Kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se nga buxheti i shtetit, që është rishikuar në kushtet kur ai ka shënuar rritje të ardhurash, këto të ardhura do të shpërndahen tek personat me paaftësi, të cilëve iu shlyhen të gjitha borxhet, tek projektet e infrastrukturës që kanë mbetur rrugëve dhe tek shlyerja e borxheve 100% për biznesin.
Sipas këti rishikimi të buxhetit 4. 3 miliardë lekë u vihen në dispozicion kategorisë së personave me aftësi të kufizuar, ndërsa 15.2 miliardë lekë shkojnë për investime të “rrugëve të lëna rrugëve”
“Është e para herë, pas 5 vitesh rresht, që rishikimi i buxhetit nga Qeveria bëhet me rritje, jo me rënie. Që do të thotë se, kemi pasur fatkeqësinë që për 5 vite rresht të kishim një Qeveri që bënte parashikime përtej mundësisë, duke shfrytëzuar paratë e parashikuara, por që nuk i kishte, për “tamtame” propagandistike dhe pastaj në fund të vitit kthehej në parlament për ta rishikuar buxhetin me ulje. Për herë të parë pas 5 vitesh e rishikojmë buxhetin me rritje.
Së dyti, 4.3 miliardë ose 43 milionë dollarë, falë këtij rishikimi me rritje, vendosen në dispozicion të gjithë pjesës më të dobët të shoqërisë, personave me aftësi të kufizuar, paraplegjikë e tetraplegjikë, invalidë të cilëve shteti u lan përfundimisht borxhet. Borxhe të akumuluara nga mungesa e plotë e ndjeshmërisë ndaj kësaj shtrese, nga brutaliteti i një modeli qeverisës të bazuar tek propaganda për të sunduar dhe jo tek rezultatet për të shërbyer dhe i jep fund padrejtësisë më të madhe sociale, të kthyer në instrument, për të spostuar paratë që i detyroheshin asaj shtrese në drejtime të tjera, në funksion të pushtetërimit dhe jo të qeverisjes.
Së treti, janë 15.2 miliardë lekë ose 152 milionë dollarë që shkojnë për investime. Investime, kryesisht të lëna rrugëve, për infrastrukturën rrugore, duke filluar nga rruga e Valbonës, tek rruga Kukës-Krumë në Has; rruga Lushnje-Berat që është bërë një gangrenë për të gjithë ata që duhet të kalojnë në atë aks; rruga Lin-Pogradec që është një tjetër gangrenë dhe janë dy destinacione turistike me rëndësi të veçantë, që ju jeni të gjithë dëshmitarë dhe janë dëshmitarë të gjithë ata që kanë qenë të detyruar të kalojnë në ato shtigje të hapura me 5 lekë, kur kushtonin miliona e miliona dollarë, vetëm për të prerë shirita, vetëm për të shitur mend dhe për të gënjyer njerëzit me lugë bosh; segmentet e rrugës Plepa-Rrogozhinë, edhe ato të lëna rrugëve, do të financohen në pjesën më të madhe të tyre; Korçë-Ersekë dhe duke mos u zgjatur duke i numëruar të gjitha, 51 projekte që kanë mbetur rrugëve, – flasim infrastrukturë rrugore, – dhe që kanë arritur të financohen deri në plus 50%, do të financohen 100%. Pra, gjithë pjesa e mbetur financohet tani dhe do të investohemi fuqimisht, që t’u rrimë në kokë kompanive që të punojnë ditë-natë, për t’i realizuar ato investime. Ndërkohë që, janë 100 projekte të tjera, nëpër gjithë Shqipërinë, të pashpresa, të çelura pa para, shirita të prerë, ekskavatorë që kanë hedhur çakull ditën e inaugurimit dhe pastaj, një financim tërësisht i dobët, që do të futen në programin e financimeve, për të shtyrë më tutje procesin, por pa mundësinë për t’i përfunduar brenda këtij viti.
-Infrastruktura shëndetësore
Unë i shoh me shumë vëmendje edhe kronikat tuaja objektive lidhur me problematikat në sektorin e shëndetësisë. Sektori më i vështirë. Sektori ku kemi marrë përsipër të bëjmë një reformë themelore. Por, mos harrojmë që e kemi gjetur shëndetësinë jo “kockë e lëkurë”, por “kockë pa lëkurë”. Do të investojmë tani, 1.1 miliardë në mjete emergjence, rreth 20 autoambulanca të reja, helikopterë të ndihmës së shpejtë, që edhe në sezonin e ardhshëm turistik, por edhe gjatë gjithë vitit, të mos gjendemi në kushtet që jemi gjendur për shkak të situatës që kemi trashëguar; dy pajisje shumë të rëndësishme dialize, një për veriun dhe një për pjesën poshtë në Shqipëri dhe përfundimi i rikonstruksionit të Sanatoriumit, një tjetër investim i lënë rrugëve, që besojmë se do të kryhet më në fund dhe do të marrë formën e plotë.
-Infrastruktura arsimore
Kur ne premtonim ose zotoheshim për futjen e tabletave dixhitale në shkolla, shumëkush na përqeshte, të tjerë na shikonin sikur flisnim gjuhën e UFO-ve. Janë praktikisht 700 milionë lekë ose 7 milionë dollarë për financimin e projektit të kalimit nga librat tek tabletat dixhitale. Tabletat dixhitale që do të mbyllin edhe atë hendekun që juve me shumë objektivitet e keni vënë në pah, edhe tani që u hap shkolla. Pashë dje, në pasqyrën që marr nga Zyra e Shtypit, që edhe në emisionin “Fiks Fare” kishte pasur një dedikim të veçantë për familjet që nuk kanë mundësi të paguajnë librat. Pra, mbyllet ky hendek dhe tabletat dixhitale, duke filluar nga viti i ardhshëm, kuptohet që projekti, edhe për arsye të mënyrës si është i konceptuar, por edhe të vetë futjes në punë, nuk futet në punë i gjithi menjëherë, në gjithë territorin, sepse ka një pilotim, pastaj ka një fazë të dytë e kështu me radhë, por ne besojmë shumë që në fund të mandatit do jemi në gjendje që të kemi mbuluar pjesën më të madhe dhe që fëmijët, pa dallim, të kenë tabletën dixhitale dhe pavarësisht, nëse prindërit blejnë, apo s’blejnë dot libra.
Është një kapërcim epokal, falë teknologjisë së re. Kemi bërë një marrëveshje me Google për të marrë platformën falas. Ndërkohë do të shkojmë më tej, duke jo vetëm përdorur tabelën dixhitale dhe bill borderat apo dërrasat e zeza të dikurshme, ekranet dixhitale në klasë, por duke futur në sistem prindërit, të cilët informohen në kohë reale përmes celularit nga regjistri elektronik i mësuesit; mungesa, nota e me radhë.
-Infrastruktura e rendit
Mbani mend që kemi bërë dhe ne fushatë ndër të tjera me imazhin e policit që shtynte makinën. Ndërkohë që, ju jeni vënë në dijeni edhe për raportin e bërë nga auditimi ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme për gjendjen e mjeteve. Është policia më e shkatërruar e kontinentit, ndoshta dhe e botës nga pikëpamja e mjeteve. Kështu që janë 300 milionë lekë që menjëherë do të hyjnë në mbështetje të Ministrisë Brendshme për mjete të reja policore.
-Infrastruktura teknologjike
Ka shumë vite që Shqipëria nuk e ka ripërtërirë atë që quhet “ortophoto” ose fotografim dixhital i territorit, e cila vlen për të marrë të gjitha informacionet për territorin dhe e cila, jo vetëm merr informacionet mbi territorin, por vihet në funksion të kontrollit mbi territorin, pasi përmes saj mund të bëhet kontroll i vazhdueshëm sistematik, pa pasur nevojë për të shkuar drejtpërdrejtë dhe për t’i numëruar gjërat në terren, por thjesht nëpërmjet dixhitalizimit. Janë 450 milionë lekë, rreth 4.5 milionë dollarë për ortophoto që më në fund të kemi një instrument që ishte tërësisht i dalë jashtë përdorimit”, tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.