Sulmet e mbrëmjes së djeshme në aeroportin Ataturk të Stambollit, ku mësohet se deri tani kanë humbur jetën 36 persona dhe janë plagosur rreth 150 kanë shaktuar një valë anulimesh të fluturimeve në aeroportet e tjera. Kështu Turkish Airline ka anuluar zyrtarisht flutumin e orës 9.25 të mëngjesit të ditës së sotme nga aeroporti ndërkombëtar i Tiranës, Nënë Tereza. Po sot kjo linjë ka edhe një fluturim gjatë orës 21.00 të mbrëmjes, për të cilin pritet njoftim.
Të kontaktuar nga Monitor.al, agjencitë e udhëtimit thonë se në sistemet e tyre nuk ka mbërritur një njoftim zyrtar nga Turkish Airlines, ndërsa pohojnë se anulimet mund të zgjasin deri në datë 5 korrik. Sipas tyre, në këto kushte aeroportet trefishojnë kushtet e sigurimit. Ndërsa periudha e anullimit vlerësohet e domosdoshme në të tilla raste, nisur edhe nga ngjarja e ngjashme në Bruksel.
Sa i përket prenotimeve për pushime, agjencitë kryesore në vend si ATHS, Sava Tours dhe Union Travel pohojnë se nuk ka anulime të prenotimeve për Antalia. Madje sot në mëngjes është nisur edhe charteri i radhës. Sipas tyre kërkesa për prenotime në bregdetin turk është rritur me rreth 30%, ndërsa kjo shifër është më e lartë për rezervimet nga Prishtina. Çmimet e paketave turistike drejt Turiqisë janë ulur nga 30-50% krahasuar me të njëjtin vit, si rrjedhojë e uljes së ndjeshme të pushuesve rusë e europianë, të parët si rrjedhoje e konflikteve gjeopolitike, të dytët nga frika e terrorizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.