Bankat kanë qenë në qendër të fatkeqësive ekonomike dhe financiare të Greqisë këtë vit, teksa partia radikale e majtë Syriza fitoi zgjedhjet dhe më pas u përfshi në një luftë të ashpër me kreditorët ndërkombëtarë të vendit. Depozitat u ‘drenazhuan’ nga frika se vendi do të largohet nga euro dhe do t’i kthehet dhrahmisë, duke shkaktuar humbje të mëdha mbi depozituesit, sipas The Economist. Vështirësitë e bankave u shmëfishuan kur Banka Qendrore Europiane (BQE) refuzoi të japë më shumë likuiditet, duke e detyruar qeverinë t’i mbyllë ato për tre javë radhazi gjatë verës dhe të vendosë kontrolle të kapitalit. Në fund, Greqia arriti të sigurojë një paketë të tretë shpëtimi dhe të qëndrojë në euro. Por dëmet që pësuan bankat shfaqen shkatërruese.
Si rezultat, Greqisë i duhej një paketë shpëtimi prej 86 mld euro (94 miliardë dollarë) nga Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM), fondi i shpëtimit të Eurozonës, përfshirë një shifër rezervë prej deri në 25 miliardë euro, ose 14% të PBB-së, për rindërtimin e bankave. Shuma e saktë do të përcaktohej pasi mbikëqyrësit të analizonin regjistrat e tyre. BQE, e cila ka mbikëqyrur drejtpërdrejt bankat e mëdha në Eurozonën për vitin e kaluar, duhej të shqyrtonte katër bankat kryesore greke-Alpha, Eurobank, Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG) dhe Piraeus. Banka Qendrore e Greqisë duhej të rishikonte Attica, një huadhënës më të vogël.
Mbikëqyrësit vlerësuan aktivet e bankave deri në fund të qershorit 2015 për të parë se sa kredi ishin përkeqësuar për shkak të problemeve ekonomike nën qeverisjen e Syriza. Ata gjithashtu vlerësuan elasticitetin e bankave përmes një testi të stresit, që simulonte efektet e një recesioni edhe më të keq në 2015-17 se sa ai që po projektonte tashmë Komisioni Europian. Komisioni parashikoi se PBB-ja do të binte me 2.3% këtë vit dhe 1.3% në vitin 2016 përpara se të rritej me 2.7% në vitin 2017. Sipas ‘skenarit negativ’ të mbikëqyrësve, PBB-ja do të ishte 5.9% më e ulët në 2017 se sa në parashikimin ‘standard’ të komisionit.
Gjetjet e mbikëqyrësve, botuar më 31 tetor, ishin të kthjellëta, por më pak të tmerrshme se sa pritej në verë. Për të ruajtur një raport të kapitalit prej 8% të aktiveve të ponderuara me rrezik në fund të vitit 2017, në bazë të skenarit negativ, bankat e mëdha do të kërkojnë një injeksion prej 14,4 miliardë eurosh, duke filluar nga 2,1 miliardë euro për Eurobank deri në 4,9 mld euro për Piraeus. Attica do të ketë nevojë për një shifër prej 1 miliard eurosh. Kjo do të thotë se shifra totale e nevojshme për ta pozicionuar sistemin bankar në një bazë të shëndoshë është 15,4 miliardë eurosh më tepër se 25 miliardë eurot e supozuara fillimisht.
Për më tepër, thirrja për paratë e shpëtimit nga ESM, që do të vihet në dispozicion për Greqinë nëpërmjet Fondit Helenik të Stabilitetit Financiar (HFSF), duhet të jetë edhe më pak se kaq. BQE pret që burimet private të sigurojnë të paktën 4.4 miliardë euro për katër bankat kryesore – mungesa e kapitalit në kuadër të skenarit bazë. Në fakt, të katër bankat duhet të jenë në gjendje të sigurojnë më shumë se kaq. NBG, për shembull, po planifikon të shesë Finansbank, degën e saj në Turqi, e cila mund të sigurojë rreth 3 miliardë euro. Kjo krahasohet me një mungesë totale për NBG në kuadër të skenarit negative prej 4.6 mld euro.
Për më tepër, çdo ‘rekurs’ në HFSF do të shkaktonte një ‘shpëtim nga brenda’ të disa kreditorëve, që do të thotë se ata do të jenë të detyruar të kontribuojnë në rikapitalizim. Depozituesit do të përjashtohen, por bankat aktualisht kanë rreth 6 miliardë euro aksione preferenciale dhe borxh që mund të ‘shpëtohen nga brenda’, sipas Nondas Nicolaides e Moody’s, një agjenci renditëse e kreditimit. Ky kërcënim ndaj kreditorëve të tillë, të cilët përfshirë zotëruesit e lartë të obligacioneve, do t’u mundësojë bankave të përpiqen për një ujdi të vështirë me ta ndërsa ofrojnë të shkëmbejnë obligacionet për aksione.
Alfa, për shembull, mund të sigurojë rreth 1 miliard euro me anë të një marrëveshje të tillë nga 2.7 mld gjithsej në kapital që ajo ka nevojë për të siguruar.
Investitorët në bankat greke kanë pasur një vit të ‘nxehtë’. Por për aventurierët, është rasti të ‘nisin gjuetinë’. Rreziku politik mund të ketë tronditur llogaritjet financiare në fillim të këtij viti, por ai kërcënon më pak tani. Kryeministri Aleksis Cipras ka mësuar rrugën e vështirë që u duhet kreditorëve të Greqisë për të ‘zotëruar kartat’. Fraksioni i vështirë i majtë i Syriza-s u shfaq përpara zgjedhjeve të dyta, në shtator, dhe z. Tsipras fitoi një mandat të ri në një platformë më të moderuar.
Sa për bankat, ata kanë mëkatuar më shumë përkundër të gjithë mëkatarëve së bashku. Përpara krizës së euros, ato ishin një nga elementet që funksiononin më mirë në ekonominë greke, e cila iu dorëzua keqadministrimit fiskal dhe llogaritjes së gabuar politike.
Në të vërtetë, për bankat mund të jetë më e lehtë të rifitojnë besimin e investitorëve ndërkombëtarë se sa depozituesve të brendshëm, të cilët ka të ngjarë të vijojnë të qëndrojnë të kujdesshëm ndaj tyre derisa të ndihen më të sigurt për të ardhmen afatgjatë të Greqisë brenda Eurozonës.