“Rikthehet” Porti i Karpenit, zbulohen aksionerët shqiptarë, kapitali vetëm 7 euro, për projektin 5 mld euro

10/07/2017 8:50 AM 0 komente
PORTI I KARPENIT

Porti i Karpenit, një nga projektet më të lakuara të vitit të kaluar, me një parashikim investimi prej 5 miliardë dollarësh, në një periudhë 5-10 vjet është rikthyer edhe një herë në vëmendje. Kompania Star Bridge Port Developments Limited që kishte shprehur edhe interes për atë që u quajt projekti “Morgan”, ka vendosur të zyrtarizojë prezencën e saj në Shqipëri dhe kësaj nisme i janë bashkuar edhe aksionerë shqiptarë. Referuar ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton që STAR BRIDGE PORT DEVELOPMENTS (ALBANIA) të jetë regjistruar në prill 2017, si subjekt shqiptar me administrator Michael George Powder-Kent. Ortakë të saj janë me 5% Arjan Stajka, me 35% GL2 Albania, dhe 60% Star Bridge Port Developments Limited.

Si objekt të aktivitetit, kompania ka “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe menaxhim i Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, sipas dispozitave të kontratës që do të lidhet në bazë të Ligjit Nr. 77/2016 i datës 22.7.2013 për “Përcaktimin e procedurave të veçanta për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt, projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Portit të Karpenit, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë “Star Bridge Port Developments Limited”.

Kapitali i kompanisë, sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB është 1000 lekë, apo rreth 7 euro, nga të cilat Star Bridge Port Developments Limited më 600 lekë, GL2 Albania me 350 lekë dhe Arjan Stajka me 50 lekë.

Vitin e kaluar, kur Star Bridge Development Limited dorëzoi projektin për zhvillimin e Portit të Karpenit, ai sipas Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes “ishte një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli dhe Uells dhe i përbërë nga kompani prestigjioze në fushën e projektimit dhe ndërtimit të porteve, arkitekturës dhe konsulencës për projektet e porteve”. Në atë kohë kompania nuk ishte regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Kush janë ortakët

Kompania GL 2 Albania është e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në vitin 2010 dhe operon kryesisht në fushën e konsulencës, projektimit dhe ndërtimit. Disa nga projektet që rezultojnë të njoftuara në faqen e kompanisë janë Qendra Tregtare Toptani, Rikonstruksioni i repartit të djegieve në QSUT, Miniera e Kromit në Bulqizë, Qendra Amerikane e Biznesit. Aksioneri i vetëm i kompanisë është Milton Alexander Blackstock. Nga ana tjetër ortaku, Arjan Stajka rezulton si aksioner i vetëm në kompaninë Viki sh.p.k., që sipas ekstraktit të QKR është regjistruar qysh nga viti 2003. Edhe kjo kompani operon në kryesisht në fushën e ndërtimit.

Projekti

Një vit më parë, qeveria iu përgjigj pozitivisht një interesi të shfaqur nga Star Bridge Development Limited për një projekt porti me vlerë investimi 5 miliardë euro, që shkon më shumë se buxheti vjetor i Shqipërisë. Në atë kohë do të jepej “Ok” për nisjen e negociatave për miratimin e një kontrate finale që do të asistohej nga një konsulent. Procedurat e zgjatura bënë që të mos kontraktohej konsulenti, por gjithsesi duket se investitorët kanë vijuar me zyrtarizimin e tyre subjekt shqiptar.

Që në fillim projekti u pa me skepticizëm, pasi nuk kishte një plan financiar të qartë për mënyrën se si do të financohet projekti. Edhe firmat e mëdha, që u tha se qëndronin pas projektit kanë shprehur vetëm letër interesi, por nuk kanë nënshkruar ndonjë kontratë angazhimi. Nga ana tjetër, një projekt i përmasave të tilla do të kërkonte një infrastrukturë dhe ndërlidhje shumë të mirë rajonale. Sot kjo infrastrukturë mungon dhe ndonëse është në plan të zhvillohet, nuk dihet se kur mund të jetë gati (minimumi, Shqipëria sot nuk ka hekurudhë funksionale), duke e nxjerrë jashtë loje Portin. Një shqetësim i tillë mësohet se është ngritur dhe nga një prej përfaqësuesve të kompanive të mëdha.

Kompania mëmë, Star Bridge Port Developments Limited, në faqen e saj zyrtare të internetit thotë se përgjithësisht ajo zhvillon dhe ka interesa në projekte të mëdha të infrastrukturës që zakonisht përbëhen nga një sërë nën kontraktorësh. Ajo nuk përmend asnjë projekt konkret të zhvilluar, pasi sipas saj këto projekte mbeten konfidenciale në bazë të marrëveshjeve me qeveritë, ose klientët. Ajo thotë se ka aleanca strategjike me dy kompani të njohura, AECOM, dhe Ramboll, që kanë ndërtuar projekte të mëdha si Hamad Port; Colombo South Terminal port; Marina Bay dhe Greater Southern Waterfront; Port Botany; King Abdullah Port; London Gateway; New Doha Port; zgjerimi i Skagen Port; Port of Beirut; LNG terminal, Estonia; London Gateway; Ras Laffan expansion.

Relacioni për procedurën e veçantë të negocimit

“Ndërtimi do të fillojë ndërmjet muajit të 12-16. Faza e ndërtimit do të marrë 5-6 vjet, por porti do të bëhet operacional brenda kësaj periudhe. Projektligji ka të parashikuar edhe ndërtimin e një zone ekonomike. Kjo zonë do të përmbajë ambiente mbështetëse të portit (magazina, terminal etj.), si dhe një zonë industriale, tregtare dhe një zonë rezidenciale pranë kompleksit.

Për vijueshmërinë e operacioneve tregtare dhe industriale projekti parashikon edhe ndërtimin e një centrali të ri për prodhimin e energjisë në Karpen, së bashku me zhvillimin e një zinxhiri furnizimi me energji të shumëllojshme, të tillë si një terminal rigazifikimi me gaz natyror të lëngshëm, për t’i shërbyer nevojave më të gjera të vendit dhe rajonit të Ballkanit. Portit dhe zonës ekonomike që do të ndërtohet u nevojiten afërsisht 120-130 MW. Sipas parashikimeve të projekt-propozimit, sasia e prodhuar e energjisë që tejkalon nevojat e zonës së portit, do të tregtohet brenda vendit ose do të eksportohet në vendet e rajonit, sipas kontratave bilaterale që investitori mund të nënshkruajë me palët e interesuara. Nëse këto kontrata lidhen, prodhimi nga ky central do të rritet afërsisht në 1200 MW, çka do të sjellë kërkesën e një terminali rigazifikimi LNG. Propozimi aktual për ndërtimin e ambienteve mbështetëse të portit dhe zonës rezidenciale është parashikuar të këtë një shtrirje prej 750 hektarësh, me parashikim për t’u zgjeruar me 450 ha brenda 12 muajve, si dhe 500 ha shtesë brenda 5 vjetëve. Në total, parashikohet që zona të shtrihet në 1700 ha. Projekti parashikon disa alternativa për ristrehimin dhe shpërblimin e pronarëve të tokave ku do të realizohet zona ekonomike. Sipas propozimit, në zonën ekonomike janë regjistruar një total prej 220 strukturash (banesa, ndërtesa të braktisura, ferma, një stacion karburanti i braktisur dhe disa cisterna karburanti).

 

PORTI I KARPENIT

 

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz