në 4 vendet e para të kampionateve kryesore të Europës (Primera Division, Premier League, Bundesliga dhe Seria A).

Cikli 2018-2021, për të cilin UEFA ka filluar punën që vitin e shkuar, do të ketë ndryshime dhe në orarin e ndeshjeve të Champions League: nga tetë ndeshjet, të cilat zhvillohen të martave dhe të mërkurave gjithnjë në orën 20:45, duke filluar nga sezoni 2018-2019, dy ndeshje do të zhvillohen në orën 19:00 dhe gjashtë të tjerat në orën 21:00.

Për sa i përket sezonit të ardhshëm, 2017-2018 do të qëndrojë e pandryshuar formula aktuale: të gjitha ndeshjet (përveç atyre që mund të luhen në Rusi, apo ndonjë vend tjetër me orare dhe klimë të papërshtatshme), luhen në mbrëmje në orën 20:45. Në Europa League, funksionon ndryshe prej disa sezonesh. Gjysma e ndeshjeve luhen në orën 19:00, ndërsa gjysma tjetër në orën 21:05.

Këto risi shkojnë në favorin e televizioneve, sepse do të rritet numri i telespektatorëve që tërhiqen nga spektakli i Champions League, të cilët do të ndjekin maratonën europiane nga ora 19:00 deri në orën 23:00.
Në këtë mënyrë, UEFA ka besim se do të shtojë publikun gjerësisht, sidomos në Azi dhe ShBA. Për shembull në Pekin, ndeshjet e orës 19:00 do të korrespondojnë me orën 1:00 të natës, një orar më i favorshëm për miliona të pasionuar pas futbollit europian.

UEFA ka përcaktuar se finalja e Europa League në sezonin 2018-2019, do të luhet në datën 29 maj 2019. Finalja e Champions League pritet të luhet brenda së njëjtës javë, të shtunën e 1 qershorit. “Ky ndryshim është bërë, që edhe finalja e Europa League të luhet pasi të jenë mbyllur kampionatet kryesore të Europës”, ka deklaruar organi qeverisës i futbollit europian. Me pak fjalë, qëllimi i UEFA-s është lehtësimi i punës së klubeve dhe futbollistëve.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz