Vendosmëria e shteteve anëtare të BE-së për të mos pranuar dhe në të njëjtën kohë për të kthyer të gjithë shtetasit shqiptarë që emigrojnë në mënyrë të paligjshme, ka bërë të domosdoshme intensifikimin e masave nga ana e qeverisë shqiptare për riintegrimin e tyre në shoqëri. Për këtë qëllim është mbajtur në ambientet e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë takimi me temë “Riintegrimi i shtetasve të kthyer – hapat e mëtejshëm”, ku merrnin pjesë përfaqësues të qeverisë, organizatave ndërkombëtare dhe vendase që veprojnë në fushën e emigracionit.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi theksoi se nisur nga fakti se Shqipëria ka rreth 27% të popullsisë së saj migratore, lind nevoja që të gjitha çështjet që adresojnë dinamikat e migracionit, të jenë koherente dhe të mirintegruara në një politikë gjithëpërfshirëse. Gjithashtu, ai theksoi se edhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian kërkon që Shqipëria të zhvillojë një kuadër strategjik migrator në përputhje me legjislacionin e BE-së.
“Presionet e flukseve migratore nga Shqipëria dhe drejt Shqipërisë ka gjasa të vazhdojnë edhe në të ardhmen, sepse vendi është gjeografikisht e ekspozuar ndaj sfidave të tilla si emigrimi dhe migracioni tranzit i parregullt, pa lënë mënjanë problematikat që dukuria mbart, si kontrabandimi, shfrytëzimi dhe trafikimi i qenieve njerëzore. Politikat e qeverisë synojnë një menaxhim sa më të mirë të fluksit migrator, inkurajim të lëvizjeve me punësim të rregullt, reduktim të kostove individuale dhe publike për emigracionin jo të rregullt, dhe riintegrimin e atyre emigrantëve që kthehen, si dhe familjeve të tyre”, – tha ministri Blendi Klosi.
Më tej ai bëri të ditur se nuk ka asnjë mundësi që një emigrant që tenton në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE-së, të qëndrojë atje dhe të marrë statusin e azilantit. Sipas tij, në radhë të parë është e domosdoshme që çdo qytetar shqiptar të kuptojë se ka zero shanse për emigracionin ilegal për të gjetur punë në vendet e BE-së, ndërsa shtoi se vetëm pasja e një zanati të certifikuar dhe aplikimi sipas politikave të legjislacionit të vendeve të BE-së janë rruga e vetme për të emigruar. Ndaj theksoi ai, është e domosdoshme që edhe në këtë aspekt, shqiptarët gjithmonë e më shumë të kthejnë sytë nga arsimi dhe formimi profesional.
“Ne po e themi prej shumë kohësh që ka një mënyrë për të shkuar në Europë dhe kjo është mënyra e drejtë, me një profesion në Europë mund të gjesh punë. Nëse je i shkolluar, nëse je i profesionalizuar dhe nëse ke një zanat, në Europë mund të gjesh punë”, – shtoi Klosi në fjalën e tij.
Ndërkohë që sa u përket emigrantëve të kthyer, qeveria ka parashikuar si një masë për riintegrimin e tyre në shoqëri sërish arsimin profesional falas, si e vetmja mënyrë për të marrë një zanat dhe për t’i krijuar mundësi vetes që të punësohen si në tregun e brendshëm të punës, ashtu edhe atë europian sipas ligjeve të BE-së. “Padyshim që ne duhet të përpiqemi të gjithë së bashku t’u ofrojmë atyre mikpritje në pikat e kthimit në kufi, shërbime sa më të shpejta, qoftë shëndetësore apo edhe përkujdesit të parë për shërbime falas për t’i çuar pranë familjeve të tyre. Por në strategjinë tonë do vazhdojë të ngelet një nga pikat kryesore riintegrimi i tyre në shoqëri duke iu ofruar arsim profesional, duke iu ofruar një zanat falas dhe duke iu dhënë mundësi që nëpërmjet këtij zanati të bëhen të denjë në radhë të parë për tregun shqiptar të punës dhe më pas, me lehtësirat që ka legjislacioni i vendeve të BE-së, të kenë mundësi që edhe po të ritentojnë të shkojnë në Europë, të shkojnë nëpërmjet një kontrate të rregullt pune dhe si shtetas të përgatitur për një punë të denjë”, – theksoi Klosi në fjalën e tij.
Ai shtoi se është i domosdoshëm hartimi i një strategjie të re apo dokumenti politik mbi riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer, ku të synohet parandalimi i migracionit të parregullt nga vendi dhe i keqpërdorimit të regjimit pa viza në zonën Shengen; kthimi i qëndrueshëm i shqiptarëve përmes ofrimit të mbështetjes për riintegrim; si dhe forcimi i strukturave dhe politikave për menaxhimin e migracionit dhe zbatimin e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke përfshirë dhe sigurimin e të drejtave të njeriut të të gjithë emigrantëve. “Objektivat strategjike duhet të fokusohen në: nxitjen e kanaleve të sigurta dhe të rregullta për migrimin, për të parandaluar migrimin e parregullt; rritjen e qëndrueshmërisë së migracionit të kthimit me mbështetjen e riintegrimit të emigrantëve të kthyer dhe konsolidimin e politikave të migracionit, kuadrit ligjor, strukturave të menaxhimit dhe koordinimit, në mënyrë që të sigurohet përgjigje më e mirë ndaj sfidave të migracionit”, – u shpreh Klosi.
Drejtoresha e Njësisë së Planifikimit Strategjik në Kryeministri, Orjana Arapi, duke folur për Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe masat e parashikuara në lidhje me menaxhimin e migracionit theksoi se riintegrimi i emigrantëve është një çështje shumë e rëndësishme dhe komplekse, e cila përbën një sfidë edhe për të ardhmen për qeverinë. “Kërkohet një qasje e parë në mënyrën sesi këta emigrantë të kthyer duhen trajtuar duke i dhënë një zanat, apo duke nxitur biznesin ose ndërmarrjet private që ata do donin të krijonin. Aktualisht po shikohet edhe mundësia për të krijuar dhe për të zhvilluar banesa sociale në vende, të cilat janë janë periurbane apo zona me zhvillim ekonomik të pafavorizuar, në mënyrë që t’u krijojmë njerëzve kushte sa më të mira strehimi edhe në zonat ku jetojnë, çka do të jetë një stimul më tepër për të mos emigruar në vendet e BE-së. Po shihet mundësia edhe me qeverinë gjermane për të marrë fonde për strehimin social”, – tha Orjana Arapi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.