Ka arritur në rreth 368 mijë numri i pasagjerëve që kanë fluturuar përmes aeroportit të Rinasit në tremujorin e parë të këtij viti, me një rritje prej 8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat janë bërë të ditura nga buletini statistikor i tremujorit të parë të INSTAT. Ky është tremujori i parë kur nuk operoi Belle Air, kompania shqiptare, që shpalli falimentimin në tetor të vitit të kaluar.
Ndërsa në tremujorin e parë 2013, përmes Belle Air fluturuar 54% e udhëtarëve (ose rreth 194 mijë),në tremujorin e parë 2014, ky treg u ka kaluar tërësisht kompanive të huaja. Tregu i Italisë (ku Belle Air mbizotëronte) është marrë kryesisht nga All Italia, Air One dhe më pak hyrësit e rinj në treg, Blu Panorama, Livingstone, Meridiana.
Sipas INSTAT janë 16 kompani të huaja që veprojnë aktualisht në aeroportin e Rinasit, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin 13 kompani të huaja dhe një me kapital të përbashkët (Belle Air).
Numri i fluturimeve në janar-mars 2014 ka rënë me rreth 2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, megjithatë kompanitë duket se kanë qenë më eficiente në shfrytëzimin e këtyre fluturimeve, teksa numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me to është rritur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.