Riorientimi i bujqësisë,  49 aplikime për subvencion në ferma organike, 25 fitojnë

17/05/2018 11:02 PM 0 komente

Sektori i bujqësisë vijon të vuajë orientimin e saktë të investimeve për shkak se mungojnë statistika zyrtare për imputet  e për rrjedhojë projektet fisibël janë të vështira për tu gjetur.

Megjithatë në 30 vite të ekonomisë së tregut, pas eksperimenteve te shumta janë evidentuar disa sektorë me të ardhme.

Bujqësia organike dhe bizneset e agroturizmit duket se sigurojnë një kthim më të sigurte të investimeve enë raport me investimet në sera dhe stalla bagëtish.

Në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësore dhe Rural u regjistruan 49 aplikime për subvencion për zhvillimin e fermave Bio.  Aplikantët janë nga i gjithë vendi dhe kryesisht kanë në plan të kultivojnë prodhime organike si fruta, perime dhe bulmet me përparësi varietetet vendase.

Sipas listës së publikuar nga AZHBR, aplikantët përfaqësojnë dhe bizneset e agroturizmit, të cilët kanë kombinuar zhvillimin e bujqësisë organike me shërbimet e turizmit.

Kështu nga 49 aplikime 25 prej tyre janë shpallur fitues dhe do të mbështeten me subvencione.

Sipas kritereve që qeveria ka miratuar për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës, në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1,000 000 lekë.

Për makineri, pajisje të tjera për prodhimin e produkteve tradicionale merret mbështetje deri në 50% të vlerës së blerjes së pajisjeve, jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt.

Mbështetja për marketingun (përfshirë linjat e ambalazhim/paketimit) e produkteve tradicionale të zonës është sa në 70% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 700 000 lekë për subjekt.

 

Mbështetja për modernizimin e staneve mbulon deri në 80% të vlerës së investimit, jo më shumë se 200 000 lekë për subjekt.

 

Ngritja e inkubatorëve të prodhimeve tradicionale mbështetet me grant deri në 70% të vlerës së investimit, jo më shumë se 15 000 000 lekë për subjekt.

 

Ministria e Bujqësisë, tre vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore nuk ishin fitimprurëse nëse nuk kishin më shumë se 20 hektarë.

Fermat e mëdha të kafshëve prodhojnë produkte me kosto të lartë, për shkak se nuk mbështeten me zinxhirin ushqimore. Copëzimi i madh i tokës, ku sipërfaqja mesatare e një ferme nuk është 1.03 hektarë, problemet e pronësisë, mekanizimi i dobët i kanë bërë bizneset e sektorët të vuajnë nga produktiviteti i të ulët, teksa agroturizmi po shihet si shpresëdhënës për riorientimin e investimeve në sektor.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz