Një kompani, nga 35 debitorët më të mëdhenj, që kanë rreth 60% të huasë problematike, ka përfunduar procesin e ristrukturimit, duke u hequr nga lista, ndërsa janë dhe dy-tre të tjera në proces…
Huaja me probleme rezultoi 19.9% në nëntor 2015, duke zbritur nën nivelin 20% për herë të parë që nga tremujori i fundit 2011. Të dhënat janë bërë të ditura nga Shoqata e Bankave. Në raport me tetorin 2015, kredia e pakthyer në afat në banka, në përqindje ndaj totalit të huasë është ulur me 0.5 pikë përqindjeje.
Sipas të dhënave të detajuara kanë qenë huatë nënstandarde (nga 91 deri në 180 dtë vonesë) dhe ato të dyshimta (nga 181 ditë në 365 ditë vonesë), ato që kanë rënë përkatësisht me -2.3 dhe -1.2 miliardë lekë, duke përmirësuar treguesin e NPL-ve.
Mësohet se një kompani, nga 35 debitorët më të mëdhenj, që kanë rreth 60% të huasë problematike, ka përfunduar procesin e ristrukturimit, duke u hequr nga lista, ndërsa janë dhe dy-tre të tjera në proces.
Megjithatë, huatë në ndjekje, (deri në 90 ditë vonesë), që ende klasifikohen si kredi e mirë, por ka potencial për t’u shndërruar në problmatike (nëse kalon mbi 90 ditë pa shlyer huanë, atëhere kredia klasifikohet nënstandarde dhe hyn te huatë me probleme) kanë vijuar rritjen për të dytin muaj radhazi, duke u rritur me 4.4 miliardë lekë në nëntor.
Edhe huatë e humbura janë zgjeruar, por me ritme më të ulëta, me rreth 750 milionë lekë.
Banka e Shqipërisë, Ministria e Ekonomisë dhe institucione të tjera hartuan në verë të vitit të kaluar një plan për ristrukturimin e kredive me probleme, ku një vend të rëndësishëm zinte ristrukturimi ose çuarja në faliment e 35 kompanive që kishin më shumë se 60% të kredive të këqija. Ndonëse ristrukturimi i disa kompanive ka filluar, afatet e planit janë shtyrë disa herë, ku elementi më i rëndësishëm, miratimi i ligjit të ri të falimentit, që planifikohej në tetor të vitit të kaluar, nuk e ka parë ende dritën jeshile.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.