E PERDITESUAR Reforma e pensioneve ka avancuar. Energjia dhe detyrimet për pronat përbëjnë rreziqe fiskale serioze…
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar në qershor raportin mbi rishikimin e parë të marrëveshjes së zgjeruar me Shqipërinë dhe kërkesën për modifikimin e kritereve të performancës.
Sipas raportit, deri në fund të marsit të gjitha kriteret e performancës dhe objektivat strukturore ishin përmbushur, me përjashtim të objektivit strukturor për kontraktimin e auditorëve të jashtëm që do të zhvillojnë auditin e bazuar te risku të ecurisë së pagesave të prapambetura, i cili nuk është përmbushur, por që qeveria pret që ta plotësojë atë në javët në vijim.
Në kapitullin e rekomandimit të politikave thuhet se nuk do të jenë të nevojshme masa të reja fiskale në vitin 2014, por autoritetet duhet të kenë parasysh rreziqet fiskale që mund të shfaqen.
Pagesa e detyrimeve të prapambetura mund të përshpejtohet, në momentin që auditi I jashtëm të ketë përparuar në mënyrë të mjaftueshme.
Adresimi i kredive me probleme do të kërkojë përpjekje të vazhdueshme për të pastruara bilancet e sektorit privat bankar.
Raporti rekomandon që së shpejti duhet të fillojë puna përgatitore lidhur me buxhetin 2015 dhe reformat strukturore.
Raporti thekson se reforma e pensioneve ka avancuar, por energjia dhe detyrimet për pronat përbëjnë rreziqe fiskale serioze.
Konsolidimi fiskal në rrugën e duhur
Konsolidimi fiskal është në rrugën e duhur, thekson raporti dhe nuk është e nevojshme marrja e masave shtesë për të ardhurat apo shepnzimet në vitin 2014. Objektivi i borxhit i vënë në program, duket i arritshëm. Ndërsa disa lloje taksash po ecin më mirë sesa pritej, performanca është mjaft e ndryshme mes kategorive dhe gjithashtu po rritet përkohësisht nga krijimi i fondeve të papaguara. Parashikimet për të ardhurat dhe shpenzimet në 2014 mbeten gjerësisht në nivelin e theksuar në programin fillestar,
Përveç një rregullimi prej 0.3% të PBB-së të të ardhurave, të lidhura me heqjen e disa përjashtimeve nga TVSh dhe akciza të propozuara në buxhetin vitit 2014 që kanë dhënë efekt që atëhere dhe shpenzimeve buxhetore që janë përfshirë tashmë në objektivat e programit. Në tërësi objektivi për deficitin e buxhetit mbetet i pandryshuar në raport me PBB.
Si rrjedhojë, të ardhurat vjetore dhe objektivi i deficitit janë në nivel të përshtatshëm dhe në rrugine duhur. Për më tepër, autoritetet kanë rënë dakord për një tavan mbi shpenzimet, që do të sigurojë që çdo e ardhur tepër, në rast se do të materializohet, do të kursehet.
Shpenzimet kapitale janë ngadalësuar që nga fundi i vitit 2013 për shkak të rivlerësimit të nevojave dhe prioriteteve dhe kapacitetit të burimeve njerëzore të lidhur me tranzicionin e qeverisë. Ekzekutimi mbetet poshtë niveleve të parashikuara në buxhet këtë vit.
Stafi ka nxitur autoritetet të përshpejtojnë ekzekutimin e shpenzimeve kapitale të buxhetura në mënyrë që të shmangë ndikimin negativ në rritje; autoritetet presin që ekzekutimi të përshpejtohet gjatë vitit, tashmë që rishikimi i shpenzimeve kapitale është plotësuar.
Në 2015, hiqet dorë nga taksa e pasurisë, të ardhurat do sigurohen nga burime të tjera
Arritja e objektivave të programit për uljen e borxhit në afatin e mesëm do të kërkojë masa fiskale shtesë në 2015. Zbatimi i taksës të bazuar në vlerësimin e pasurisë—që fillimisht mendohej se do të ishte një pjesë e rëndësishme e rregullimeve në 2015—do të marrë më shumë kohë sesa pritej, për shkak të regjistrimit të tokës dhe problemeve të vlerësimit. Autoritetet janë të angazhuar të gjejnë masa të tjera në mënyrë që të përmbushin objektivat e konsolidimit, në pjesën më të madhe nga kahu i të ardhurave, por duke rritur gjithashtu eficiencën e disa shpenzimeve përmes një organizimi më të mirë. Ata po përgatisin gjithashtu një ligj të ri për TVSH-në, që është në linjë me direktivat e BE-së
Por rreziqet fiskale janë rritur, problem energjia dhe kompensimi i pronaveRaporti thekson se gjithsesi rreziqet fiskale janë rritur që nga miratimi i programit. Shirat e pakët mund të bëjnë që qeverisë t’i nevojiten importe energjie të garantuara në 2014-n, në nivelin e 0.3-0.6% të PBB-së. Kompensimi i pronave po kthehet në një shqetësim fiskal, përveçse po shkakton një rrezik të madh për klimën e investimeve dhe rritjen teksa një numër pretenduesish, pasuritë e të cilëve u shpronësuan nën regjimin e Komunizmit, kanë marrë vendime pozitive nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (ECHR). Pretendimet potenciale për kthim në vlerën e tyre të plotë mund t’i tejkalojnë ndjeshëm kapacitetet e qeverisë për të paguar. Kjo ka një urgjencë të lartë për shkak të vendimeve të fundit të ECHR në favor të pronarëve të mëparshëm dhe perspektivës së gjobave potenciale që mund t’i vendosen qeverisë shqiptare. Për të zvogëluar rrezikun dhe për të zhvilluar një strategji, autoritetet do të kërkojnë një zgjatje të moratoriumit të gjykimeve të reja dhe po shikojnë mundësitë për të rishikuar legjislacionin ekzistues.
Qeveria po negocion reformat në sektorin e energjisë me Bankën Botërore, në bazë të një huaje për reformën e sektorit të energjisë, e cila nëse do zbatohet, do të ndihmojë në zvogëlimin e rreziqeve të sektorit.