Bankat shqiptare po ngecin në një hap me teknologjinë. Gjatë pesë viteve të fundit (2011 – 2015) industria bankare ka investuar 65 milionë euro në infrastrukturë dhe shërbime të teknologjisë së informacionit. Shërbimet “Home Banking” po rriten me shpejtësi
Në ditët e sotme thuhet se dixhitalizimi është revolucioni i dytë më i rëndësishëm pas atij industrial. Ne jemi duke jetuar në botën e ndryshimeve. Bankat janë në këtë trend. Kryerja e pagesave nga telefoni dhe kompjuteri është bërë po aq e zakontë për konsumatorët. Nëpërmjet bankës dixhitale, bankat ulin kostot, konsumatorët shmangin humbjen e kohës dhe burokracitë. Por edhe ky proces ka sfidat e veta. Sa të sigurta janë këto shërbime dhe sa rezistente janë ndaj abuzuesve virtualë. Për të orientuar zhvillimet e bankingut dixhital, Shoqata e Bankave organizoi një panel ku morën pjesë bankat tregtare dhe ekspertë të fushës. Dixhitalizimi në banka dhe në industrinë bankare nuk është një zgjedhje, dhe as një opsion: kjo është mënyra e biznesit bankar sot dhe në të ardhmen, tha kryetari i Shoqatës së Bankave, Christian Canacaris.
Bankat shqiptare, 60 milionë euro investimeve në IT
Industria bankare në Shqipëri është e mirorientuar drejt bankingut dixhital. Shifrat deri më tani janë shumë optimiste. 12 nga 16 banka të cilat operojnë në vend, ofrojnë internet banking, 7 nga 16 ofrojnë mobile banking dhe 3 banka ofrojnë e-commerce. Gjatë pesë viteve të fundit (2011 – 2015) industria bankare ka investuar 65 milionë euro në infrastrukturë dhe shërbime të teknologjisë së informacionit. Këtë vit është planifikuar të investohen 16 milionë euro. Numri i kartave me funksion pagese pothuajse u dyfishua në vitin 2015, në krahasim me vitin 2009. Numri i transaksioneve nëpërmjet internetit gjatë vitit 2015 arritën në rreth në 1,4 milionë. Volumi i tyre është mbi 280 miliardë lekë. Llogaritë bankare në total arritën në 3.3 milionë. Telefonat celularë në përdorim janë 3.4 milionë. Vendi është mbuluar me sinjal interneti dhe tashmë ofrohet gjenerata e 4 e telefonisë së lëvizshme
Teknologjia e re mundëson porosinë, transferimin, blerje, shitje, depozitë nga ambientet e banimit, zyrës, ose dhe nga një smartphone. Gjatë vitit 2016, rreth 185 milionë europianë pritet të përdorin një aplikacion celular të pagesave në vend të parave cash. Pagesat e kryera nëpërmjet telefonit në mbarë botën kalojnë vlerën 207 miliardë euro për vitin 2015.
E ardhmja dixhitale
Kompanitë më inovatore të teknologjisë kanë zgjeruar me shpejtësi shërbimet financiare, vazhdimisht inovative dhe konkurruese ose duke bashkëpunuar me bankat dhe institucionet e tjera financiare në segmente të ndryshme të tregjeve financiare, ose në aktivitete që nuk kërkojnë në mënyrë specifike një licencë bankare, shprehet Canacaris.
Gjithashtu, ndryshimi po vjen nga pritjet konsumatore, të cilat mundësojnë indikacionet e nevojshme në një mjedis në ndryshim. Konsumatorët e sotëm nuk janë të njëjtë me konsumatorët e viteve të mëparshme. Ata presin produkte dhe shërbime bankare të shpejta, të sigurta dhe të thjeshta. Konsumatorët kërkojnë nga bankat më shumë se transaksione, por bankat të kuptojnë nevojat e tyre dhe të veprojnë si këshilltarë të besuar. Bankingu dixhital i sotëm paraqet një përvojë të re konsumatore,- shpjegon kryetari i Shoqatës së Bankave, teksa pohon se teknologjia dhe konsumatorët kanë kontribuuar në vizionin e bankave, dhe që këto të fundit të rimendojnë mënyrën në të cilën ato operojnë.
Ka pasur dhe ka shumë diskutime në lidhje me bankingun. Ekzistojnë mbështetës të bankës virtuale, ose bankës pa degë, mbështetës të FINTECH si një sfidë për sistemin bankar, bankingut si një domosdoshmëri, por pa banka, etj. Të gjitha këto teori janë bazuar në ndryshimet e pabesueshme të teknologjisë, të cilat janë përqafuar menjëherë nga brezi i ri dhe jo vetëm.
“Bankat gjithashtu kanë përqafuar teknologjinë dixhitale. Ato sfidojnë traditën. FINTECH nuk janë problemi i bankave; ato janë risi të reja dhe ka shumë mënyra për të përfituar prej tyre. Pra, ne nuk kemi frikë nga zhvillimi i tyre. Bankat janë duke krijuar FINTECH të tyre, ose janë duke blerë ato ekzistuese për të lëvizur përpara. Bankat janë perfeksionuar në njohjen e klientëve, ose aktivitetet e tyre kundër pastrimit të parave. Kjo gjithashtu nënkupton përdorim të infrastrukturave të shtrenjta të përputhshmërisë për të pasur fushë të barabartë veprimi”, shpjegon Canacaris.
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, është duke mbështetur këto zhvillime me ligje dhe rregullore, duke adaptuar modelet më të mira europiane. Zëvendësguvernatorja Gjoni theksoi se, në kuadër të nxitjes së tregut drejt shërbimeve inovative të pagesave, Banka e Shqipërisë në rolin e rregullatorit dhe katalizatorit ka ndërmarrë një sërë masash rregullative kohët e fundit që synojnë heqjen e barrierave dhe rritjen e konkurrencës.
Këto masa janë bazuar në praktikat europiane, jo vetëm në kuadër të aderimit të Shqipërisë drejt tregut të përbashkët europian, por dhe si një nga zgjidhjet më optimale në terma të sigurisë dhe efikasitetit në nivel ndërkombëtar. Si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim, zëvendësguvernatorja përmendi aktivitetin e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, i cili synon krijimin e një vizioni për zhvillimin e sistemeve të pagesave në tregun shqiptar.
Ndërsa ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito, gjatë fjalës së saj, prezantoi zhvillimet më të fundit lidhur me projektet e ndërmarra në fushën e dixhitalizimit të shërbimeve qeveritare nga qeveria shqiptare.
Ministrja Harito theksoi se promovimi i mënyrave inovative të pagesave, si ato me celular, vlerësohen si e ardhmja e pagesave jo vetëm për faktin se mundësojnë luftën kundër informalitetit, por gjithashtu sepse ato lehtësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.