Sektori i ndërtimit kontribuoi me 45% të rritjes ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2017, duke rikthyer timonin e modelit ekonomik drejt tij.
Bizneset e mëdha nga tregtia dhe industria, të zhgënjyer nga mungesa e alternativave për investime, po orientojnë fondet e lira në sektorin e ndërtimit.
Ekspertët e bankave lajmërojnë për rrezik në sektorin e ndërtesave komerciale dhe atyre të luksit, teksa analistët e ekonomisë hedhin alarmin se, kursimet e shqiptarëve duhet të orientohen drejt sektorëve me produktivitet afatgjatë. Banka e Shqipërisë lajmëron flluskën
Blerina Hoxha
Sektori i ndërtimit po shndërrohet sërish në motorin e rritjes ekonomike të vendit, pas eksperimenteve gati dëshpëruese dhe pa rezultat të bizneseve shqiptare për t’u diversifikuar në linjat prodhuese si bujqësia dhe industria. Taksat e larta, kostot në rritje për shkak të mungesës së ekonomisë së shkallës dhe nënçmimit të euros në tregun vendas, i kanë demotivuar investimet me bazë eksporti dy vitet e fundit, duke i bërë ato jo konkurruese me importet. Mungesa e alternativave për investime dhe rritja e likuiditeteve prej prurjeve të turizmit, remitancave, por edhe ekonomisë informale i kanë nxitur edhe një herë vrullshëm investimet në ndërtim, sidomos banesa. Numri i lejeve të ndërtimit në 6-mujorin e parë të 2017-s shënoi një rritje vjetore me 82%, teksa kredia e re për ndërtimin u rrit me 46%, por vlera e dhënë mbetet e njëjtë si në vitin 2012 kur ishin dhënë vetëm 33 leje.
Në 3-mujorin e dytë të vitit, ekonomia e vendit u shtua me 4.06% dhe gati gjysma e kontributit erdhi nga sektori i ndërtimit (1.84%). Teksa modeli ekonomik e ka kthyer timonin nga ndërtimi, ekspertët e ekonomisë dhe analistët e bankave lajmërojnë rreziqe sidomos për produktivitetin e ulët që ato kanë në ekonomi. Nuk ka kaluar as një dekadë që kur stabilishmenti i ekspertëve të ekonomisë nisi një debat të cilin e udhëhoqi në atë kohë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, se Shqipëria duhet të ndryshonte modelin ekonomik nga ndërtimi dhe konsumi drejt sektorëve më produktivë. Mirëpo diskutimet për modelin nuk morën vëmendjen e qeverive shqiptare, cilat nuk i dhanë një prioritet të qartë zhvillimit të ekonomisë shqiptare, duke e lënë biznesin të orientohet kuturu.
Selami Xhepa, ekspert i politikave ekonomike, është i sigurt se riorientimi i modelit ekonomik drejt sektorit të ndërtimit është me rrezik. “Unë jam i sigurt se këto investime janë pranë greminës, por nuk jam i sigurt se sa larg jemi”. Xhepa thotë se ekonomia e vendit ka hyrë në një fazë ku kursimet e shqiptarëve po krijohen në mënyrë të limituar, ndaj mënyrat për investimin e tyre duhen studiuar me shumë kujdes. Ai thotë se, në të vërtetë, ndërtimi në periudhë afatshkurtër ka kthim të shpejtë të investimit dhe fitim të lartë, por në periudhë afatgjatë këto investime nuk janë produktive, d.m.th nuk gjenerojnë punësim dhe të ardhura. Ai thotë se politikat qeveritare duhet të orientojnë fondet e biznesit drejt projekteve fizibël, sidomos në teknologji dhe në kualifikimin e forcës së punës.
Ekspertët e sektorit bankar shohin fizibël projektet në ndërtimin e banesave për rezidentët në Tiranë dhe investimet për në hoteleri në sektorin e turizmit. Ardian Petollari, drejtor ekzekutiv i Divizionit të Biznesit në Union Bank thotë se, investimet në objekte komerciale dhe banesat e luksit nuk vlerësohen të leverdishme.
Paralajmërimi-Xhepa
“Unë jam i sigurt se këto investime janë pranë greminës, por nuk jam i sigurt se sa larg jemi”. Selami Xhepa thotë se ekonomia e vendit ka hyrë në një fazë ku kursimet e shqiptarëve po krijohen në mënyrë të limituar, ndaj mënyrat për investimin e tyre duhen studiuar me shumë kujdes. Ai thotë se, në të vërtetë, ndërtimi në periudhë afatshkurtër ka kthim të shpejtë të investimit dhe fitim të lartë, por në periudhë afatgjatë këto investime nuk janë produktive, d.m.th nuk gjenerojnë punësim dhe të ardhura
Por kompanitë e ndërtimit, sidomos të përqendruara në sektorin rezidencial në Tiranë, pohojnë se kërkesa për banesa ekonomike dhe për shtresën e mesme në Tiranë, është në rritje. Fatmir Bektashi, presidenti i kompanisë Kontakt sh.p.k., ndër më të mëdhatë në sektorin e banesave në Tiranë, është optimist edhe pse projeksionet demografike nuk e tregojnë këtë. Bektashi pohon se shtresa e mesme në Tiranë ka rritur kërkesën për banesa cilësore të konceptuara me ambiente sociale dhe funksionale. Ky trend po rritet gjithnjë e më shumë edhe nga kërkesa që shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe emigrantët jashtë vendit kanë për banesa në Tiranë.
Ai tha se Tirana është kryeqyteti i 10 milionë shqiptarëve në rajon dhe gjithmonë do të ketë një popullsi në rritje të qëndrueshme edhe për 20 vitet në vijim. Më tej, Bektashi pohoi se blerjet po financohen nga kursimet e punonjësve të administratës dhe atyre që punojnë në privat, të mbështetur edhe nga kreditë bankare. Gjithashtu me rënien e interesave të kursimeve në banka dhe mundësitë e kufizuara për investime, Bektashi tha se shumë shqiptarë po blejnë një shtëpi të dytë për investim.
Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, i sheh me optimizëm zhvillimet në sektor. Sipas tij, Tirana shtohet me rreth 23 mijë persona në vit dhe kjo do të mbajë lart kërkesën për banesa, teksa sheh një perspektivë të mirë për zgjerimin e investimeve në sektorin e hotelerisë dhe në infrastrukturën publike me aplikimin e Partneritetit Publik Privat në ndërtimin e disa akseve të rëndësishme në rrugët nacionale. Të dhënat e INSTAT tregojnë se më 1 janar 2017, popullsia në Tiranë u rrit me 19 mijë persona, duke arritur në rreth 862 mijë persona, ose rreth 30% e popullsisë së vendit. Në krahasim me vitin 2011, popullsia në Qarkun e Tiranës është rritur me rreth 44%.
Zhvendosja e bizneseve
Përveç bizneseve tradicionale, shumë biznesmenë nga sektorë të tjerë të ekonomisë janë duke u zhvendosur në ndërtim. Kompania Kastrati, e cila kryeson top-listën e kompanive më të mëdha në vend në tregtinë me shumicë dhe pakicë të karburanteve, po zhvendoset në sektorin e ndërtimit. Vitin e kaluar, Kastrati Group ishte bashkinvestitor në një kompleks banesash “Rezidenca Turdiu” në zonën e Laprakës, teksa gjithashtu është bashkinvestitor në Down Town Albania, një kullë 35 kate, 138 metër të gjatë në afërsi të Rrugës së Elbasanit. Sipas deklarimeve në bilance, norma e fitimit në biznesin e tregtisë së karburanteve shkon 0.5 – 2%, më e ulëta në të gjithë sektorët, teksa në ndërtim, sipas regjistrit statistikor, norma e fitimit në sektorin e ndërtimit i kaloi 10%.
Gjithashtu biznese të tjera nga industria e përpunimit janë duke shkuar drejt ndërtimit. Rritja e taksave dhe çmimit të energjisë i ka bërë produktet shqiptare më pak konkurruese dhe ka ulur fitimet e kompanive. Adi Haxhiymeri, administrator i fabrikës së miellit “Bloja” tha se xhiroja e aktivitetit ra vitin e kaluar me mbi 60%, për shkak të konkurrencës së importit. Tashmë ai po mendon të zhvendoset në sektorin e ndërtimit dhe duke u aktivizuar edhe me investime jashtë vendit. Haxhiymeri thotë se përvoja ka treguar se investimet në sektorin e industrisë përpunuese nuk po rezultojnë fizibël, teksa bujqësia nuk e siguron funksionimin e zinxhirit të vlerës për shkak të copëzimit të lartë dhe problemeve me pronësinë.
Biznese të tjera që po nisin aktivitetin rishtas po kthehen në ndërtim. Rritja e taksave në vitin 2014, rritja e çmimeve të naftës, solarit dhe gazit, rritja e taksave dhe tarifave vendore i kanë bërë disa prodhime vendase tërësisht jokonkurruese me importin.
Bizneset i largohen përpunimit
Adi Haxhiymeri, administrator i fabrikës së miellit “Bloja” tha se xhiroja e aktivitetit ra vitin e kaluar me mbi 60%, për shkak të konkurrencës së importit. Tashmë ai po mendon të zhvendoset në sektorin e ndërtimit dhe duke u aktivizuar edhe me investime jashtë vendit. Haxhiymeri thotë se përvoja ka treguar se investimet në sektorin e industrisë përpunuese nuk po rezultojnë fizibël, teksa bujqësia nuk e siguron funksionimin e zinxhirit të vlerës për shkak të copëzimit të lartë dhe problemeve me pronësinë.
Ndërtimi kontribuoi në 45% të vlerës së shtuar bruto në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ekonomia u rrit me 4.06% në tremujorin e dytë të vitit, teksa 1.84 pikë përqindje i dedikohet sektorit të ndërtimit. Kjo peshë e ndërtimit në rritjen ekonomike ishte më e larta që nga viti 2011.
Banka e Shqipërisë analizoi se nga ana e prodhimit, zgjerimi i rritjes reale të ekonomisë u mbështet kryesisht nga aktiviteti ndërtues dhe ai i shërbimeve, ku kontributin kryesor e dha sektori i ndërtimit. Ky sektor e ka zgjeruar ndjeshëm peshën në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë, duke e çuar në mbi 1.8% nga 1% që ishte në tremujorin e parë 2017.
Nga të dhënat e INSTAT shihet se pesha e sektorit të bujqësisë u reduktua ndjeshëm në tremujorin e parë, duke kontribuar vetëm 0.16 pikë përqindje në rritje nga 0,27 pikë përqindje në tremujorin e parë të vitit. Gjithashtu, sektorët e tjerë të ekonomisë kanë pasur ecuri të ngjashme.
Banka e Shqipërisë thotë se zhvillimet e sektorit u ndikuan kryesisht nga realizimi i punimeve inxhinierike dhe kategoria e ndërtimeve të reja. Rritja e treguesve paraprijës të numrit dhe vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit, u ndikua kryesisht nga kategoria e ndërtesave për qëllime banimi.
Vazhdimi i projektit për ndërtimin e Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe rritja e flukseve hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte vlerësohet të kenë pasur efekt pozitiv në performancën e sektorit ndërtues. Banka është optimiste se rritja e numrit të miratuar të lejeve të ndërtimit sinjalizojnë për vijim të tendencës pozitive të sektorit të ndërtimit edhe në vijim të këtij viti. Treguesi i besimit dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në ndërtim sugjerojnë se performanca e sektorit ndërtues qëndron në kahun rritës.
Brenda sektorit të ndërtimit, rritja është ndarë ndërmjet investimeve në infrastrukturën e gazsjellësit TAP dhe HEC-eve mbi lumin Devoll dhe investimeve në bregdet dhe banesave në Tiranë. Dy projektet e mëdha të investimeve këtë vit janë në kulmin e tyre dhe efekti në ekonomi vjen e zbehet vitin tjetër. Duke marrë në konsideratë këto zhvillime, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka ulur pritshmëritë për rritjen e ekonomisë shqiptare më 2018 me 0.4 pikë përqindje. Futja në fazën përmbyllëse të punimeve në këto projekte do të krijojë një hendek në investimet e huaja dhe në rritjen ekonomike të vendit ndaj organizatat financiare ndërkombëtare, të tilla si FMN dhe Banka Botërore, i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të gjejnë alternativa të reja investimesh. Rritja nga ndërtimi është e përkohshme dhe efektet në punësim përfundojnë shpejt.
Mungojnë alternativat, interesant turizmi
Pas krizës së vitit 2008, mundësitë për të azhurnuar fondet e lira në ekonomi janë kufizuar. Mungesa e financimeve nga bankat, maturimi i sektorit të ndërtimit dhe rënia e konsumit e zhvendosi vëmendjen e bizneseve për investime pas vitit 2012 drejt fermave me kafshë dhe sera. Mirëpo kostot për shkak të mungesës së zinxhirit mbështetës dhe copëzimi i lartë i tokës bujqësore, i ka bërë shumë shpejt këto investime jo fizibël. Importi i bazës ushqimore në bujqësi me gati 80% i ka zhgënjyer shumë shpejt ndërtuesit shqiptarë që u sulën drejt fermave.
Nga ana tjetër, Shqipëria ka ende shumë burime natyrore të pashfrytëzuara dhe sektorë të pamaturuar që paraqesin mundësi. Por llogaritë e momentit nuk është se japin shumë alternativa për fitime. Eksperti Xhepa thotë se, qeveria duhet të marrë situatën në dorë. Fillimisht duhet të përcaktohen prioritetet dhe të aplikohen politikat lehtësuese që nxisin kapitalin njerëzor dhe investimet në sektorë me produktivitet të qëndrueshëm. Xhepa këshillon që orientimet e investimeve të bëhen nga teknologjia si një kërkesë e kohës dhe së ardhmes.
Ardian Petollari, drejtor ekzekutiv i Divizionit të Biznesit në Union Bank tha se, modeli ekonomik duhet të orientohet në projekte fizibël dhe produktivitet afatgjatë. Sipas tij, bankat janë gati të kreditojnë këto projekte. Ai tha se momentalisht janë me leverdi dhe ka një orientim edhe të bizneseve dhe kredive bankare në financimin e hoteleve me katër dhe pesë yje në bregdet. Vitet e fundit, numri i të huajve që vizitojnë vendin tonë është rritur në mënyrë të qëndrueshme, ndaj kërkesa për akomodim do të jetë në rritje edhe në vijim.
Arben Dervishi nga Shoqata e Ndërtuesve, pohon se Shqipëria është ende një vend me mangësi të shumta infrastrukturore, ndaj dhe hapësirat brenda sektorit të ndërtimit janë të mëdha.
Turizmi me perspektivë
Ka një orientim edhe të bizneseve dhe kredive bankare në financimin e hoteleve me katër dhe pesë yje në bregdet. Vitet e fundit, numri i të huajve që vizitojnë vendin tonë është rritur në mënyrë të qëndrueshme, ndaj kërkesa për akomodim do të jetë në rritje edhe në vijim.
Teksa sektori i ndërtimit po rikthehet në territorin e rritjes, në ndryshim me periudhën para 2018 nuk po financohet nga kredia bankare. Në rast të shfryrjes së çmimeve nga mbioferta për banesa, bankat janë të mbrojtura pasi nuk janë financuesit kryesorë të sektorit, por individët që kanë investuar në pasuri të paluajtshme janë të ekspozuar ndaj rënies së vlerës.
Në fund të gjashtëmujorit të parë 2017, teprica e kredisë për ndërtim nuk ka shënuar ndryshime të rëndësishme kundrejt dhjetorit 2016, por ra me 1.6% ndaj një viti më parë, duke bërë që pesha e saj të ulet në nivelin e 13.6% të tepricës së kredisë së bizneseve, dukshëm poshtë nivelit prej rreth 20% të regjistruar gjatë harkut kohor 2007 – 2011.
Stoku i kredisë për ndërtimin është me rënie për shkak të fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave, por kredia e re për sektorin ka shënuar rritje vjetore me 45% në janar-gusht 2017. Kredia e re për sektorin e ndërtimit ishte 17.3 miliardë lekë gjatë 8-mujorit 2017, nga 9.3 miliardë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga ana tjetër, lejet për ndërtimin janë rritur me ritme më të larta. Duke bërë një krahasim të lejeve të ndërtimit me kredinë e re për ekonominë shihet se në vitin 2012, ishin dhënë vetëm 33 leje, teksa kredia e re ishte 17 miliardë lekë. Këtë vit, lejet e dhëna për 6-mujorin ishin 268 dhe kredia e re ishte po 17 miliardë lekë.
Kjo praktikë po shkon përkundër zhvillimeve të parakrizës së vitit 2008, kur sektori financohej nga kredia. Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se në vitet 2005-2008, kredia në sektorin e biznesit për ndërtimin shënoi rritje vjetore më shumë se 50% në vit. Pikërisht nga kreditimi i lartë që pësoi sektori i ndërtimit, rënia e mëvonshme krijoi problematikë në banka, pasi pjesa më e madhe e kredisë së keqe ishte pikërisht nga kompanitë e ndërtimit.
Lidhur me sektorët kryesorë të ekonomisë, sektori i ndërtimit ka shënuar ritmin më të shpejtë të rritjes së kredive me probleme, duke arritur në 29.6% në qershor të vitit 2012, nga 7.6% në fund të vitit 2008. Gjatë vitit të kaluar, 455 leje për të ndërtuar u dhanë në të gjithë vendin, me një rritje 167% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në 6-mujorin parë të 2017-s ritmi ka qenë i lartë.
Petollari nga Union Bank thotë se bankat tani janë më skeptike me financimin e projekteve në ndërtim. Ai shpjegoi se ka një interes të shtuar për sektorin e ndërtimit. Në këndvështrimin e bankierit, ka leverdi në investimet në hoteleri dhe ndërtesat rezidenciale në periferi dhe më pak të leverdishme ndërtimet komerciale.
Sipas tij, bankat në këtë cikël të ri të sektorit janë më të mbrojtura pasi, kreditë janë duke u dhënë në bazë të historikut të të kompanive. Para vitit 2008, kompanitë e ndërtimit kreditoheshin po të kishin qoftë edhe vetëm një NIPT në Tatime, por kjo nuk ndodh më. Kredia jepet duke marrë në konsideratë historikun e kompanisë. Ai tha se tashmë, kompanitë e ndërtimit janë më të strukturuara në kërkesat e tyre dhe kanë projekte më të plota. Si në bregdet, ashtu edhe në Tiranë, ku projektet janë të përqendruara në blloqe të mëdha dhe nga kompani të konsoliduara tashmë.
————————
Financimi nga ekonomia informale, si funksionon skema
Tre vitet e fundit është rritur dukshëm numri i pasurive të paluajtshme që po financohen nga burime të panjohura. Vetëm gjatë viteve 2015-2016 janë mbi 700 blerje në banesa e toka, të cilat e kanë të panjohur burimin e financimit sipas të dhënave nga Drejtoria e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave (DPPP). Sipas të dhënave, rastet janë shtuar dukshëm, duke marrë në konsideratë se në vitin 2013 ishin evidentuar vetëm 29 blerje pasurish me burime të panjohura. DPPP sqaron se zakonisht rastet raportohen se kanë marrë financime në formën e huave jobankare, por burimi i tyre është i dyshimtë. Rastet janë referuar në Prokurori. Statistikat në Shqipëri kanë të dhëna të vakëta në lidhje me zbulimin e korrupsionit nëpërmjet hetimit të pasurisë, teksa kjo praktikë në vendet e zhvilluara është elementi kryesor që çon në zbulimin e burimeve të paligjshme të financimit të ekonomisë.
Burimet nga Banka e Shqipërisë pohojnë se sektori i ndërtimit nuk po financohet me kredi bankare. Në këndvështrimin e sektorit bankar, kjo mund të shihet edhe si një zhvillim pozitiv, pasi flluska që mund të përfshijë sektorin nuk do të prekë bankat. Sektori i ndërtimit, bashkë me biznesin e lojërave të fatit, historikisht janë etiketuar si lavatriçja e pastrimit të parave të pista. Ndërtimi shihet si sektori me kthimin më të shpejtë të investimit dhe një metode shumë efikase për pastrimin e parë. Ndërtuesit me përvojë e shpjegojnë skemën në këtë mënyrë. Poseduesit e parave të paligjshme bëhen bashkaksionerë me ndërtues që kanë përvojë në sektor, por nuk kanë likuiditete të mjaftueshme. Në këtë mënyrë, ata investojnë dhe pastrojnë paratë e pista në të njëjtën kohë. Në vitin 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ka gjetur 143 blerje të mëdha në cash. Rastet e gjetura shënuan rritje me 36% në krahasim me një vit më parë. Numri i transaksioneve cash në valutë është rritur, por gjithashtu edhe vlera e tyre. DPP ka referuar se rastet e këmbimit me vlera të mëdha janë rritur. Në vitin 2016 u evidentuan 16 raste këmbimi me vlera të mëdha valute, teksa në vitin 2013, nuk ishte gjetur asnjë rast i tillë. Gjatë 2015-2016 janë hapur 72 zyra të reja të këmbimit valutor. Ky ishte një ritëm jo i zakontë rritjeje në krahasim me periudhën 2009-2013.
————————
BSH lajmëron flluskën
Në Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017, Banka e Shqipërisë e vlerësoi tregun e banesave me vlerën më të lartë të rrezikut për gjendjen financiare të individëve.
Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, Banka e Shqipërisë raportoi se në fund të qershorit 2017, në krahasim me një vit më parë, është vërejtur një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme kundrejt trendit të saj afatgjatë. Kjo, sipas ekspertëve të bankës nënkupton që “pasuria” e individëve është disi më e ulët, dhe kjo vlerësohet si rrezik i shtuar në metodologjinë që përdor banka për të matur gjendjen financiare të individëve. Nga ana tjetër, edhe pritshmëritë e individëve për 12 muajt e ardhshëm (për çmimet, punësimin) dhe sipas vrojtimit përkatës të konsumatorit, kanë qenë disi më të ulëta. “Të dy këta faktorë, nuk kanë qenë në përmasa të tilla sa të ndryshojnë klasifikimin e përgjithshëm të rrezikut si “i moderuar”, por kanë ndikuar në rritjen e tij brenda kategorisë”, vlerëson BSH. Në deklaratën e stabilitetit, tregu i banesave për individët mori notën më të lartë të rrezikut në krahasim me një vit më parë.
————————
Kullat dhe qendrat tregtare, investime të rrezikshme
Sipërfaqja e qendrave tregtare në Tiranë i ka kaluar 200 mijë metra katrorë, duke konkurruar denjësisht me vendet e zhvilluara, por kjo nuk po e pengon planifikimin e qendrave të reja, që pritet të ndërtohen në pothuajse të gjitha kullat e reja. Me një treg shitjesh prej vetëm 300 milionë eurosh, sipërmarrësit paralajmërojnë se Tirana nuk mban më dhe çdo biznes i radhës mund të jetë një gabim. Samir Mane, CEO i grupit më të madh në vend, Balfin, njihet si pionier i qendrave tregtare në vend. Kur u hap Qendra Tregtare Univers (QTU) në vitin 2005, ky model i tregtimit me pakicë ishte i panjohur për shumëkënd, që nuk e kishte parë, sa të përhapura ishin ato në vendet e zhvilluara. 12 vjet më pas, gjithçka ka ndryshuar me ritme të shpejta. Sipërfaqja e qendrave tregtare vetëm në zonën e Tiranës ka arritur në 203 mijë m², sipas Colliers International, një agjenci ndërkombëtare real estate, për një popullsi prej 860 mijë banorësh. Me një mesatare prej 235 m² për 1000 banorë, Shqipëria ua kalon edhe vendeve perëndimore, si Italia, Gjermania, Franca, Spanja. Sot, Mane është i prerë kur thotë se nuk ka më tepër hapësirë për qendra të tjera. Totali për volumin e shitjeve për qendrat tregtare vlerësohet 300 milionë euro në vit. “Nëse hapet një tjetër, fuqia blerëse po aq është dhe rreziku qëndron që rritja e numrit të tyre të sjellë mbingarkim”. Orientimin drejt qendrave të reja, Mane e quan gabim të investitorëve “Unë po të isha nuk do të investoja, të paktën për disa vite”. Ai pohon se do të ketë nevojë, por ecuria e qendrave është paralel me informalitetin. Me uljen e informalitetit, mund të ketë rritje të qendrave. Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë leje zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DownTown Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina pritet të ndërtohet atje ku janë sot lodrat “7 xhuxhat” dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi. Një tjetër leje zhvillimi u dha për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.
Plani i ri rregullues i kryeqytetit nuk i specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit. Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj, i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor investment LLC”, kurse projekti “Kulla ikonike e Tiranës”. Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruar blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, pohon Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.