Në vite, qeveritë shqiptare kanë tentuar gjithnjë të tërheqin vëmendjen për qytetarët e tyre me politika populiste. Në dukje, nismat e marra kanë gëzuar shumë punonjës të administratës të cilët kërkojnë një pagë dinjitoze, por shumë pak i kuptojnë ndikimet që jep rritja e pagave në ekonomi. Rritja e konsumit është një nga efektet e drejtpërdrejta të shkaktuara nga shtimi i rrogës së mbi 80 mijë punonjësve, por kjo nuk duhet që të dëmtojë parametrat kryesorë të buxhetit, një prej të cilëve është rreziku i rritjes së borxhit publik. Në qëllimin kryesor të saj, qeveria kërkon përmirësimin e shtresës më të varfër të popullsisë duke rritur në 30 mijë lekë pagën minimale. Por kjo rritje do të jetë vetëm për buxhetorët dhe nuk do të përfshijë biznesin
Nga Ola Xama
Rreth 5% e Prodhimit Kombëtar shkon për të paguar pagat e administratës publike. Kjo shifër jo e vogël, e cila për vitin 2016 arrin vlerën e 700 milionë dollarëve paguhet me taksat që mbledh buxheti. Vite më parë, buxheti në muaj të ndryshëm është detyruar të marrë dhe borxh për paga e pensione. Zakonisht institucionet financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar apo Banka Botërore shprehen kundër politikave në rritjen e shpenzimeve të personelit në buxhetin e shtetit, për arsyen e thjeshtë sepse këto para, përveç peshës së madhe që kanë mbi buxhet nuk japin produktivitet në ekonomi. Investimet për vepra publike sjellin të ardhura për bizneset, para që paguhen nga sipërmarrësit në formën e taksave, punësim për qytetarët dhe automatikisht rritje të konsumit.
Pavarësisht teorive të njohura gjerësisht, tundimi për të rritur pagat në administratë ka qenë i madh. Në tetë vite të qeverisjes së saj, kabineti Berisha ka rritur 8 herë rrogat e administratës e po ashtu edhe qeveria e Nanos nuk harronte që gjatë periudhave zgjedhore të shtonte fonde për rritjen e pagave. Por hapësirat në buxhet për të bërë rritjen e pagave janë të kufizuara: nëse do të shtosh fondet për këtë zë, atëherë paratë duhen zëvendësuar. Rrugët e buxhetit janë të kufizuara: ose do të ulësh shpenzimet për investime publike, duke bërë më pak punë për komunitetin, ose do të rritësh taksat, ose do të marrësh borxh. Një rrugë më e mundimshme është ajo e rritjes së performancës në mbledhjen e të ardhurave përmes miradministrimit dhe luftës ndaj evazionit fiskal. Në rastin e parë që Ministria e Financave (në buxhetin e vitit 2015) synoi të rriste në buxhet 160 milionë dollarë vetëm në sajë të miradministrimit, gropa që u krijua nga mosrealizimi ishte 220 milionë dollarë…
Kush i ka rritur pagat më shumë?
Në vitin 2006, qeveria e kryeministrit Berisha, menjëherë pas ardhjes në pushtet, alokoi me buxhetin e ri një fond prej 40 milionë dollarësh për rritjen e pagave. Deri në fund të vitit 2009, i cili mbylli dhe mandatin e parë të saj, shpenzimet për politika të reja pagash shkuan në 195 milionë dollarë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën e pagesës për punonjësit e administratës. Fondi për pagat në buxhet nga 430 milionë dollarë shkoi në 570 milionë në vitin 2009.
Edhe pse misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar insistoi në zhdukjen e politikave për stimulimin e punonjësve të administratës dhe pensionistëve përmes ngritjes së rrogës apo pensionit mujor, sërish qeveria Berisha vijoi të rrisë këto fonde, por mandatin e dytë me një ritëm më të ngadalësuar. Nga 2010-a deri në fund të qeverisjes së saj në 2013-n, shpenzimet për rritjen e pagave shkuan në total 50 milionë dollarë.
Edhe pse nuk ka pasur një politikë rritjeje të neutralizuar, edhe kabineti Rama ka rritur disa kategori pagash për punonjësit. Të parët kanë përfituar efektivët e policisë, të cilëve iu vu në dispozicion në vitin 2014 një fond prej 10 milionë dollarësh për rritjen e pagave. Ndërsa për vitet 2015 dhe 2016 nuk pati shpenzime për të bërë rritje për rrogat e personelit. Megjithatë, buxheti në vitin 2014 humbi 17 milionë dollarë në zërin e tatimit të të ardhurave personale, si pasojë e rikonceptimit të taksës për pagën. Shumica e punonjësve të administratës përfitoi një pagë më të madhe si rezultat i tatimit progresiv.
Rritja e pagave në vitin 2017
Ministria e Financave do të vendosë 70 milionë dollarë në dispozicion për rritjen e pagave gjatë vitit 2017. Mesatarisht të gjitha kategoritë e institucioneve buxhetore do të përfitojnë 10% rritje që do të fillojë në muajin mars. Ministria e Financave ka arritur të marrë dakordësinë e Fondit Monetar Ndërkombëtar për të realizuar një shtesë me 7% të shpenzimeve të personelit dhe 3% për pensionistët. Ekspertët janë ende duke punuar për rritjen që do të ketë çdo kategori, deri tani është vendosur që arsimtarët, pedagogët dhe mjekët të kenë një shtesë prej 10%, efektivët e policisë 17%, e ndërsa paga minimale për buxhetorët nuk do të jetë më e vogël se 30 mijë lekë, duke realizuar një rritje me 36%.
Mes debateve politike të dy forcave kryesore në vend, Partisë Socialiste dhe asaj Demokrate, shihet se rritja që u bëhet pagave nga qeveria Rama është më e madhe se ajo e kabinetit Berisha në 4-vjeçarin e fundit të saj, por 2.5 herë më e ulët se politikat e ndjekura në vitet 2006-2009.
Në analizën që bën Instituti i Statistikave Shqiptare, trajektorja e rritjes së pagave në vite ka arritur kulmin në vitin 2000 me 17.7% dhe në vitin 2007 me 17.1%, pa llogaritur inflacionin. Më pas, trajektorja e tyre është e ndryshme, ku sigurisht pas 2007-s, rritja më e madhe është në vitin 2009. Në këtë llogaritje, INSTAT mat pagën mesatare që merr një person i punësuar në sektorin publik, duke shtuar shtesën për funksione drejtuese, vjetërsi, vështirësi dhe tituj e grada. Pas rritjes nominale të saj, zbritet dhe vlera e inflacionit. Për herë të parë, viti 2015 pati nivelin 0 të rritjes së tyre, duke futur në këtë llogaritje dhe nivelin prej 1.8% të inflacionit vjetor. Kjo “ngrirje” e pagave ka dhënë një efekt negativ edhe në sektorin privat. Indeksi i fondit të pagave të bizneseve ka vijuar tendencën rënëse edhe përgjatë vitit 2016.
Si kanë ndikuar në balancën e buxhetit shtesat për paga.
Edhe pse jo në të gjitha rastet e domosdoshme, rritja e pagave rrezikon të ndikojë negativisht në ekuilibrat e buxhetit dhe sidomos në përdorimin eficent të fondeve të tij. Në vitet kur qeveritë kanë rritur fondet për paga, balanca primare në buxhet është thelluar drejt nivelit negativ. Që parametrat e buxhetit të jenë të shëndetshëm, duhet që shpenzimet e tij (pa përfshirë ato për interesa borxhi) të jenë më të ulëta se të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe taksat. Megjithatë, i vetmi vit kur Shqipëria ka arritur të ketë një buxhet me suficit primar është 2010-a dhe po ashtu një bilanc pozitiv në këto nivele parashikohet të arrihet edhe për buxhetin e vitit 2016.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.