Parashikimi ekonomik i BERZH tregon shenja rimëkëmbjeje në Europën Juglindore. Ekonomia e vendit tonë vlerësohet të jetë prekur nga përmbytjet e muajit shkurt. Ndërsa në të ardhmen, pikëpyetjet mbeten te stabiliteti grek e kreditë me probleme
Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH) e sheh me sy më optimist rajonin e Europës Juglindore krahasuar me fillimin e vitit. Në raportin e saj për “Parashikimet ekonomike rajonale”, publikuar javës së kaluar, politika monetare e BE-së vlerësohet të ketë dhënë efekte pozitive tek Eurozona, ndërsa përfitues indirektë janë edhe vendet e lidhura ngushtë me Eurozonën, siç është edhe rasti i Shqipërisë. Por shumë zhvillime pozitive, jo vetëm te ne u kompensuan me të tjera negative, duke bërë që të paktën për vendin tonë, BERZH të mos e ndryshojë parashikimin për rritjen ekonomike për këtë vit.
Sipas ekspertëve të BERZH, performanca makroekonomike e Shqipërisë përfitoi nga marrëveshjet e FMN në vitin 2015. Megjithatë, përmbytjet e mëdha që goditën vendin në fillim të këtij viti (paraprakisht “Monitor” ka vlerësuar një efekt negative 0.5% të PBB-së), niveli i lartë i kredive të këqija dhe efektet negative nga kriza e ekonomisë greke mbeten risqet më të mëdha. Parashikimi ekonomik i BERZH tregon një rritje të përmirësuar me 3% në vitin 2016, pas 2.5% në 2015-n. Ky nivel rritje i prezantuar që në fillim të vitit u cilësua më konservator krahasuar me rritjen e parashikuar nga qeveria e FMN, por të paktën pas tre muajsh rezulton më afër reales, pasi edhe Banka e Shqipërisë pranoi në raportin e fundit të saj se ekonomia nuk do të mund të rritet 3% këtë vit.
Por çfarë ndodh ndërkohë në vendet përreth e me ato që zhvillojnë tregti?!
Sipas BERZH-it, perspektiva e ekonomive në Europën Juglindore (SEE) po përmirësohet në sajë të lehtësimit monetar në Eurozonë, dobësimit të euros dhe uljes së çmimeve të mallrave, ndërsa faktorët politikë vendas u bënë gjithnjë e më të rëndësishëm.
Pas një viti të vështirë në 2014-n, raporti parashikon që Europa Juglindore të rritet 2.3% në 2015-n, dhe më pas në 2.8% në 2016-n. Megjithatë, nivelet e larta të kredive të këqija dhe pasiguritë në lidhje me Greqinë paraqesin një risk të konsiderueshëm për ekonomitë në rajon, vëren BERZH.
Pikëpyetjet mbi ecurinë e ekonomisë greke, nëse nuk shtohen, nuk arrijnë as të marrin një përgjigje të qarrtë, duke krijuar një tension të qëndrueshëm në ekonomitë e lidhura me të, si vendin tonë. Greqia është vendi i fundit deri më tani, ku janë vendosur ekspertët e BERZH. Ata vlerësojnë se Greqia po jeton nën frikën se mund të dështojë në përmbushjen e detyrimeve për sa i përket borxhit të jashtëm dhe madje edhe të dalë nga Eurozona. Skenari bazë i BERZH është se Greqia do të vazhdojë të jetë disi konfuze duke shmangur politika drastike dhe me reforma të mjaftueshme për të nxitur rritjen dhe për të siguruar mbështetjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar.
Ndërhyrja nga Banka Qendrore Europiane ka bërë të mundur krijimin e kushteve më të lehta monetare në vendet me lidhje të ngushta ekonomike me Eurozonën. Megjithatë, parashikimet për Eurozonën mund të ndikohen negativisht nga mungesa e stabilitetit në Greqi.
Në Ballkanin Perëndimor, ekonomia e Maqedonisë po vazhdon të rritet me ritmin më të shpejtë në rajon. Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të rritet me 3.5% këtë vit dhe me 3.7% në 2016-n. Rreziqet e tjera vijnë kryesisht nga konfliktet e brendshme politike.
Pavarësisht një mjedisi ekonomik sfidues, rritja në Bosnjë dhe Hercegovinë pritet të përshpejtohet në 2015, duke arritur një nivel prej 2.5%. Një rritje e mëtejshme prej 3% parashikohet vitin tjetër me projekte të mëdha të planifikuara në sektorët e transportit dhe energjisë dhe me një parashikim pozitiv në Eurozonë dhe në rajon si faktorë kryesorë të rritjes.
Për ekonominë e Malit të Zi, BERZH vlerëson se u rrit në mënyrë zhgënjyese me 1.5% në 2014-n. Ajo pritet të ketë rritje në 2015-n me rreth 3% dhe me 3.7% vitin tjetër. Mali i Zi pritet të përfitojë nga një projekt i rëndësishëm i një autostrade i financuar nga Kina dhe nga një rimëkëmbje e të ardhurave në sektorin e turizmit.
Një aksident i madh në industrinë e energjisë dhe paqëndrueshmëria politike kanë ndikuar në situatën ekonomike në Kosovë në 2014-n. Parashikimet për 2015 janë disi më të mira pasi paqëndrueshmëria politike që mbizotëroi gjatë pjesës më të madhe të vitit të kaluar është zgjidhur. Megjithatë, siguria dhe investimet vazhdojnë të jenë të ulëta. Si rezultat, BERZH ndryshoi parashikimin për këtë vit në 2.5% nga 3.5% që ishte në janar. Një rritje prej 3.5% parashikohet për 2016-n. Çfarë ndodh me Serbinë?!
Pavarësisht kushteve ekonomike sfiduese – rezultati i një përmbytjeje të madhe dhe masave të reja të rrepta të zbatuara nën një program të FMN–së, Serbia parashikohet të ketë rritje modeste prej 0.3% në 2015-n, pas rënies së saj vitin e kaluar. Megjithatë, rritja e kreditimit mund të frenohet nga nivelet e larta të kredive të këqija, vëren raporti. Një rritje prej vetëm 2% pritet në 2016-n me zbatimin e suksesshëm të programit makroekonomik, lehtësime të mëtejshme monetare dhe përmirësime në mjedisin e biznesit.
Raporti i fundit i BERZH, Perspektivat Ekonomike Rajonale, tregon një stanjacion ekonomik të përgjithshëm në 2015-n në të 35 shtetet që mbulohen dhe një rritje të vogël prej vetëm 1.4% në 2016. Por, ky parashikim maskon diferencat e theksuara rajonale, vërejnë ekonomistët e BERZH. “Kjo është një pamje shumë e ndryshme”, u shpreh Hans Peter Lankes, drejtor ekonomik pranë BERZH. Ai theksoi se, “padyshim që ka hapësirë për optimizëm, veçanërisht në vendet që janë të lidhura ngushtë me Eurozonën. Por recesioni në Rusi përbën shkak për shqetësim në shumë ekonomi të tjera”.
Si ndryshon parashikimi janar-maj
Rritja PBB% Ndryshimi
Shqipëri 2.5 0.0
Bosnjë 2.7 -0.2
Maqedoni 3.5 0.0
Mali i Zi 3 0.0
Kosovë 3.5 -1.0
Serbi 0.5 -0.2
BURIMI: Raporti i BERZH
“Infektimi” lindor nga recesioni rus
Recesioni i thellë në ekonominë ruse po ndikon negativisht më shumë sesa pritej në vendet me të cilat ajo ka lidhje të forta ekonomike, vëren raporti. Impakti i rënies ekonomike të Rusisë ka përkeqësuar pritshmëritë për Europën Lindore, Kaukazet dhe Azinë Qendrore.
Vetë Rusia pritet të bjerë në një recesion të konsiderueshëm me një tkurrje ekonomike prej 4.5% në 2015-n dhe afërsisht 2% në 2016-n. “Vendi mund të përballet me një periudhë të gjatë rritjeje të ngadaltë ose stanjacion. Çmimet e ulëta të naftës dhe sanksionet kanë ndikuar edhe më shumë në një ekonomi që tashmë ishte e dobët dhe me probleme të thella strukturore”, thonë ekspertët e BERZH.
Në Ukrainë, problemet ekonomike në Lindje të vendit, impakti negativ nga zhvlerësimi i hryvnias, politikat ekonomike shtrënguese, rritja e tarifave të energjisë dhe tkurrja e vazhdueshme e kreditimit pritet të vazhdojnë ushtrimin e trysnisë në ekonomi për këtë vit.
PBB pritet të tkurret me 7.5% këtë vit, një përkeqësim i perspektivës nga janari, kur u parashikua një tkurrje prej 5%.
Duke supozuar se gjendja aktuale e sigurisë nuk do të përkeqësohet, se programi i FMN-së do të vazhdojë sipas parashikimeve dhe nuk do të materializohen risqe të tjera të rëndësishme, Ukraina ka gjasa të ketë një rimëkëmbje prej 3% në 2016-n. Reforma të shpejta dhe të suksesshme dhe reduktimi i rreziqeve gjeopolitike mund ta përmirësojnë skenarin e rritjes.
Rritja në Gjeorgji pritet të bjerë në 2.3% në 2015-n dhe 2.6% vitin e ardhshëm. Bjellorusia vazhdon të jetë nën një presion të lartë financiar me një ulje të parashikimit që tregon një tkurrje prej 2.5% për vitin aktual, me politikat aktuale dhe stanjacion në 2016-n si pasojë e mungesës së reformave të rëndësishme ekonomike.
Impakti më i prekshëm i recesionit rus reflektohet në remitancat e vendit, të cilat vazhdojnë të bien me ritme alarmante.
Kthimi i qindra mijë punëtorëve emigrantë në Taxhikistan dhe Uzbekistan dhe në shifra të konsiderueshme në Republikën e Kirgistanit duket se është një sfidë e rëndësishme ekonomike dhe sociale. Parashikimet për rritje në Kazakistan dhe Turkmenistan po ndikohen negativisht nga çmimet e ulëta të mallrave.
Përmirësohen ekonomitë e Europës Qendrore
Në Europën Qendrore dhe në vendet baltike (CEB), parashikimet për Poloninë, Slloveninë, Republikën Sllovake dhe Hungarinë janë rishikuar për lart, duke reflektuar kryesisht optimizëm që lidhet me lehtësimin monetar në Eurozonë, i cili i është shtuar ndikimit pozitiv të mëparshëm të çmimeve më të ulëta të gazit.
Rajoni i Europës Qendrore pritet të ketë një rritje prej 2.9% në 2015 krahasuar me parashikimin e janarit prej 2.6%. Një rritje prej 3% është e parashikuar vitin e ardhshëm. Konvergjencat ekonomike me vendet më të zhvilluara vazhdojnë me intensitet më të lartë, thotë raporti
Vendet në Mesdheun Jugor dhe atë Lindor janë ndihmuar gjithashtu nga çmimet më të lira të naftës dhe nga rritja e besimit në ekonominë më të madhe të rajonit, Egjiptit.
Në kontrast me politikën zbutëse monetare të prezantuar së fundmi në Eurozonë, një shtrëngim monetar i pritshëm në Shtetet e Bashkuara, që siç po shihet gjerësisht tashmë nis nga fillimi i vitit të ardhshëm, do të rrisë trysninë në ato vende në zhvillim të cilat varen nga flukset hyrëse të kapitalit dhe kanë nevoja të larta rifinancimi në dollarë.
Në të njëjtën kohë për Turqinë, e cila vjet u bë përfituesja më e madhe, e vetme e investimeve të BERZH, rritja do të mbetet e pandryshuar në terma të përgjithshëm me 3% për 2015-n dhe 2016-n, nën potencialin afatgjatë të vendit.
Turqia ka qenë shembulli specifik i vendit të gjendur në mes të politikave kontradiktore monetare në Eurozonë dhe SHBA. Konkurrueshmëria e Turqisë me Eurozonën do të ishte nën presion ndërkohë që kostoja e borxhit të saj dhe trysnia mbi fluksin dalës të kapitalit do të rritej si pasojë e politikave shtrënguese monetare të SHBA.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.