Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese e ka nisur këtë të mërkurë takimin me diskutimin për çështjen e mbetjeve, një çështje krejt e ndryshme nga ajo që komisioni kishte në axhendën e parashikuar që ishin: Prezantimi i Komisionit për Legjislaturën IX dhe miratimi i programit të punimeve të komisionit për periudhën 18 shtator – 6 tetor 2017.
Ditët e fundit, një deklaratë e bërë nga radhët e mazhorancës për tërheqjen e ligjit dhe rikthimin e debatit me publikun e gjerë ka bërë që të vijnë në seri edhe reagime të ndryshme.
Për deputetin e Partisë Demokratike, Florion Mima, ajo që duhet të bëjë në fakt Parlamenti është rrëzimi i projektligjit të propozuar përmes votimit. Madje sipas Mimës, do të ishte me vend që të merrej parasysh edhe mundësia e referendumit që propozon opozita. Kjo e lë automatikisht vendimmarrjen në dorën e sovranit për të vendosur pro apo kundër importit të mbetjeve.
Por Eduard Shalsi u shpreh se tashmë ligji është tërhequr nga Parlamenti duke i hapur rrugë një procesi tjetër diskutimi më të gjerë. “Thelbi i ligjit është që të pastrojmë Shqipërinë nga mbetjet. E rëndësishme është të zbatojmë politikat e duhura për t’i dhënë fund djegies së plehrave”, nënvizoi Shalsi gjatë mbledhjes së komisionit.
Projektligji që trajton mbetjet ka hapur debat gjatë këtij viti, duke hasur kundërshtim të hapur nga ambientalistë dhe shoqëria civile, ndërkohë që nga ana e mazhorancës së atëhershme dhe tanishme, argumenti ishte se importi do të përfshinte vetëm ato mbetje që ishin pjesë e “listës së gjelbër”.
Në paralelizëm me këtë projekt duket se Shqipëria është përfshirë nga një “virus” inceneratorësh, të cilët kanë ardhur në rritje. Më i fundit me një kompani fituese të koncesionit është ai i Tiranës i bërë publik vetëm pak javë më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.