Ideja e përfshirjes edhe të biznesit të vogël në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, nuk është e re. Rreth dy vjet më parë, e njëjta forcë politike, atëherë në mandatin e saj të parë qeverisës, u përpoq të niste një proces të tillë, por u tërhoq. Aktorët kryesorë të kësaj nisme thanë se administrimi fiskal i këtij procesi ishte i vështirë. Në zinxhirin e TVSH do të përfshiheshin dhjetëra mijë biznese dhe për të përballuar fluksin kërkohet angazhim i madh i personelit. Nga ana tjetër, aktorët kryesorë në vendimmarrje, vërejtën se për biznesin e vogël, mbajtja dhe referimi i faturave me TVSH do të sillte disa kosto shtesë. Sot, numri i këtyre bizneseve që ndodhën jashtë skemës së TVSH-së është rreth 80 mijë.
Rivendosja e luftës ndaj informalitetit, si një prioritet i ri i qeverisë, është një nismë për t’u vlerësuar, pasi ende sot, Shqipëria është vendi me shkallën më të lartë të informalitetit në rajon, dhe ka një ekonomi që punon në të zezë e që shpeshherë dikton edhe ekonominë informale. Nga ana tjetër, TVSH është taksë e cila lindi si nevojë që përmes saj të vëzhgohet i plotë, nga fillimi në fund, zinxhiri i shitjes së mallrave dhe shërbimeve, duke qenë mjeti më i fortë dhe efikas ndaj evazionit.
Ndaj përfshirja e biznesit të vogël në TVSH është një punë e mirë, por nuk mjafton. Ajo duhet shoqëruar edhe me veprime të tjera. Së pari, suksesi do të varet nga cilësia profesionale e administratës fiskale. Ende sot, kjo cilësi vlen për të dëshiruar dhe që në raportet ndërkombëtare, edhe fisku, sikundër e gjithë administrata publike, vlerësohet me risk të lartë korrupsioni.
Gjithashtu bizneset kanë nevojë për kohë dhe informacion për të përtypur këtë nismë të re dhe për t’u bërë gati. Koha deri në janar të vitit të ardhshëm, mund të rezultojë e pakët.
Nga ana tjetër, më shumë se disa teknikalitete, masa më e madhe e problemit me informalitetin në ekonomi nuk qëndron se biznesi i vogël është i përjashtuar nga skema, por edhe nga mospërfshirja në të e të gjithë sektorëve, nga faturimi nën çmim etj.. P.sh., bujqësia është sektori që prodhon lëndë të parë për agroindustrinë dhe ofron produkte bazë të konsumit familjar, por përpjekjet për formalizimin e saj pothuajse kanë dështuar. A do të ketë vullnet politik për të futur edhe bujqësinë në sistem? Ekspertët vlerësojnë se lufta për formalizimin nis nga maja dhe jo nga baza. Dhe, kanë të drejtë, pasi sot biznesi i vogël zë nën 1 për qind të PBB-së dhe ka vetëm 20 për qind të xhiros së ekonomisë, por ama jep mbi 40 për qind të vendeve të punës.
Ndërkohë asgjë nuk jep sukses nëse mjedisi ekonomik nuk është favorizues. Në vitin 2008, edhe pse taksat u ulën (taksa e sheshtë 10 për qind) mbledhja e TVSH-së kundrejt PBB-së kapi 10 për qind, rezultati më i lartë. Kjo ndodhi sepse tek tregjet dhe biznesi kishte entuziazëm dhe besim, duke rritur vetëdeklarimet.
Çdo përpjekje, për të mundur informalitetin është jo vetëm e drejtë por edhe e dobishme, por ajo nuk mund të vijë vetëm, por duhet të jetë pjesë e një sistemi të tërë të qëndrueshëm, që garanton barazinë, drejtësinë dhe mirëqenien për të gjithë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.