Me një ekonomi, që të paktën deri në 2015-n pritet të ketë një rritje minimale prej vetëm 2% dhe me një buxhet me të ardhura në tendencë rënëse, realizimi i premtimeve për ulje taksash, rritje punësimi e reduktim të borxhit publik, do të jenë sfida më e madhe e qeverisë së re.
Kriza e borxheve, që ndikoi negativisht në rritjen ekonomike e punësim dhe detyroi shumë qeveri, që të ndërmerrnin një paketë të paprecedentë masash të rrepta, çoi në një sërë votash proteste anembanë Europës, që kanë rrëzuar pothuajse të gjitha qeveritë që ishin në pushtet pas vitit 2008. Më tipikja ishte vota e papritur italiane për komedianin Beppe Grillo, që turbulloi ujërat italiane, pasi asnjë grup nuk mori mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur i vetëm.
Qeveria e djathtë shqiptare, që fitoi mandatin e dytë radhazi në 2009-n, kur kriza sapo kishte nisur, ndonëse i rezistoi presionit të institucioneve ndërkombëtare për masa të rrepta e rritje taksash – përkundrazi ndoqi një politikë zgjeruese fiskale, duke e rritur borxhin mbi limitet e 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto – nuk arriti që t’i shpëtonte “ndëshkimit”. Deri në momentin që Monitor shkoi në shtyp (të hënën pasdite), koalicioni i majtë, i udhëhequr nga Partia Socialiste dhe Edi Rama, kryesonte bindshëm, teksa ishin numëruar rreth 1/3 e kutive në të gjithë vendin, duke shkuar drejt një shumicë cilësore, me rreth 80 vende në parlament.
Me ritmet e rritjes ekonomike, që ranë në 2012-n, në nivelin më të fundit të dekadës në vetëm 1.6%, tkurrjen e konsumit, bizneset që ndodheshin në krizë likuiditeti, apo shpesh dhe prag mbijetese, shtimin e vështirësive për të gjetur një punë, kjo ishte mbi të gjitha një votë e qartë kundër krizës, që ka mbërthyer ekonominë shqiptare, një votë e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Taksat, nga e sheshta sërish te progresivja
Reforma më e madhe e qeverisë së djathtë ishte zbatimi i taksës së sheshtë për të ardhurat në nivelin prej 10%, ulja e tatim fitimit po në 10% dhe reduktimi me pesë pikë përqindje i kontributit të sigurimeve që paguhet nga punëdhënësi në 16.7%. Ndërsa taksa e sheshtë favorizoi ata që kishin të ardhura relativisht të larta, ndryshimet e tjera shënjestruan bizneset e mëdha në vend dhe hynë në fuqi në periudhën 2008-2009. Për bizneset e vogla u përgjysmua taksa fikse, ndërkohë që u fut në zbatim skema e tatimit mbi të ardhurat prej 10% (për bizneset e vogla), që përgjithësisht ka rezultuar një taksë fiktive.
Ndryshe nga e djathta, platforma e majtë e taksave në fushatën parazgjedhore iu adresua bizneseve të vogla, që sipas statistikave të INSTAT zënë mbi 80% të totalit të bizneseve (apo gati 90 mijë në numër) dhe individëve të punësuar me të ardhura relativisht të ulëta, duke shënjestruar në këtë mënyrë pjesën më të brishtë të popullatën, por edhe atë më masiven.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, ka pohuar se do të rikthehet taksa e përshkallëzuar për të ardhurat personale dhe dividendin, ku ata që fitojnë më shumë do të kenë një normë më të lartë taksimi. Për biznesin e vogël, reklamat e të majtës premtonin që ta bënin zero këtë taksë (taksa 1.5% mbi xhiron e biznesit të vogël).
Në thelb, premtimi për uljen e taksave 95 për qind të shqiptarëve ka shoqëruar fushatën e socialistëve.
Lidhur me tatim fitimin për kompanitë e mëdha, Rama ka thënë se fillimisht ai nuk do të ndryshohet, pra do të mbahet 10%. Megjithatë, ai ka lënë të nënkuptohet se tatim fitimi prej 10% mund të ndryshojë, por kjo do të bëhet vetëm pasi kjo çështje të diskutohet me biznesin, duke nënkuptuar rritje të këtij tatimi, por të shoqëruar me reduktim të barrierave administrative, që në rezultante do të sjellin një tatim fitimi më të ulët sesa bizneset paguajnë sot. Sipas tij, bizneset sot paguajnë realisht 22% tatim fitimi, duke përfshirë ryshfetet, pagesat për administratën, korrupsionin etj.
E majta ka premtuar dhe ulje apo heqje të TVSH-së, taksës së sjell të ardhurat kryesore në buxhet, për produktet jetike dhe ato që nxisin investimet, konkretisht: Heqjen e TVSH-së për importin e makinerive dhe lëndëve të para në bujqësi dhe blegtori; 10% TVSH për turizmin; 6% TVSH për faturat e energjisë. Një tjetër premtim është heqja e akcizës për karburantin e bujqësisë.
Nuk ka pasur deklarata të sakta lidhur me efektet në buxhet të këtyre lëvizjeve dhe as publikime pritshmërish se në çfarë niveli ndaj PBB-së pritet të shkojnë të ardhurat, nga rreth 25% që janë aktualisht.
Gjithsesi, koalicioni i majtë do të gjejë një buxhet me tendencë rënëse kur të vijë në pushtet, që do të bëjë të vështirë, të paktën në afatin e shkurtër, shkurtimin e taksave dhe uljen e borxhit publik (një tjetër premtim ky i të majtës). Për periudhën janar-maj 2013, në total, të ardhurat nga tatimet e doganat kanë rënë me 3%, apo 2.8 miliardë lekë në vlerë absolute, në raport të të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë të ardhurat nga TVSH, që është taksa që mban peshën kryesore në buxhet (rreth 50% të të ardhurave nga tatimet e doganat dhe rreth 32% të totalit të të ardhurave buxhetore), ranë me 2.4 miliardë lekë në vlerë absolute (duke ndikuar në 85% të të ardhurave tatimore e doganore), apo me 5.4%, duke shënuar tkurrjen më negative të viteve të fundit.
Rritja e të ardhurave në buxhet mbetet një mision i vështirë, të paktën këtë vit, mes shkrehjes së administratës aktuale dhe ardhjes së drejtimit të ri në shtator. Situata e vështirë ekonomike e bizneseve është një tjetër pengesë në këtë mision.
Punësimi, 300 mijë në katër vjet
Ndërsa reforma e taksave është lehtësisht e zbatueshme, përmes masave administrative, premtimi më i vështirë mbetet ai i gjenerimit të vendeve të reja të punës. Kreu i PS-së, Rama ka pohuar se baza e punësimit do të jenë bujqësia, agroindustria, industria e lehtë dhe turizmi. PS ka përllogaritur se përmes nxitjes së këtyre sektorëve me lehtësim taksash, subvencione e përmirësim infrastrukture, të punësojë rreth 300 mijë vetë gjatë viteve të ardhshme, të ndara si vijon: 150 mijë në sektorin bujqësor; rreth 62 mijë përmes kushtëzimit të ndihmës ekonomike me punë komunitare; 52 mijë vende pune në “aktivitete prodhuese”; 15 mijë vende pune “në industrinë në lidhje me detin”; 4 mijë vende të reja pune në industrinë e teknologjisë së informacionit. E majta ka premtuar financim 120 milionë usd në katër vjet nga buxheti i shtetit;
Një risi e programit të punësimit është fokusimi në industrinë e detit, që sipas Ramës është një potencial fare i pashfrytëzuar.
Për bujqësinë është premtuar përmirësim institucional në shërbimet shtetërore për bujqësinë dhe heqje tatim fitimi për vitet e para për industrinë agropërpunuese.
Legalizimet, pronat
Në një lëvizje të papritur, që kapi disi mat kundërshtarët e djathtë, Rama ka premtuar që do të kryejë procesin e legalizimit falas.
Për pronat, ai deklaron se do t’i japë zgjidhje shumë shpejt problemit, së pari duke pasur nën kontroll agjencinë e legalizimeve, si dhe krijimin e autoritetit për menaxhimin e bregdetit. Partia Socialiste premton zgjidhjen e problemit të pronave të sekuestruara gjatë kohës së regjimit komunist duke anuar nga “kompensimi fizik” përkundrejt kompensimit financiar.
Një tjetër gjetje që tërhoqi vëmendjen ishte deklarata e Ramës për të kontaktuar me agjenci të specializuara jashtë vendit për verifikimin e dokumenteve origjinale të pronës.
“Çështja e pronësisë në Shqipëri ka tre elementë. Elementi i parë është pronari dhe raporti me pronën e kahershme. Elementi i dytë është fermeri dhe raporti me tokën, i treti i ardhuri dhe raporti me shtëpinë pa leje. Janë elementë të ndërthurur me njëri-tjetrin sa përpjekja për t’u kapur me njërin duke lënë tjetrin është jofunksionale. Ne do ta marrim çështjen në bllok”, ka pohuar Rama.
Shëndetësia, falas
PS-ja është zotuar se do të ofrojë shërbim falas shëndetësor, duke nënkuptuar heqjen e kontributeve të detyrueshme për sigurimet.
Moment vendimtar
Ekonomia shqiptare, përveçse e dobësuar vitet e fundit nga kriza, ka ndier vitet e fundit nevojën e ndryshimit të modelit të saj ekonomik, teksa në 20 vitet e tranzicionit është mbështetur nga prurjet e emigrantëve, apo nga sektorë që sot po rezultojnë të paqëndrueshëm, si ndërtimi e tregtia, duke mos qenë më potencial për gjenerimin e vendeve të reja të punës.
“Besoj se ne jemi të detyruar të shohim përtej modelit të ndjekur deri më sot. Ky model ka shteruar”, ka pohuar Rama. Ai nuk prodhon dot më as energji të reja, por as stabilitet ekonomik dhe financiar. “Ne besojmë që një hapësirë e pashfrytëzuar është hapësira rurale e vendit. Një plan i mirëkonceptuar për një zhvillim modern rural, do të na jepte mundësinë që të ndërtonim një nga shtyllat e ekonomisë. Një ekonomi prodhuese është një tjetër shtyllë që ne duam të ndërtojmë për të mbështetur maksimalisht shtimin e investimeve dhe për ta shoqëruar këtë me kualifikimin e krahut të punës. Së treti, sigurisht që Shqipëria mund të bëjë shumë edhe në drejtim të shërbimeve. Turizmi mbetet një nga shërbimet kryesore, por një turizëm i konceptuar krejt ndryshe nga sa është konceptuar deri më sot. Unë besoj që shteti i ri i Kosovës është një partner potencial shumë i rëndësishëm në funksion të rimodelimit të rrugës sonë të zhvillimit ekonomik. Ashtu sikurse besoj që marrëveshja Kosovë-Serbi, që i jep fund shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, është një tjetër arsye për të parë dritë në fund të një tuneli që e ka penguar bashkëpunimin rajonal me fokus ekonominë”, ka pohuar kreu i PS-së.
….Gjithsesi, me një ekonomi, që të paktën deri në 2015 pritet të ketë një rritje minimale prej vetëm 2% dhe buxhetin në një gjendje të rrënuar, realizimi i premtimeve për ulje taksash, rritje punësimi e reduktim borxhi publik do të jetë sfida më e madhe e qeverisë së re. Të paktën në afatin e shkurtër. Dhe me pritshmëritë e shqiptarëve, që tashmë janë të standardeve evropiane, koalicioni i majtë duhet të bëjë kujdes që t’i plotësojë ato, përndryshe, siç treguan dhe zgjedhjet aktuale, rrezikon të ndëshkohet shpejt me votë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.