Revolucioni tjetër kapitalist

01/12/2018 10:03 PM 0 komente

Fuqia e tregut qëndron pas shumë sëmundjesh ekonomike. Koha për të rivendosur konkurrencën

 

Kapitalizmi ka pësuar një seri goditjesh të fuqishme ndaj reputacionit të tij, gjatë dekadës së kaluar, shkruan The Economist. Pakënaqësia ndaj një sistemi të manipuluar, në të cilin përfitojnë pronarët kapitalistë, në kurriz të punëtorëve, është shumë e madhe.

Në vitin 2016, një studim i kryer në Amerikë, zbuloi se më shumë se gjysma e të rinjve amerikanë nuk e mbështesin më kapitalizmin. Humbja e besimit është e rrezikshme, por gjithashtu, edhe e justifikuar. Kapitalizmi i sotëm ka një problem real dhe jo vetëm për atë që proteksionistët dhe populistët kanë dëshirë të flasin.

Jeta është bërë shumë e rehatshme për disa firma në ekonominë e vjetër, ndërsa në ekonominë e re, firmat e teknologjisë kanë ndërtuar me shpejtësi fuqinë e tregut. Nevojitet një revolucion, ai që do të nxisë konkurrencën, duke gjeneruar fitime të larta sot dhe duke siguruar që inovacioni të mund të lulëzojë edhe nesër. Edhe më parë, vende të ndryshme kanë vepruar për të nxitur konkurrencën.

Në fillim të shekullit XX, Amerika shkatërroi monopolet e hekurudhave dhe të energjisë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Perëndimore vendosi krijimin e tregjeve konkurruese në qendër të projektit të ndërtimit të kombit të saj. Themelimi i tregut të vetëm europian, një projekt i mbrojtur nga Margaret Thatcher, vlerësoi tregjet e brendshme ndaj firmave dinamike të huaja. Ronald Reagan nxiti konkurrencën në pjesën më të madhe të ekonomisë amerikane.

Një transformim i ngjashëm është i nevojshëm edhe sot. Që prej vitit 1997, përqendrimi i tregut është rritur me dy të tretat e industrive amerikane. Një e dhjeta e ekonomisë përbëhet nga industri në të cilat katër firma kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut. Në një ekonomi të tillë, fluksi i parave të kompanive është 76% ndaj PBB-së, mbi mesataren e tij në 50 vitet e fundit. Në Europë tendenca është e ngjashme, edhe pse jo kaq ekstreme.

Përqindja mesatare e tregut nga katër firmat më të mëdha në secilën industri është rritur me tre pikë përqindje që nga viti 2000. Në të dy kontinentet, lufta ndaj firmave të mëdha po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Në tregjet e konsoliduara, globalizimi vazhdon të nxisë më tej zhvillimin e konkurrencës. Por në industritë që janë më pak të ekspozuara ndaj tregtisë, firmat po gjenerojnë fitime të mëdha.

Sipas llogaritjeve, fitimet globale të larta, parashikohen të arrijnë në 660 miliardë dollarë amerikanë, më shumë se dy të tretat e të cilave janë gjeneruar në Amerikë, ku një e treta e tyre ka ardhur nga firmat e teknologjisë.
Google dhe Facebook ofrojnë shërbime të ndryshme për konsumatorët kundrejt kurrfarë kostoje. Përmes reklamave të ndryshme të ekspozuara në platformat e tyre, ata i rrisin fitimet e firmave të tyre. Disa industri të tjera, pjesë e ekonomisë së vjetër, fshihen poshtë sipërfaqes së tregtisë: karta krediti, shpërndarje në fushën farmaceutike, etj.

Kur publiku të merret me oligopolet në mënyrë më të drejtpërdrejtë, problemi do të jetë më i qartë. Linjat ajrore në Amerikë kanë kosto më të larta dhe ofrojnë një shërbim më të keq në krahasim me homologët e tyre europianë.
Firmat të cilat kanë në pronësi televizionet kabllore, janë të njohura për kostot e larta. Kostoja mesatare që amerikanët paguajnë në ditët e sotme për televizionet me pagesë është 44% më e lartë se në vitin 2011.
Në disa raste, pakënaqësia shumë e madhe në popull i krijon mundësinë kompanive të reja që të operojnë në këtë treg, si në rastin e Netflix.

Rritja e fuqisë së tregut ndihmon në zgjidhjen e disa “gjëegjëzave ekonomike”. Pavarësisht normave të ulëta të interesit, firmat kanë riinvestuar një pjesë të fitimeve të larta. Kjo mund të jetë për shkak se barrierat ndaj konkurrencës i mbajnë larg edhe të sapoardhurit me mundësi të larta financimi. Një arsye tjetër është që me ardhjen e mijëvjeçarit, veçanërisht në Amerikë, pjesa e fuqisë punëtore të PBB-së ka rënë.

Përqindja e punës ka rënë me shpejtësi të lartë në industritë në rritje. Një tjetër mister është se numri i të ardhurve të rinj ka rënë dhe rritja e produktivitetit ka qenë e dobët. Kjo mund të shpjegohet edhe nga mungesa e presionit konkurrues në drejtim të inovacionit. Disa argumentojnë se zgjidhja e kapitalit të tepërt është të forcojë punën. Elizabeth Warren, kandidate e mundshme për postin e presidentit në Amerikë, dëshiron që të rrisë numrin e punëtorëve në bord.

Partia Laburiste e Britanisë dhe pothuajse të gjithë në krahun e majtë dëshirojnë që të ringjallin fuqinë në rënie të sindikatave. Në ekonominë moderne, roli i sindikatave është shumë i rëndësishëm.
Por kthimi në kapitalizmin e viteve 1960, në të cilin oligopolet fitojnë shuma të majme në krahasim me lëmoshat që u jepen punëtorëve nën kërcënimin e zhvillimit të grevave, është një situatë që duhet shmangur me çdo kusht.
Tolerimi i fitimeve të larta për aq kohë sa ato shpërndahen në një mënyrë jo të duhur dhe që kënaq vetëm ata që janë në pushtet është gjithashtu një gjë që duhet shmangur patjetër.

Fuqia e tregut duhet të sulmohet në tri mënyra. Së pari, të dhënat dhe regjimet e pronësisë intelektuale duhet të përdoren në dobi të inovacionit dhe jo për të mbrojtur pronarët. Kjo do të thotë t’ua lehtësosh punën përdoruesve individualë të shërbimeve të teknologjisë që të kërkojnë për të marrë informacionin e tyre diku tjetër.

Së dyti, qeveritë duhet të heqin pengesat hyrëse si për shembull klauzolat jokonkurruese, kërkesat e licencimit dhe rregulloret komplekse të shkruara nga lobistët e industrisë. Më shumë se 20% e punëtorëve amerikanë duhet të jenë të pajisur me licenca në krahasim me vetëm 5% në vitin 1950. Dhe së treti, ligjet e antitrustit duhet të jenë të përshtatura për shekullin XXI.

Por rregullatorët duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje konkurrencës së shëndetshme të tregjeve dhe kthimit të
kapitalit. Rregullatorët e Amerikës duhet të kenë më shumë kompetenca, si në rastin e Britanisë, për të hetuar tregjet që po bëhen jofunksionale. Kompanitë e gjigantëve të teknologjisë duhet ta kenë shumë më të vështirë për të neutralizuar rivalët e mundshëm afatgjatë, si në rastin e Facebook-ut kur bleu Instagram në vitin 2012 dhe WhatsApp në vitin 2014.

Por edhe nëse zbatohen këto ndryshime nuk do të zgjidhin çdo problem ekzistues. Por nëse ato do të sillnin fitime në Amerikë në nivele normale dhe të ishin punëtorët e sektorit privat ata që do t’i merrnin përfitimet, pagat reale do të rriteshin me 6%.

Konsumatorët do të kishin mundësi për më shumë zgjedhje. Produktiviteti do të rritej. Por të gjitha këto nuk mund të ndalojnë zhvillimin e populizmit. Revolucioni në rivendosjen e konkurrencës do të ndikonte shumë në kthimin e besimit të publikut te kapitalizmi.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of