Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, të gjitha bizneset që zhvillojnë eksporte apo importe do t’i kryejnë procedurat në bazë të një Kodi të Ri Doganor. Kodi nuk arriti të miratohej në seancën e javës së kaluar në Kuvend, për shkak të mosarritjes së shumicës së cilësuar, por ai pritet të kalojë sot dhe pjesa e dytë e vitit do të shërbejë si fazë përgatitore për fillimin e zbatimit të tij vitin e ardhshëm.
Qëllimi parësor i projektligjit është përafrimi i legjislacionit Doganor Shqiptar me atë të BE-së, si dhe krijimi i një klime legjislative të përshtatshme për operatorët ekonomikë që veprojnë në tregun ndërkombëtar, duke synuar lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave doganore dhe luftën kundër mashtrimit.
Synimet e projektligjit për “Kodin Doganor në Republikën e Shqipërisë”, sipas relacionit që e shoqëron atë janë:
– Lehtësimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore dhe lufta kundër mashtrimit, për t’ju përgjigjur zhvillimeve të tregtisë ndërkombëtare si dhe nevojave të operatorëve ekonomikë;
– Qartësimi në zbatim të procedurave të rregulluara prej tij, si për Operatorët Ekonomikë (bizneset) ashtu edhe për Administratën Doganore;
– Përmirësimi, lehtësimi dhe thjeshtimi i rregullave dhe procedurave doganore;
– Harmonizimi i vendimmarrjes;
– Procedura më efikase doganore;
– Unifikimi i një numër rregullash dhe praktikash të rëndësishme të cilat, deri më tani, mundet të jenë aplikuar rast pas rasti;
– Përmirësime që përfshijnë masa të cilat çojnë në kalimin në një mjedis doganor elektronik pa letër/paperless, si dhe dispozita për të futur procedurat doganore për Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (“AEO”), duke përfshirë zhdoganimin e centralizuar.
– Garantimi i një ekuilibri midis detyrimit të autoriteteve doganore për të siguruar mirë aplikimin e legjislacionit doganor nga njëra anë dhe nga ana tjetër, i së drejtës së operatorit ekonomik për t’u trajtuar në mënyrë të drejtë me anë të zgjerimit të mundësive të kontrollit për administratën doganore dhe së drejtës për apelim nga operatorët ekonomikë kundrejt çdo vendimi të autoriteteve doganore duke parashikuar edhe të drejtën e çdo personi që të dëgjohet para se të merret një vendim i disfavorshëm për të. Sigurisht, që kjo e drejtë mund të kufizohet kur shkelja është e rëndë dhe cenon sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare dhe të qytetarëve, shëndetin publik, faunën dhe florën dhe konsumatorët.
– Mirëpërcaktimi i të gjitha rasteve, kur lind dhe vendin ku lind një borxh doganor, me qëllim që të shmangen vështirësitë dhe zgjidhja juridike.
– Përcaktimi i rregullave që zbatohen për regjime të veçanta duke mundësuar përdorimin e një garancie të vetme për të gjitha këto regjime dhe që kjo garanci globale të mbulojë shumë transaksione.
– Garantimi i çlirimit të shpejtë të mallrave kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrolleve bazuar në analizën e riskut. Duke pasur parasysh këtu që Konventa e Kiotos, e rishikuar, parashikon që, depozitimi, regjistrimi dhe kontrolli i deklaratës doganore mund të bëhet para mbërritjes së mallrave.
– Shkrirja e regjimit të përpunimit aktiv me pezullim me atë të përpunimit nën kontrollin doganor.
Operatorët ekonomikë të autorizuar
Kodi i Ri Doganor fut konceptin e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO). AEO-të kanë disa avantazhe, si për shembull: aksesi në procedurën e zhdoganimit të “centralizuar” “Centralized Clearance”, duke i lejuar ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet në të shumtën e rasteve nga zyra e tyre e regjistruar.
Elemente kryesore të Kodit të ri Doganor
Administrata Doganore aktualisht operon nëpërmjet sistemit të automatizuar të përpunimit të të dhënave, Asycuda World, i cili përmirëson jo vetëm punën e Administratës Doganore Shqiptare, por sjell edhe lehtësi të procedurave doganore dhe nxitje për biznesin dhe sektorin privat. Sistemi është në gjendje të bëjë përpunimin automatik të deklaratave doganore, duke filluar nga hedhja e të dhënave dhe regjistrimi drejtpërsëdrejti në sistem nga vetë deklaruesi, duke vazhduar më tej me analizën e riskut, llogaritjen dhe vlerësimin e detyrimeve dhe duke përfunduar me kontabilizimin dhe pagesën e të gjitha detyrimeve doganore.
Kodi i Ri Doganor fut konceptin e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO). AEO-të kanë disa avantazhe, si për shembull: aksesi në procedurën e zhdoganimit të “centralizuar” “Centralized Clearance”, duke i lejuar ata të paraqesin deklaratat doganore dhe të paguajnë detyrimet në të shumtën e rasteve nga zyra e tyre e regjistruar.
AEO-të gjithashtu mundet të lejohen të lëvizin mallrat, ndërkohë që ato janë ende nën magazinim të përkohshëm. Përveç të tjerave, AEO-të do të kenë mundësi të përfitojnë nga shtyrje të pagesave, në bazë të një garancie me një shumë të reduktuar (në krahasim me operatorët e tjerë që nuk janë AEO, të cilët duhet të sigurojnë një garanci të plotë).
Lehtësimi tjetër për AEO-të ka të bëjë me kohën kur mallrat konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë. Mallrat do të konsiderohen të çliruara për qarkullim të lirë në momentin kur AEO paraqet deklaratën doganore, pa qenë nevoja të bëjë paraqitjen e mallrave. Megjithatë autoritetet doganore kanë gjithmonë të drejtën të kërkojnë dokumentacionin e nevojshëm dhe të kryejnë inspektime në ambientet ku mbahen mallrat apo dokumentacioni.
Objektivi parësor i administratës doganore është që, dispozitat lidhur me Operatorët Ekonomikë të Autorizuar dhe thjeshtimet doganore, të hyjnë në fuqi dhe të bëhen të zbatueshme më 1 janar 2015.
Procedurat e thjeshtëzuara, të parashikuara nga Kodi i Ri Doganor synojnë lehtësimin e tyre, duke ulur kostot dhe duke rritur sigurinë ligjore për operatorët ekonomikë.
Kështu mund të përmenden:
– Deklarimi i paplotë
– Kryerja e procedurës së zhdoganimit në kufi në bazë të një dokumenti tregtar (vetëm për mallra të “thjeshtë”)
– Zhdoganimi në ambientet e Operatorit Ekonomik
– Operatorët Ekonomikë të Autorizuar (AEO)
Gjithashtu synohet që operatorët ekonomikë të përfitojnë plotësisht nga teknologjia e informacionit, e cila do të mundësojë reduktimin e barrës dhe shpenzimeve e në të njëjtën kohë do të përmirësojë efektivitetin e kontrolleve doganore.
Kodi i Ri Doganor përcakton rregullat e harmonizuara për marrjen e vendimeve nga Autoritetet Doganore kompetente dhe të drejtën për t’u dëgjuar para marrjes së vendimeve të disfavorshme (duke pasur në vëmendje vlen vetëm për disa lloje vendimesh, p.sh. Vendimet për Informacionin Detyrues Tarifor etj).
Nga pikëpamja procedurale, Kodi i Ri Doganor parashikon edhe ndryshime për rregullat për magazinimin e përkohshëm, duke përfshirë edhe zgjatjen e periudhës së magazinimit deri në 90 ditë dhe mundësinë për të lëvizur mallrat nën magazinimin e përkohshëm pa procedura transiti.
Për sa i përket pjesës së shkeljeve doganore dhe sanksioneve, ajo është e bazuar në propozimin e Komisionit Europian “Proposal for a directive of the European Parliament and of the Council on the Union legal framework for customs infringements and sanctions”. Kjo pjesë është e mbështetur gjithashtu në përvojën e deritanishme të administratës doganore, Kodin Doganor aktual, por edhe në praktikat më të mira të vendeve të BE-së si: Austri, Francë dhe Itali.
Kjo pjesë përcakton qartë, një listë të veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë shkelje të rregullave doganore në Republikën e Shqipërisë. Këto shkelje diferencohen nga mënyra e sjelljes së shkelësit, niveli i ashpërsisë dhe disa kategorizohen nisur nga fakti se a ka pasur qëllim apo neglizhencë.
Pjesa e shkeljeve përcakton një shkallë efektive, proporcionale dhe dekurajuese të sanksioneve që do të zbatohen, në varësi të shkeljes. Kur aplikohen sanksionet, është përcaktuar se autoritetet doganore duhet të marrin në konsideratë natyrën dhe rrethanat e shkeljes, duke përfshirë shpeshtësinë dhe kohëzgjatjen, nëse një “tregtar i besuar” është i përfshirë dhe shumën e detyrimit të shmangur.
Janë vendosur afate për të ndjekur shkeljet dhe procedurat administrative do të duhet të pezullohen në qoftë se një procedurë penale është e hapur për të njëjtën çështje.
Në bashkëpunim me ekspertët e BE-së në kuadër të Programit TAIEX, është rishikuar pjesa kombëtare e draft Kodit të Ri Doganor për pjesën që lidhet me shkelje doganore dhe verifikimin e tyre, si dhe pjesa lidhur me organizimin e personelit doganor, e cila është në përputhje me ligjin nr. 152/2013, datë 30.05.2013 “Për Nëpunësin Civil”.
Struktura e Kodit
Projekt-kodi i Ri Doganor është hartuar në 11 tituj, në 36 kapituj, 44 seksione dhe 290 nene.
Ai fillon me trajtimin e parimeve bazë dhe të përgjithshme si fusha e zbatimit, misioni i doganave, përkufizime, organizimi i administratës doganore dhe i veprimtarisë doganore, kompetencat, bashkëpunimi, punësimi dhe marrëdhëniet e punës së personelit të administratës doganore. Kjo pjesë është hartuar në përputhje me parimet bazë doganore që zbatohen edhe aktualisht sipas Konventës së Kiotos, por edhe në ligjin nr. 152/2013, datë 30.05.2013 “Për Nëpunësin Civil”.
Projekt-kodi më pas trajton në mënyrë specifike nëpër tituj, kapituj dhe seksione të veçanta të gjitha procedurat doganore. Posaçërisht, brenda titullit 1 trajtohen të drejtat dhe detyrimet e personave përkundrejt legjislacionit doganor, komunikimi i informacioneve, përfaqësimi në doganë, vendimet në lidhje me zbatimin e legjislacionit doganor, operatori ekonomik i autorizuar, penalitetet dhe apelimet për vendimet e favorshme, kontrolli i mallrave, ruajtja e dokumenteve dhe informacioneve të tjera, pagesat, kostot dhe kursi i këmbimit valutor dhe afatet.
Në titullin 2 dhe 3 trajtohen çështje doganore të cilat lidhen me faktorët mbi bazën e të cilëve zbatohen detyrimet e importit ose eksportit dhe masat e tjera, në kuadër të tregtisë së mallrave, tarifa doganore dhe klasifikimi tarifor i mallrave, origjina e mallrave, origjina jopreferenciale, origjina preferenciale, vlera e mallrave për qëllime doganore, borxhi doganor dhe garancitë, lindja e një borxhi doganor, borxhi doganor në import, borxhi doganor në eksport, dispozita të përbashkëta për borxhin doganor, të lindur në import dhe eksport, garancia për një borxh doganor të mundshëm ose ekzistues, vjelja, pagesa, rimbursimi dhe falja e shumës së detyrimit të importit ose eksportit, përcaktimi i shumës së detyrimit të importit ose eksportit, njoftimi i borxhit doganor dhe kontabilizimi, pagesa e shumës së detyrimit të importit ose eksportit, rimbursimi dhe falja, shuarja e borxhit doganor.
Titulli 4 trajton mallrat që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, deklaratën përmbledhëse të hyrjes, mbërritjen e mallrave, hyrjen e mallrave në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, paraqitjen, shkarkimin dhe verifikimin e mallrave, magazinimi i përkohshëm i mallrave.
Titulli 5 specifikon rregulla të përgjithshme për statusin doganor, vendosjen e mallrave nën një regjim doganor, verifikimin, çlirimin dhe tjetërsimi/shkatërrimi i mallrave, deklaratat doganore standarde, deklaratat doganore të thjeshtuara.
Titulli 6 përshkruan çlirimin për qarkullim të lirë dhe përjashtimin nga detyrimet e importit.
Titulli 7 trajton regjimet e posaçme si: transitin e brendshëm dhe të jashtëm, transitin kombëtar, magazinimin, zonat e lira, përdorimin e veçantë, lejimin e përkohshëm, përdorimin e veçantë përfundimtar (end-use), përpunimin aktiv, përpunimin pasiv.
Titulli 8 specifikon daljen e mallrave nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë duke përcaktuar, formalitetet para daljes së mallrave, formalitetet në dalje të mallrave, eksportin dhe rieksportin, deklaratën përmbledhëse të daljes, njoftimin e rieksportit, përjashtime nga detyrimi i eksportit.
Titulli 9 përcakton shkeljet në fushën doganore, sanksionet dhe apelimin ndaj një vendimi për vendosjen e sanksionit dhe të detyrimit të importit ose eksportit. Në këtë titull jepen përcaktime lidhur me kundërvajtjet, llojet e kundërvajtjeve, sanksionet për kundërvajtjet, kontrabandën, sanksionet për kontrabandën, verifikimin e shkeljeve.
Titulli 10 dhe 11 trajton shpërndarjen e të ardhurave për personelin doganor dhe dispozitat përfundimtare.
Në 2020, doganë pa letër
Kodi i Ri Doganor, sipas relacionit, është në përputhje të plotë me Rregulloren e Komisionit nr. 952/2013, datë 9 tetor 2013 “Union Customs Code” dhe krijon mundësitë që rreth vitit 2020 të gjendemi në një ambient, ku nuk do të ekzistojnë më dokumente në letër.
Kodi i ri Doganor do të përafrojë Rregulloren e Komisionit nr. 952/2013, datë 9 tetor 2013 “Union Customs Code”, sikurse thamë, do të zëvendësojë Kodin Doganor aktual, të vitit 1999, i cili ka përafruar pjesërisht, Rregulloren e ndryshuar të BE-së nr. 2913/92, datë 12 tetor 1992 “Kodi Doganor i Komunitetit” “Community Customs Code” (CCC) dhe që ishte përpjekja e parë për konsolidimin e rregullave doganore, në përputhje me ato të BE-së, më shumë se një dekadë më parë.
Edhe pse ishte një arritje e madhe dhe lehtësim për bizneset, procedurat dhe praktikat, në kuadër të Kodit aktual, mbështeten tërësisht në përdorimin e dokumentacionit në letër, duke bërë që kjo të jetë një ndër arsyet e rëndësishme edhe në BE, për përshtatjen e rregullave doganore me mjedisin e sotëm tregtar.
Legjislacioni plotësues
Pas miratimit të Kodit të Ri Doganor do të vijojë puna për Projekt – VKM-në “Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, të cilat do të shfuqizojnë VKM-në nr. 205, datë 13.04.1999, “Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, përgatitja dhe miratimi i të cilave është në varësi edhe të miratimit të Dispozitave Zbatuese të Rregullores së re, nr. 952/2013 nga BE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.