Me vetëm pak javë deri në ditën e zgjedhjeve, Ekmeleddin Ihsanoglu shpreson të bashkojë kombin gjithnjë e më të polarizuar
Rivali kryesor i Kryeministrit të fuqishëm të Turqisë në zgjedhjet e para popullore të vendit për Presidencën e filloi fushatën e tij të vështirë, duke thënë se ai shpreson të bashkojë një komb gjithnjë e më të polarizuar.
Me vetëm pak javë deri në votim, Ekmeleddin Ihsanoglu, ish-kreu 70-vjeçar i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e ka prezantuar veten si një konkurrent i cili do të mund të punojë përmes linjave partiake për të shëruar plagët e vendit, pas një viti protestash vdekjeprurëse, skandalesh për korrupsion dhe zgjedhje të zhurmshme vendore.
Votimi i gushtit ka të ngjarë të shënjojë një kthesë kritike për Turqinë, ku fitorja e Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, fushata e të cilit ka theksuar se ka 12 vjet stabilitet nën udhëheqjen e qeverisë së tij, ka gjasa të lajmërojë afrimin e transformimit të një presidence ekzekutive sipas stilit amerikan që zoti Erdogan lakmon.
Duke prezantuar fushatën e tij për qindra gazetarë, por pak mbështetës, në Ciragan Palace në ngushticën e Bosforit në Stamboll, z. Ihsanoglu tha: “Unë jam kandidati presidencial për të gjithë Turqinë”.
Emërimi i tij nga dy partitë kryesore opozitare të Turqisë ilustron përpjekjet e fundit nga rivalët e fragmentuar politikë të kryeministrit për të ruajtur trashëgiminë laike republikane të Mustafa Qemal Ataturkut, themelues i Turqisë moderne.
Megjithatë, lëvizja e opozitës, ka përballë plot pengesa. Ish-diplomati “i butë” ka grumbulluar rreth 39.4% mbështetje kundrejt 54% për kryeministrin agresiv, sipas një sondazhi funksional në mes të qershorit nga “ORC Arastirma” me bazë në Ankara.
Relativisht i panjohur, z. Ihsanoglu nuk do t’i duhet vetëm të “thyejë” figurën e kryeministrit në mbi gjysmën e elektoratit të vendit, por i duhet ende të sigurojë mbështetjen e plotë të koalicionit që e joshi për t’u bërë pjesë e garës.
Sondazhi ORC tregoi se z. Ihsanoglu nuk ishte një zgjedhje e mirëpritur për 68% të partisë kryesore opozitare Republican People’s Party, ose votuesve të CHP, të cilët përbëjnë rreth një të tretën e elektoratit të Turqisë.
Mbështetësit e Partisë Lëvizja Nacionaliste, që komandojnë një të gjashtën e votave në mbarë vendin, ishin më entuziastë ndaj kandidatit, me 75% prej të cilëve e miratuan emërimin e tij.
Opozitës i mungon formula për t’u përballur vërtet me Erdoganin dhe kjo është një përpjekje e fundit për të sfiduar realisht mbretërimin e tij. Deri më tani fushata e Ihsanoglu ka qenë “e vakët”, tha Anthony Skinner, drejtor në Maplecroft, agjenci e konsulencës së rrezikut politik me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. “Ai nuk ka gjasa të dëmtojë mbështetjen e Erdoganit në asnjë mënyrë kuptimplotë”.
Z. Ihsanoglu u shfaq në mes të qershorit si një sfidant i papritur, me kredenciale konservatore mjaftueshëm të forta për të kundërshtuar mbështetjen e zotit Erdogan midis votuesve të devotshëm. Ndërsa një mysliman i devotshëm i lindur nga prindër turk në Kajro, z. Ihsanoglu ka mbrojtur trashëgiminë e Ataturkut dhe tha se politika dhe feja nuk duhet të lejohen që të ushtrojnë presion mbi njëra-tjetrën.
Gjatë detyrës së tij prej nëntë vjetësh si shef i OIC-së, z. Ihsanoglu mishëroi shkaqet e më shumë se 1.5 miliardë myslimanëve në mbarë botën, duke ndihmuar në ndërmjetësisë e paqes midis shiitëve dhe sunitëve në Irak dhe duke punuar për të siguruar përfaqësimin e Palestinës në UNESCO.
Mesazhi i fushatës së zotit Ihsanoglu përpiqet të shkojë përtej politikës fisnore të Turqisë për të apeluar përmes ndasive etnike, fetare, sociale dhe politike.
Në përputhje me ofertën e tij për të qëndruar mbi politikat partiake, rivali nuk po planifikon ndonjë miting, në kontrast me fjalimet sfiduese të zotit Erdogan për të nxitur mbështetjen.
Zoti Ihsanoglu u zotua ta mbajë presidencën në rolin e saj kryesisht simbolik dhe të veprojë si një arbitër i mosmarrëveshjeve politike brenda rregullave kushtetuese.
Kompetencat ekzekutive që aktualisht i zotëron kryeministri nuk mund të ushtrohen nga Presidenti pa shkelur Kushtetutën, tha ai, duke iu referuar planeve të zotit Erdogan për të udhëhequr si kreu i shtetit.
Ndërsa kandidatët e opozitës argumentuan për një Kushtetutë të re për të zëvendësuar sistemin aktual, miratuar nën tutelën ushtarake pas grushtit të shtetit të Turqisë në vitin 1980, ai shprehu mbështetjen ndaj sistemit parlamentar në ruajtjen e ndarjes së pushteteve.
Ihsanoglu gjithashtu u zotua të punojë si një “lehtësues”, i cili do t’i përdorë zgjedhjet e tij në presidencë për të ndihmuar përparimin e bisedimeve të paqes së Turqisë me kryengritësit kurdë, një nismë historike nga z. Erdogan. Por sondazhet tregojnë se z. Ihsanoglu po bën fare pak përparime ndaj kurdëve, ku blloku i tyre vijon të pozicionohet qëndrueshëm me një votim prej rreth 7% gati që mbështesin ligjvënësin kurd Selahatin Demirtas, kandidatin e Partisë Demokratike Popullore.
Në Dijarbakir, qyteti i Turqisë me dominancën më të madhe kurde, shumë pak thanë se do të mbështesin z. Ihsanoglu.
“Nuk ka shumë që mendojnë si unë këtu, por unë do të votoj për Ekmeleddin sepse ai vjen nga politika e jashtme. Ka të ngjarë të jetë e dobishme që të kemi dikë të moderuar si ai në krye të vendit. Ai është i pastër”, – tha taksisti 39-vjeçar, Bilal Demirel.
Në mars, partitë kryesore opozitare nuk arritën të përfitojnë nga shpërthimi i korrupsionit që detyroi një riorganizim të kabinetit, duke i dhënë një fitore partisë së zotit Erdogan, me 46% të votave në zgjedhjet lokale.
Z. Erdogan është një favorit i qartë, por ai ende do të duhet të sigurojë më shumë se 50% të votave për të fituar në raundin e parë më 10 gusht. Përveçse në rast se, më 24 gusht do të mbahet një balotazh, katër ditë para se Presidenti në detyrë Abdullah Gul të përfundojë mandatin e tij.
Z. Ihsanoglu përdori një ton përfshirës, duke u zotuar për të punuar edhe me rivalin e tij qeverisës për drejtësi dhe zhvillim, apo AKP, në një lëvizje që ka të ngjarë të zemërojë kritikët e zotit Erdogan.
“Personalisht, unë kam një miqësi të mrekullueshme me Kryeministrin, – tha z. Ihsanoglu. – Unë nuk kam asnjë problem me të”.
Qasja diplomatike e rivalit nuk ka të ngjarë të “provokojë” një përgjigje të ngjashme nga z. Erdogan, i cili në mënyrë të vazhdueshme ka kritikuar ashpër opozitën se fshihet pas një kandidati të përbashkët, jopartiak, që përfaqëson koalicionin e qeverisur dhe Turqinë e prirur për krizë përpara se AKP të vinte në pushtet në vitin 2002.
Si do të guxojnë ata t’u kërkojnë njerëzve që të votojnë për kandidatin e tyre, tha zoti Erdogan në një takim të fundit, duke argumentuar se opozita kishte kundërshtuar zgjedhjet e drejtpërdrejta për kryetar shteti. “Me vullnetin e Zotit, Turqia e re do ta diferencojë rritjen e saj me një president të ri dhe një botëkuptim të ri të Presidencës”.