Pritet që të ardhurat në buxhet deri në fund të vitit të jenë 40 miliardë lekë më pak se parashikimi….
Ministria e Financave ka nisur rishikimin e buxhetit 2013, një veprim i pashmangshëm ky, duke pasur parasysh performancën e dobët të të ardhurave në tetë muajt e parë të viteve, shpenzimet e larta dhe rritjen e deficitit buxhetor.
Sipas burimeve nga financat pritet që shpenzimet në total të reduktohen me 16 miliardë lekë, apo me rreth 4% në raportin me buxhetin rishikuar vjetor (duke përfshirë dhe të hyrat nga privatizimet) i cili parashikonte shpenzime në nivelin e rreth 422 miliardë lekëve.
Një nga zërat kryesorë që preket nga rishikimi i shpenzimeve janë ato kapitale, të cilat do të reduktohen me 6 miliardë lekë, apo me rreth 20%.
Këto ndryshime nuk janë të mjaftueshme për të mbajtur deficitin nën kontroll, i cili pritet të rritet me 24 miliardë lekë, sipas deklarimeve që ministri i financave, Shkëlqim Cani, ka dhënë pak ditë më parë në një konferencë për shtyp, teksa të ardhurat sipas tij pritet të jenë 320 miliardë lekë në fund të vitit, apo 40 miliardë lekë më pak se parashikimi.
Mes borxhit të lartë dhe nxitjes së rritjes ekonomike, financat kanë zgjedhur rritjen e borxhit, teksa morën dhe të paktën një vit frymëmarrje nga Fondi Monetar Ndërkombëtare.
Sipas Canit, “borxhi publik i pritshëm në fundvitin e 2013 nuk do të jetë 64%, sa u premtua nga qeveria e mëparshme, por mbi 67% (pa përfshirë borxhin e fshehtë). Nëse përfshihet në llogaritje edhe një pjesë e borxhit të fshehtë (pjesa e detyrimeve ndaj biznesit, i vlerësuar paraprakisht, së bashku me FMN, në afro 55-60 miliard lekë), atëherë borxhi publik arrin në fundin e 2013-ës jo më pak se 71%. Këtu kemi shtuar vetëm detyrime të papaguara ndaj biznesit, pa përfshirë detyrime të tjera. Për vitin 2014, synimi kryesor është për ta vënë borxhin nën kontroll, por për të mos frenuar rritjen ekonomike, do të vijojë të rritet edhe vitin e ardhshëm. Pritshmëria për nivelin e borxhit në vitin 2014 është për 72-73% e PBB (mbetet të saktësohet kur të prezantojmë projekt buxhetin 2014). Në planin afatmesëm (deri në vitin 2018), synojmë një nivel te borxhit publik pranë 60%.”
Për tetë muajt e vitit 2013, të ardhurat totale në buxhet arritën 210.5 miliard lekë. Pra 7.2 % më pak se parashikimi i buxhetit për periudhën dhe 3.8 % më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë. Deri në fund të vitit, pritet të mblidhen rreth 320 miliardë lekë të ardhura në buxhet, ose 23.7% e PBB-së, rënie kjo e nivelit të të ardhurave ndër më të fortat në dy dekadat e fundit, me përjashtim të vitit 1997. Në këtë performancë kaq negative të mbledhjes së të ardhurave, nevojiten jo më shumë se 24 miliardë lekë borxh shtesë për të mbyllur këtë vit dhe financimi i deficitit do të arrijë në 6% të GDP-së nga 3.5% që ka qenë vitin e kaluar. Shpenzimet priten të jenë rreth 405 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.