Rimëkëmbja e energjisë, BB: Projekti ka vonesa nuk do arrijë dot objektivat

07/01/2019 11:00 AM 0 komente

Rishikimi i fundit që i ka bërë Banka Botërore projektit për rimëkëmbjen e energjisë i nisur në vitin 2015 ka nxjerrë në pah vonesat e zbatimit që lidhen me disa hallka të sektorit. Janë pikërisht këto elementë që kanë bërë që vlerësimi për projektin të jetë “ jo i kënaqshëm” në mënyrë të moderuar ndërkohë që edhe risku total i zbatimit cilësohet si i lartë. I njëjti vlerësim ishte edhe në rishikimin e mëparshëm që Banka i bëri pak muaj më parë duke treguar se reforma nuk ka shënuar edhe aq progres. Por çfarë nuk ka funksionuar sipas Bankës Botërore?

“Nuk është se paraqiten probleme të mëdha lidhur me çështjet mjedisore dhe sociale. Gjithsesi komponenti më i madh ai i “Përmirësimit të Infrastrukturës së Shpërndarjes” vijon të shfaqë vonesa në zbatim dhe nuk do të arrijë objektivat e caktuar për nëntorin 2019 që shënon edhe mbylljen e projektit. Në këto kushte progresi i zbatimit të projektit renditet si jo i kënaqshëm në mënyrë të moderuar. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka nevojë që të adresojë problemet e zbatimit sidomos në aspektin e punësve instaluese dhe pajisjet e prokuruara që aktualisht janë në magazina si dhe të kompletojë sistemin e ri të faturimit sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo do të ndihmojë në përshpejtimin e e zbatimit dhe të mundësojë një përmirësim të vlerësimit të projektit” thekson Banka Botërore.

Nga ana tjetër raporti nënvizon se zbatimi në kohë i sistemit të matjes në tensionin e mesëm dhe atë të ulët do të përforcojë pjesën e reformës sa i përket uljes së humbjeve dhe të ardhurat.

Panorama financiare e tre operatorëve të tregut është kaluar në vlerësim nga Banka Botërore e cila gjykon se nga zbatimi i projektit në tre vitet e fundit Korporata Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit janë sot në një situatë më të mirë financiare por nuk vlen e njëjta për OSHEE e cila po has një hendek financiar.

“Një plan i rishikuar për rimëkëmbjen financiare është nën vlerësim nga Këshilli i Ministrave me një vonesë që nga korriku i vitit 2018. Plani do të përcaktojë orientimet në masat kyçe për përmirëismin financiar të OSHEE në veçanti trajektoren e uljes së humbjeve për 2018-2021 dhe një prioritarizim të investimeve që do të synojnë uljen e humbjeve, përmirësimin e cilësisë dhe zgjerimin e rrjetit” thuhet në raport.

Projekti për rimëkëmbjen e sektorit energjetik nisi në vitin 2015 pas një financimi prej 150 milionë dollarësh që Banka Botërore i vuri në dispozicion qeverisë shqiptare. Projekti ka një seri komponentësh dhe parashikohet që të mbyllet në nëntor të këtij viti por me vonesat e shfaqura duket se mund të kalojë në fazë rishikimi. Deri tani nga shuma e financuar janë disbursuar 54 për qind e fondeve apo 74.83 milionë dollarë.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of