Pasi sfidoi të gjitha pritshmëritë për transformimin e politikës franceze, detyra e tij e ardhshme është të bëjë të njëjtën gjë me reformën ekonomike, shkruan The Economist.
Me dyqanet e shtrenjta me veshje marinari, me fushat me gjelbërim të mirëmbajtura dhe klubin e tenisit, qyteti bregdetar i Le Touquet është vendpushimi i preferuar i borgjezisë së Francës veriore në fundjavë.
Pjesë e një shteti me bindje të thella konservatore, ky qytet drejtohet nga një kryebashkiak republikan i qendrës së djathtë, Daniel Fasquelle, dhe votoi me një shumicë votash pro François Fillon, kandidatit republikan, i cili u mposht në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale gjatë këtij viti.
Për dhjetë vite me radhë, z. Fasquelle ka qenë edhe deputet i Asamblesë Kombëtare Franceze. Në janar të këtij viti, qyteti priste me padurim t’i jepte fund sundimit socialist në Francë, duke u gëzuar nga kthimi në rendin konservator.
Megjithatë, në votimin e raundit të parë, më 11 qershor, për formimin e një Parlamenti të ri, populli i mirë i Le Touquet vendosi në krye të listës një sipërmarrës të panjohur, Thibaut Guilluy, duke e zhvendosur kryebashkiakun e tyre në vendin e dytë.
Z. Guilluy i përket ushtrisë së kandidatëve të rinj të Partisë së Presidentit Emmanuel Macron, “La République en Marche”, të cilët fare të paarmatosur po drejtojnë një revolucion paqësor në politikën demokratike.
Lëvizja politike e zotit Macron, e krijuar vetëm 14 muaj më parë, mori 32% të votave, dhjetë pikë përpara republikanëve. Ai fitoi 350 vende nga 577 që janë në Asamblenë Kombëtare, duke e shndërruar këtë fitore në një nga më të mëdhatë e Republikës së Pestë, që i shkatërroi republikanët, ndërsa goditjen më të fortë ia dha jepte Partisë Socialiste.
Për qytetin e Le Touquet, që e konsideron z. Macron si një banor vendas, kjo ishte një fitore veçanërisht simbolike. Ai dhe gruaja e tij, Brigitte, kanë një shtëpi të dytë në këtë vendpushim, edhe dasmën e tyre e kanë zhvilluar atje dhe mbi të gjitha vazhdojnë të jenë vizitorë të rregullt.
Avioni presidencial u ul në pistën e vogël të Le Touquet, në mënyrë të tillë që Presidenti të shkonte të votonte në sallën e bashkisë. “Të gjithë e njohin atë këtu”. Ai nuk ka qenë kurrë arrogant dhe njerëzit duan t’i japin atij një mundësi, u shpreh një banor i zonës. Lidhjet familjare të z. Macron me këtë zonë nuk mbarojnë me kaq. Zëvendësuesja e z. Guilluy, Tiphaine Auzière, është thjeshtra e tij.
Në një pasdite të zhurmshme, z. Guilluy mund ta gjesh në fshatin me tulla të kuqe të Rang-du-Fliers, gjithmonë pranë autobusit të tij të fushatës në ngjyrë të verdhë. Atij i është bashkuar edhe znj. Auzière, një avokate vendase, e cila lëviz me biçikletë. Ata të dy janë ngritur kundër qëndrimeve të rrënjosura të qendrës së djathtë, si dhe të djathtës ekstreme në zonat rurale.
Më tej në lindje, Marine Le Pen, liderja e Frontit Kombëtar Nacionalist, kryesoi votimin në Hénin-Beaumont në komunën ku ajo kandidon. “Kjo zonë u përket të djathtëve dhe të gjithë thanë se fitorja këtu nuk ishte e mundur, por ne u përballëm me krejt të kundërtën, na u dha një mirëseardhje tepër e ngrohtë, u shpreh znj. Auzière.
Para se z. Macron të zgjidhej President, pikëpyetja më e madhe që kishin shumë njerëz ishte se si mendonte se do të qeveriste. Partia e tij nuk kishte asnjë deputet.
Fushata presidenciale u përqendrua në personalitetin dhe preferencat e tij politike dhe nuk ishte e qartë nëse kjo mund të përkthehej edhe në një votë partiake.
Megjithatë, të përfshirë nga një dëshirë e madhe ndryshimi, ose më saktë një dëshirë për të zmbrapsur forcat e vjetra, francezët janë duke dhënë prova se të gjithë ata që dyshonin mbi fitoren e tij janë gabuar.
Partia e tij “La République en Marche” (LRM) ka mposhtur edhe disa prej anëtarëve më të vjetër, si Benoît Hamonin, kandidatin presidencial të mundshëm të socialistëve dhe kreun e partisë Jean-Christophe Cambadélis.
Implikimet mund të jenë edhe më të gjera se kaq dhe madje, një situatë e tillë ndryshimi mund të përdoret edhe si një rast studimor në ndryshimet politike.
39-vjeçari, ish-ministër i Ekonomisë dhe bankier investimesh, që kurrë më parë nuk kishte kandiduar, sfidoi të gjitha rregullat e pashkruara dhe u bë President i kombit francez që me përpjekjen e parë. Tre janë pasojat që mund të ndodhin në riformimin e politikës partiake franceze;
Rikrijimi i përfaqësimit politik; dhe ndërtimi i një dinamike të re për ndërmarrjen e reformave.
Politikat e reja të zotit Macron nuk u frymëzuan në mënyrë direkte nga teoricienët e “qendrës radikale”, por ai ka marrë një pjesë të ideve nga të majtët dhe një pjesë nga të djathtët dhe nevojën për të riformuluar politikën demokratike.
Ideja e tij themelore është se forcat e mëdha që do të formojnë teknologjinë e së ardhmes, ekonominë e pavarur dhe mjedisin e duhur, nuk i përkasin më asnjërës prej ndarjeve të vjetra ideologjike të të majtëve dhe as të djathtëve.
Z. Macron mendon të rindërtojë politikën përgjatë një linje të re: midis atyre që favorizojnë një shoqëri, tregti dhe tregje të hapura me Europën, ndërsa nga ana tjetër, nacionalistët që mbështesin me fanatizëm dhe me bindje të plotë proteksionizmin dhe politikën e identitetit. Z. Macron nuk është i pari që përpiqet të krijojë një qendër radikale në Francë.
Përpjekjet e së kaluarës janë bërë nga Jean Lecanuet, ministër i Drejtësisë në kohën e tij, pjesë e fushatës presidenciale në vitin 1965 me sloganin “une France en marche”; Jacques Chaban-Delmas, Kryeministër nga 1969-‘72, mbështeti një “shoqëri të re” qendrore; apo François Bayrou, i cili tani mban postin e ministrit të Drejtësisë, në qeverinë e Macron-it.
Por të gjitha këto përpjekje të qendrës së djathtë nuk arritën që të fitojnë terren dhe zakonisht u përshtatën si një rrugë e mesme midis Gaullizmit dhe Socializmit.
Z. Macron, nga ana tjetër, është më shumë i majtë. Ai beson në rëndësinë e qeverisjes dhe në rolin e saj, veçanërisht në fushën e investimeve dhe të arsimit (edhe pse dëshiron një reduktim të përgjithshëm të shpenzimeve publike). Ashtu si edhe mentori i tij i mëparshëm, Michel Rocard, kryeministër i qendrës së majtë gjatë periudhës 1988-‘91, Macron kërkon që të punojë përtej ndarjeve partiake.
Ambicia e tij nuk është krijimi i një alternative të mesme midis së majtës dhe së djathtës, por një rikrijim tërësisht i ri. Edhe qëndrimet ndaj Europës e nxjerrin më shumë në pah këtë ndarje të re. Në një sondazh të fundit, votuesit u pyetën nëse do të ndiheshin keq në rast se Bashkimi Europian do të shpërbëhej.
Sipas Gérard Grunberg, një analisti politik, pjesa më e madhe e mbështetësve socialistë, të partisë LRM dhe atyre republikanë, u shprehën se ishin kundër një veprimi të tillë, pra ishin kundër shpërbërjes së BE-së, ndërsa shumica e mbështetësve të ekstremistëve të djathtë dhe të majtë nuk ishin aspak kundër. Grupi i parë, mbështetësit e BE-së janë edhe shtylla më e fortë e përkrahësve të z. Macron.
Kaq e fortë ishte fitorja e z. Macron saqë shqetësimet po përqendrohen në mënyrën sesi ta frenojnë këtë fuqi të tepruar.
Gjatë javës së kaluar u publikua një artikull në “Le Monde” me titull “Sfidat e hegjemonisë”, që theksonte faktin e një opozite “inekzistente”.
Sipas disa zërave, të sapoardhurit në Parlament, nuk e kanë përvojën e duhur për të drejtuar postet që i janë caktuar.
Qëndrueshmëria e opozitës në pesë vitet e ardhshme, mendohet se do të kenë ndikim më pozitiv në rikrijimin e qeverisë. Kur të sapozgjedhurit të hyjnë në Asamblenë Kombëtare Franceze, pamja e atij institucioni do të tjetërsohet. Për vite me radhë, vendi është ankuar për paaftësinë për të ndryshuar pamjen e Parlamentit, që përbëhej nga anëtarë të vjetër në moshë dhe mbi të gjitha për t’i dhënë fund një Parlamenti ku mbizotëron shumica e deputetëve meshkuj.
Mosha mesatare e deputetëve që do të largohen shpejt nga ky institucion, ishte midis 60-70 vjeç. Rreth 17% ishin mbi 70 vjeç. Ndërkohë që mosha mesatare e deputetëve të Partisë LRM, është 43 vjeç. Gjysma e deputetëve të kësaj force partiake janë femra.
Një numër i vogël janë edhe qytetarë me origjinë të huaj, siç është shembulli i Mounir Mahjoubi, një sipërmarrës në fushën e teknologjisë dixhitale në Paris dhe Hervé Berville, ekonomisti nga Ruanda që operon në Britani.
Kandidatët fillestarë përfshijnë njerëz të fushave të ndryshme, jo vetëm të biznesit por edhe mësues, mjekë, 11 fermerë, dy zjarrfikës, një pilot luftarak, një matematicien dhe një floktar.
Mediat sociale
Ndryshimi i klasës së vjetër politike ishte një përpjekje e qëllimshme e z. Macron për të luftuar ekstremet politike. I çuditur nga dështimi i politikanëve për të frenuar rritjen e Frontit Kombëtar të znj. Le Pen, ai argumentoi se besimi në politikën kryesore do të rivendoset vetëm nëpërmjet lidhjeve më të ngushta ndërmjet deputetëve dhe votuesve.
“Ajo që nuk funksionon më është sistemi partiak”, deklaroi ai për “The Economist” vitin e kaluar. “Ne kemi nevojë të gjejmë forma më të drejtpërdrejta ndërveprimi me njerëzit”, vijoi ai. Për këtë qëllim, në prill të vitit të kaluar, ai krijoi Partinë politike “En Marche!”, duke përdorur mediat sociale si mjet për ta prezantuar atë me publikun, për ta bërë sa më të njohur, duke tërhequr njerëz që më parë ishin përjashtuar nga pjesëmarrja në politikë si pasojë e mungesës së aktivizimit partiak.
Pranimi i një numri të madh anëtarësh të rinj shoqërohet me një valë të madhe pastrimi të anëtarëve të vjetër, por padyshim që mbart me vete edhe disa vështirësi. Ata duhet të mësojnë shpejt artin e domosdoshëm të kompromisit dhe kjo gjë mund të zhgënjejë votuesit. Tensionet në një lëvizje kaq të gjerë do të dalin në pah, pasi të testohet uniteti i saj.
Nuk është rastësi që kandidatët e panjohur kanë ngjitur fotografitë e tyre me presidentin e ri në billboardet e ndryshme gjatë fushatës elektorale, në të gjithë Francën. Deri më tani, muaji i parë i z. Macron ka ecur mirë.
Nga takimi me Donald Trump, te biseda e tij e ashpër me Vladimir Putin dhe mënyra dinjitoze që ai ka përfaqësuar Francën deri më tani, duket se po fitojnë mbi të gjithë skepticizmin e ngritur. Rreth 70% mendojnë se ai po përmirëson imazhin e Francës. “Ai ecën mbi ujë”, shprehet me një grimcë të vogël ironie për z. Macron, Mickael Littiere, organizator i Partisë “En Marche!”.
I diplomuar për filozofi, z. Macron ka menduar gjatë për natyrën e zyrës së tij presidenciale.
Si ish-këshilltar i François Hollande, paraardhësi i tij i pafat socialist, ai po i kushton shumë rëndësi të gjitha pikave në mënyrë të tillë që të mos gabohet. Në një intervistë të dhënë në vitin 2015 për gazetën L1, që mahniti një pjesë të madhe të popullit francez, z. Macron u shpreh se ajo që mungon në Francë është figura e Mbretit, vdekjen e të cilit ai mendon se populli francez nuk e dëshiron.
Boshllëku, ose ndjesia e zbrazëtisë që mbizotëron në qendër të demokracisë franceze, argumentoi ai, është mbushur herë pas here nga udhëheqës të mëdhenj, siç ka qenë Charles de Gaulle. “Pas tij, vazhdoi më tej z. Macron, normalizimi i figurës presidenciale ka riinstaluar një karrige të zbrazët në zemër të jetës politike”.
Deri në një pikë, z. Macron mund të shpresojë të rivendosë besimin në vend duke zëvendësuar atë post dhe mbi të gjitha duke përfaqësuar me qetësi Francën jashtë kufijve.
Për shembull, ai reagoi me shumë maturi dhe zgjuarsi ndaj veprimit të z. Trump për ta nxjerrë jashtë Marrëveshjes së Klimës së Parisit, SHBA-në, duke i bërë atij thirrje se “ata të gjithë bashkë duhet ta bëjnë planetin të madh përsëri”.
Megjithatë, prova e vërtetë e premtimit të z. Macron për të bërë një ndryshim rrënjësor, do të jenë reformat e tij të brendshme.
Ai është zotuar se do të miratojë një ligj mbi punën përpara fundit të verës, duke përdorur urdhrat presidencialë, për të cilat do të kërkojë miratimin parlamentar në korrik.
Problemi më i rëndësishëm është papunësia e lartë, veçanërisht në mesin e të rinjve. Norma e papunësisë në Francë ka qëndruar për pesë vjet në 10%, më shumë se dyfishi i asaj të Gjermanisë, ndërsa për moshën nën 25 vjeç, ajo arriti në 25% gjatë 2016-s.
Firmat e ndryshme ende pengohen nga krijimi i vendeve të punës nga një kod pune prej 3,000 faqesh, që mbron vendet e punës të përhershme dhe i lidh punëdhënësit në nyje kompleksiteti dhe pasigurie të panevojshme.
Ashtu si z. Macron në mënyrë të përsëritur u kujtoi votuesve, 80% e kontratave të reja për grupmoshën e të rinjve janë afatshkurtra. Janë të shumta rastet e të rinjve që kalojnë vite të tëra në punë të përkohshme, të cilat firmat i aplikojnë për të siguruar fleksibilitetin të cilin ligji e mohon.
Për të inkurajuar krijimin e vendeve të punës, ligji i punës i z. Macron do të mbrojë individët më shumë sesa vendet e punës. Macron kërkon që reforma e tij e parë të sjellë tre ndryshime: të zhvillojë më shumë bisedime mbi pagat dhe orët për firmat e ndryshme brenda kufijve kombëtarë; të bashkojë këshillat e ndryshëm të punës në një dhe të rrisë shpërblimet ndaj punonjësve që largohen me pa të drejtë nga puna. Reforma të mëtejshme do të ndërmerren edhe për sa i përket përfitimeve të të papunëve, trajnimeve të ndryshme dhe pensioneve.
Përpjekjet për të reformuar tregun e punës kanë mundur shumë drejtues të mëparshëm. Pjesa më e madhe e përpjekjeve për prezantimin e fleksibilitetit konsiderohen si një sulm ndaj të drejtave dhe një dhuratë e papërfillshme për bosët kapitalistë. “Regresioni i turpshëm dhe i mjerë në shekullin e 19” ishte mënyra se si Aurélie Filippetti, një ish-ministër socialist, përshkroi planet e punës së z. Macron në rrjetin social Twitter.
Do të nevojitet aftësi e madhe për të bindur udhëheqësit e sindikatave, prej të cilëve do të varet edhe tërheqja dhe drejtimi i protestuesve në rrugë. Vera mund të jetë e qetë, por demonstratat mund të shënojnë kthimin në punë në shtator.
Z. Macron dhe kryeministri i tij i qendrës së djathtë, Edouard Philippe, po ndërmarrin një sipërmarrje tjetër të vështirë.
Përpjekjet e tyre do të shihen me kujdes të veçantë nga Gjermania, për të parë nëse z. Macron mund të jetë i aftë për të rivendosur besueshmërinë e Francës në reformën ekonomike. Në favor të tyre, një bashkim i moderuar, Konfederata Franceze Demokratike e Punës (Confédération Française Démocratique du Travail) tani është shndërruar në bashkimin më të madh në Francë. Ajo drejtohet nga Laurent Berger, dhe për herë të parë u krijua në vitin 1919.
Z. Macron gjithashtu bëri kujdes në emërimin e Muriel Pénicaud, një ish-drejtor i burimeve njerëzore në Danone, një kompani ushqimore, në postin e ministrit të Punës.
Edhe konteksti është gjithashtu më i favorshëm. Zgjedhja e zotit Macron mund të përkthehet në një ekzaltimin popullor për sa i përket mobilizimit në dy dekadat e fundit.
Sipas Komisionit Europian, rritja ekonomike ka filluar të vihet në dukje dhe parashikohet se për këtë vit janë në 1.4%, ndërsa për një vit më vonë në 1.7%. Besimi i biznesit në maj arriti nivelin më të lartë në gjashtë vitet e fundit.
Bisedat në takimet e ndryshme nuk përqendrohen më në ankesat e ndryshme në lidhje me rënien e Francës, por në një lloj kënaqësie të habitshme në gjetjen e vendit si një objekt admirimi ndërkombëtar.
Por asgjë, nuk është e sigurt as për z. Macron. Vështirësia e reformave do të testojë aftësitë e tij dhe në të njëjtën kohë edhe vullnetin e popullit. Por duke qenë se francezët kanë qenë në një gjendje kolektive depresioni, kjo gjë ka ndikuar ndjeshëm në uljen e pritshmërive të tyre.
“Që në momentin kur arrita t’i kuptoj fjalimet politike, kam dëgjuar vetëm fjalime të tilla që thonë se Franca është në krizë”, shkruan Macron, në librin e tij që e publikoi një vit më parë. Ata tashmë kanë befasuar një botë të tërë pas votimeve. Edhe pse në letër, planet e z. Macron në lidhje me reformat duken shumë premtuese. “Më në fund, edhe neve nuk do të na drejtohet gishti duke na akuzuar se dështuam në ato pika që shtetet e tjera ia kanë dalë me sukses”, shprehet Ludovic Subran, kryeekonomist në Euler Hermes, një kompani sigurimesh.
Një vit më parë ishin shumë të paktë personat që besonin që z. Macron do ta vazhdonte aventurën e tij politike. Aftësia e Presidentit të ri do të shikohet në lidhje me reformat ekonomike që ai do të ndërmarrë, sfidë kjo edhe ndaj të gjithë skeptikëve në vend. Ky do të ishte një revolucion i vërtetë francez.