Një shifër rekord për një kombëtare, aq sa të zbehë marrëveshjen e Anglisë dhe të kërcënojë atë të Gjermanisë. Rinovimi i kontratës mes Nike dhe kombëtares së Francës vlen 50,5 mln euro në vit për dhjetë vitet e ardhshme – bën të ditur presidenti i Federatës franceze, Noel Le Graet.
Shifra – 500 milionë euro në total – mjaftoi për të bindur francezët të kalonin nga Adidas te Nike. Detajet e marrëveshjes u bënë të ditura nga numri një i Federatës franceze, sipas së përditshmes së specializuar Inside World Football.
Rinovimi i marrëveshjes mes shoqërisë amerikane dhe kombëtares transalpine u nënshkrua në dhjetor të 2016-s dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2026. Pikërisht, 10 vjet. “Është kontrata më e mirë e sponsorizimit në botë”, tha Le Graet. Nuk është e thënë që të jetë e vërtetë, por me siguri e vendos Francën së paku në vend të dytë. Sipas disa zërave, Gjermania përfiton nga Adidas një shifër mes 70-80 mln euro në vit. Ndërsa Anglia, përfiton rreth 400 mln euro deri në fund të vitit 2030.
Fakti më interesant i marrëveshjes mes Nike dhe Francës për sponsorizimin është shpërndarja e kësaj shume: “Kontrata me Nike – shpjegoi Le Graet – bazohet në të ardhurat minimale vjetore prej 38 mln euro plus 7,5 mln për furnizimin total të artikujve sportivë dhe 5 mln euro që do të shkojnë për futbollin amator (jo profesionist)”.
Rinovimi i kontratës së Francës mund të cilësohet si një ndër luftërat më të ashpra mes Nike dhe Adidas për të pasur kontrollin e tregut të sponsorizimeve.