Flet prof. Arben Malaj, rektor në Universitetin Luarasi
Përmirësimi i ambientit të biznesit, reduktimi i burokracive, procedurave, dokumenteve dhe kostove të administratës publike ndaj individëve dhe biznesit vlerësohet sot një prej reformave strukturore me efekt pozitiv më afatgjatë se politikat monetare apo fiskale.
Profesor Arben Malaj, – i cili ka qenë ministër i Financave gjatë periudhës 1997-1998, ministër i Ekonomisë gjatë periudhës 2002-2003 dhe sërish ministër i Financave në periudhën 2003-2005- është i mendimit se parësore në ristrukturimin e qeverisë duhet të jetë eficenca e riorganizimeve bazuar në tregues konkretë ku parësore janë indikatorët socialë si ulja e papunësisë, ulja e varfërisë.
Malaj rekomandon se në mënyrë që të mos ketë kosto burokratike nga riorganizimi, ai duhet të kryhet në një periudhë sa më të shpejtë kohore dhe të jetë sa më efektiv. Ai është i prerë kur shprehet se ristrukturimet e qeverive nuk kanë si objektiv kryesor reduktimin e numrit të ministrive, por rritjen e eficencës në hartimin dhe implementimin e politikave sektoriale për të realizuar premtimet elektorale
Cili është vlerësimi juaj për reformën në institucione në drejtim të përqendrimit të ministrive?
Duke e parë në rrafshin kushtetues, ligjvënësi nuk e ka kufizuar ndryshimin e strukturës së qeverisë me ndonjë shumicë të cilësuar votimi në Parlament.
Argumenti kryesor gjatë diskutimeve kur u hartua Kushtetuta e re ka qenë se qeveria miratohet me shumicë të thjeshtë, prandaj kryeministri nuk duhet të kufizohet në strukturimin dhe ristrukturimin e qeverisë. Aktualisht ne kemi një ngërç kushtetues lidhur me zëvendëskryeministrin, pasi në Kushtetutë e kemi kufizuar deri në një zëvendëskryeministër. Në vende të ndryshme, numri i zv/kryeministrave në një kabinet qeveritar është fleksibël, sepse lehtëson krijimin dhe funksionimin e koalicioneve.
Në debatin konkret për ristrukturimin e ministrive, drejtorive të përgjithshme, inspektorateve dhe enteve të tjera publike, mundësia më e mirë për opozitën, por edhe për opinionin publik është fokusimi tek eficenca e riorganizimeve bazuar në tregues konkretë, ku parësore janë indikatorët socialë, si ulja e papunësisë, ulja e varfërisë, përmirësimi i shpërndarjes së përfitimeve të rritjes ekonomike duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse. Qeveria e vogël nuk përcaktohet nga numri i ministrive, por nga barra e saj në kurriz të tatim paguesve, pra sa në 100 lekë që prodhon ekonomia në një vit përdoren për mbajtjen e administratës qeverisëse. Qeveritë e vogla tentojnë të jenë 5-6% e PBB-së (Prodhimit të Brendshëm bruto), ndërsa qeveritë e fryra arrijnë edhe mbi 10% të PPB-së dhe bëhen një barrë e rëndë për taksapaguesit. Treguesi i dytë i përmasave të qeverisë është madhësia e tyre, bazuar në totalin e shpenzimeve buxhetore.
Ka qeveri të vogla nën 30% të PBB-së dhe qeveri të mëdha deri në 55% të PPB-së. Mbi të gjitha, qeveritë vlerësohen të vogla apo të mëdha bazuar nga shkalla e ndërhyrjes në ekonomi. Ky është edhe debati ideologjik midis së majtës dhe së djathtës dhe bazohet tek politikat rregullatore (e majta) dhe politikat derregulluese (e djathta). Përmirësimi i ambientit të biznesit, reduktimi i burokracive, procedurave, dokumenteve dhe kostove të administratës publike ndaj individëve dhe biznesit vlerësohet sot një prej reformave strukturore me efekt pozitiv më afatgjatë se politikat monetare apo fiskale.
Cilat janë kostot/përfitime të këtij procesi në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë?
Kostot duhen parë në dy këndvështrime, sa rritet kostoja buxhetore, shpresoj në këtë rast nuk do të ketë kosto shtesë. E dyta, lidhet me faktin nëse do të kemi kosto të rritura burokratike dhe financiare ndaj individëve dhe biznesit nga mosorganizimi i shpejtë dhe efektiv i ristrukturimeve. Këto kosto janë më të rënda, ndaj riorganizimi duhet të jetë një proces jo vetëm i shpejtë, por sidomos efektiv, duke eliminuar mbivendosjet dhe mosrakordimin midis tyre.
Ristrukturimet e qeverive nuk kanë si objektiv kryesor reduktimin e numrit të ministrive, por rritjen e eficencës në hartimin dhe implementimin e politikave sektoriale për të realizuar premtimet elektorale. Ka analistë politikë në vendin tonë që vlerësimin qeveri e vogël apo e madhe e bëjnë bazuar thjesht nga numri i përgjithshëm i kabineteve qeveritare gjatë tranzicionit. Ristrukturimi në tërësi i të gjitha agjencive, inspektorateve, policive deri te shpërbërja dhe rigrupimi i ministrive të reja do të ketë disa efekte pozitive buxhetore.
Vlerësimin e qeverisjes së vendit le ta analizojmë bazuar në disa tregues domethënës për taksapaguesit, p.sh., si dhe sa do të ulet papunësia në tërësi dhe papunësia e të rinjve në veçanti? Sa do të ulet varfëria në tërësi dhe sa në zonat më të varfra të vendit? Sa do të rritet barazia e mundësive që të kemi një rritje gjithëpërfshirëse? Dhe sa do të ulet deficiti dhe borxhi, pasi rritja ekonomike me borxhe është vërtetuar se rezulton në rritje varfëruese.
A do të ishte e rëndësishme që reforma institucionale të shoqërohej me një model të ri ekonomik?
Kam shumë debate për modelin e ri ekonomik të një vendi, sidomos lidhur me vendin dhe rolin që duhet të luajë qeveria, kërkuesit shkencorë dhe biznesi. Personalisht jam për modelin ekonomik që redukton pengesat, që redukton kostot, që rrit barazinë e mundësive. Aktualisht, gjithnjë e më shumë po mbështeten modelet që krijojnë një korrelacion pozitiv midis zhvillimit dhe ligjit, pra funksionimit të shtetit ligjor, e drejta e pronës, gjyqësori i pavarur, lufta efektive kundër korrupsionit dhe mirëqeverisja. Ky koncept synon si ta bëjmë të gjithë ekonominë të hapur për investimet individuale, biznesit vendas dhe të huaj. Individëve dhe biznesit duhet t’u krijohet mundësia për të identifikuar mundësitë më të mira, sektorët më rentabël, sektorët ku përfitimi vjen nga përshtatjet e teknologjive e bashkëkohore.
A është e mundur që teknikisht dhe juridikisht të bëhet bashkimi i tatimeve dhe doganave?
Juridikisht nuk ka ndonjë pengesë, ligjet janë vullnet i mazhorancave, ndoshta mund të kërkohet një shumicë e cilësuar për kodin doganor. Teknikisht do të duhet të jetë një projekt i kujdesshëm si për stafet teknike, edhe për sistemim e integruar midis dy drejtorive ku duhet të qarkullojë online i gjithë informacioni. Struktura institucionale do të duhet të qartësohet, sepse ndoshta organizimi vertikal midis dy drejtorive që kanë drejtuesin e tyre profesional dhe drejtorit të përgjithshëm redukton kohën e funksionimit sa më efektiv. Doganat përqendrohen gjithnjë e më shumë në misionin e tyre që është lehtësimi i tregtisë, ndërsa tatimet disponojnë në kohë reale më shumë informacion të aktivitetit të biznesit të çdo kompanie, gjë që duhet të lehtësojë mbledhjen e të ardhurave.
Funksionimi efektiv i këtij bashkimi ndoshta lehtëson kontrollet, ndoshta ndjekja e borxheve të këqija bëhet më e thjeshtëzuar dhe më efektive, ndoshta shërbimi ndaj tatimpaguesve reduktohet nga mbingarkesat burokratike dhe kostot e panevojshme.
Propozimi nuk është i ri, ai ka pasur hezitim nga FMN, shqetësimi kryesor është përqendrimi i pushtetit në pak duar dhe ky pushtet të mos rrezikojë të prodhojë presione korruptive mbi vendimmarrësit. Reformat duhet të mbajnë parasysh që ato duhet ta reduktojnë presionin, si strategia më e mirë për ta reduktuar korruptimin e strukturave vendimmarrëse.
Çfarë do t’i sugjeronit ju qeverisë që të ketë si prioritete këtë mandat?
Rritjen e punësimit, rritjen e të ardhurave reale të klasës së mesme dhe shtresave me të ardhura të ulëta, reduktimin e varfërisë, rritjen e barazisë së mundësive për çdo individ dhe biznes. Politikat ekonomike të qeverisë duhet të prodhojnë më shumë kohezion social, jo vetëm apo kryesisht nga politikat rishpërndarëse tatimore apo buxhetore, por nga rritja e mundësive për sukses të çdo individi apo biznesi. Reformat e përmirësimit të ambientit të biznesit duhet të jenë prioritare dhe të matshme, ato eliminojnë pengesat dhe kostot abuzive dhe çlirojnë shumë energji pozitive në biznes. Përballë sfidave të vështira sociale, qeveria duhet të fillojë materializimin e premtimeve të saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.