Në këtë pjesë të vitit në Shqipëri, shiu është një fenomen mëse normal dhe shqiptarët nuk kanë pse habiten.Tani në kohën e pajisjeve inteligjente kur edhe fëmijët kanë një smartphone, të gjithë mund të konsultohen me temperaturat dhe sasinë e reshjeve për të programuar më mirë aktivitetet, madje deri në dhjetë ditë avancë.
Pikërisht për shkak të këtij informacioni, njerëzit janë të përgatitur dhe marrin masa për të minimizuar dëmet. Nuk është i rastit fakti që rrallë, shqiptarët kanë humbur jetën në ngjarje ekstreme të motit si këto përmbytje të fundit.
Por ato që shqiptarët nuk mund të shmangin janë dëmet që ju sjell atyre paaftësia projektuese e menaxhuese e agjencive shtetërore, papërgjegjshmëria dhe neglizhenca vrastare e drejtuesve të institucioneve ligjzbatuese.
Edhe me ngjarjet e fundit,të vetmit që moti i kapi gafil ishin qeveria dhe agjencitë e saj në qendër dhe në bazë. Ishin të vetmit që folën për përgatitjen dhe marrjen e masave mbrojtëse, si kofini pas të vjelit, kur ai ndodhi dhe shkaktoi dëme.
Një ditë para se ky “shiu” të bëhej armiku i madh, në ditën e Festës së 29 Nëntorit, nuk mbeti politikan pa u shfaqur buzagaz në media për të uruar si zakonisht shqiptarët. Por duke e shprehur qartë se kujt u drejtoheshin ato urime.
Vetëm për “shiun” e përmbytjet nuk u fol. Nuk u fol as në panairin me fruta e perime të organizuar në sheshin “Nënë Tereza”, ku mbase mund të kishin gjetur një moment për t’i bërë një kujtesë të vogël të gjithë bujqve e fermerëve,të cilët ca i ndoqën live e ca në televizor.
Por le t’i kthehemi Ripërmbytjes.
Autostrada Tiranë – Durrës është aksi më strategjik rrugor shqiptar. Ajo është aorta nga ku furnizohet e gjithë jeta ekonomike, politike dhe shoqërore e shqiptarëve. Nuk ka rrugë tjetër me vitale e më të rëndësishme se ky aks që bashkon dy kryeqendrat e zhvillimit, kryeqytetin me qytetin e dytë me portin më të madh. Nga aty u aksesohet aeroporti i vetëm dhe përgjatë saj janë dislokuar bizneset me më shumë peshë. Kjo rrugë duhet të ishte kështjella e fundit që duhet t’i dorëzohej vërshimit të ujit.
Por, edhe këtë javë, rrebeshi i shiut arriti ta bllokojë për pothuaj një ditë të plotë dhe për të njëjtat shkaqe dhe në të njëjtin vend, si një vit më parë. Kjo është hera e dytë rresht, sepse kurrë më parë, superstrada(për të mos vendosur termin autostradë nuk është përmbytur). Herën e parë ishte nëntorin e vitit të kaluar. Aty, bizneset humbën nga përmbytja dhjetëra milionë euro. Këtë radhë u rrezikuan edhe qindra jetë njerëzish.
Nuk ka dyshim (janë të panumërt ekspertët) që ndërhyrja e bërë me të ashtuquajturin zbukurim të Autostradës, i cili fshihte disa mangësi të forta të profesionalizmit të projektit të zbatuar: Trafik-ndarësja mes dy korsive, si një vazo lulesh, që zgjatet e pandërprerë dhe që nuk lejon kalimin e asnjë pikë uji nga një krah në tjetrin të autostradës; Kanalet anësore të rrugës të zvogëluar dhe pa komunikim me njëri-tjetrin, si dhe bahçja me palma e të tjera që nuk ia vlen të përmenden,nuk mundësojnë largimin e menjëhershëm të ujit në rast reshjesh të dendura.
Nga ana tjetër, ndërhyrjet jo të pakta të bëra në shtratin e përrenjve ujëmbledhës, toleranca dhe bekimi i autoriteteve ligjzbatuese që vrapojnë të ndëshkojnë çdo qytetar të thjeshtë e të pafuqishëm të këtij vendi, sa herë që shikojnë edhe një tjegull të vënë shtrembër, mahisin problemin deri në pikën që na bëri të dorëzoheshim.
Këto dy grupe problemesh ishin themeli i shkaqeve që solli përmbytjet një vit më parë, së bashku me veprimet e papërgjegjshme dhe mungesën e kontrollit dhe koordinimit për shkarkimin e rezervuarëve në zonën përreth.
Të gjitha këto arsye që thamë më lart, së bashku me faturën e dëmeve të pësuara,janë bërë me dije nga qindra bizneset e prekura të zonës në të gjitha nivelet e qeverisjes, nga ato lokale e deri te qeveria qendrore.
Përsëritja e përmbytjes (nga edhe termi që po përdorim Ripërmbytja) me një precizion fotokopje është absolutisht përgjegjësi dhe faj i qeverisjes,të cilat nuk kanë marrë guximin të vënë gishtin në plagë dhe të planifikonin e të vepronin për të korrigjuar dhe për të bërë përmirësimet e nevojshme në kohën e thatë të verës me shumë më pak kosto.
Këtë papërgjegjshmëri dhe këtë neglizhencë nuk mund ta justifikojë sot asnjë mobilizim i dramatizuar,megjithëse mes punonjësve të emergjencave civile dhe ushtarakëve pamë këto ditë sakrificën e lartë njerëzore në kufijtë e heroizmit.
Nuk ia vlen të nxitoni, nisuni në kohë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.