Të gjithë shqiptarët, që do të duan të rivlerësojnë pronën e tyre, mund ta bëjnë këtë deri më 31 maj të këtij viti, pasi qeveria ka njoftuar se bazuar në fluksin e kërkesave është propozuar edhe shtyrja e afatit që përfundonte në datë 28 shkurt.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi se: “Rivlerësim i pasurive të paluajtshme është një tjetër politikë në mbështetje të qytetarëve që po funksionon. Radhët e gjata për aplikim për rivlerësimin e pasurive, treguan interesimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve për këtë nismë. Nga 1 shtatori 2016 deri më 31 janar 2017, janë 27 mijë aplikime të dorëzuara. Propozuam shtyrjen e afatit për rivlerësim deri në 31 maj 2017”.
Të pyetur nga ‘Monitor’, vlerësuesit e pasurive të paluajtshme thonë se ky është një vendim i drejtë dhe i pritur prej tyre duke qenë se pranë hipotekave radhët ishin shumë të gjata. Ata thonë se tashmë mund të merret ‘frymë lirisht’, pasi ka ende edhe pak kohë. Sipas tyre, mund të mendohej që afati të ishte edhe pak më i gjatë, për t’i dhënë mundësi të gjithëve që të përfitonin.
Por, duhet mbajtur në konsideratë fakti se në datë 18 qershor, shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur deputetët e tyre.
Rivlerësimi i pasurisë së paluajtshme për individët
1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, kanë të
drejtë që, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji deri në datën 28 shkurt 2017,
të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut.
2. Ky rivlerësim mund të bëhet nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e
pasurisë së paluajtshme nga institucionet përkatëse ose nga zyrat vendore të
regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
3. Në rast se individi zgjedh që të bëjë rivlerësimin me një ekspert të licencuar,
atëherë aplikimit të tij për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme i bashkëlidh
edhe aktin e vlerësimit të ekspertit.
4. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e
tatueshme, e cila llogaritet si diferenca ndërmjet vlerës së pasqyruar në akt
ekspertim, por jo më e vogël se çmimet minimale fiskale, dhe vlerës së
pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar, për të cilën është
paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë individi për ta regjistruar
këtë rivlerësim.
5. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimi të kryhet nga zyra e regjistrimit të
pasurive të paluajtshme, me çmimet minimale fiskale në fuqi, atëherë ky fakt
shprehet në formularin që i bashkëlidhet aplikimit të tij për rivlerësim.
6. Në rastin e parashikuar në pikën 5, të këtij neni, zyrat vendore të regjistrimit
të pasurive të paluajtshme llogaritin bazën e tatueshme, e cila llogaritet si
diferenca ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi me çmimet minimale
fiskale në fuqi dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së
rivlerësuar, për të cilën është paguar tatimi, si dhe tatimin që duhet të paguajë
individi për ta regjistruar këtë rivlerësim.
7. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë
shitjeje, atëherë, si vlerë regjistrimi, në zyrat e regjistrimit të pasurive të
paluajtshme, konsiderohet vlera e çmimeve minimale fiskale në çastin e
regjistrimit të aktit të fitimit të pronësisë.
8. Tatimi që paguhet për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 2% e bazës së
tatueshme, që përcaktohet sipas pikave 4 dhe 6, të këtij neni.
9. Për rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, në
zbatim të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, të bërë pas rivlerësimit, tatimi
llogaritet sipas normave në fuqi mbi fitimin e realizuar, si diferencë e vlerës,
në momentin e kalimit të së drejtës së pronësisë, me vlerën e rivlerësuar, për
të cilën është paguar tatimi.
Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme për personat juridikë
1. Personat juridikë, të cilët kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare
pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të
bëjnë, brenda periudhës së zbatimit të këtij ligji, rivlerësimin me vlerën e
tregut të këtyre pasurive.
2. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për
vlerësimin e pasurisë nga institucionet përkatëse.
3. Diferenca nga vlera kontabël, e regjistruar në pasqyrat financiare, me vlerën
që rezulton nga rivlerësimi, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2016.
4. Personat juridikë, për këtë rivlerësim, paguajnë 3 % të diferencës ndërmjet
vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e
paluajtshme. Për qëllime të zbatimit të këtij neni, personi juridik mban një
kartelë të pasurisë së paluajtshme, ku evidenton vlerën përkatëse të pasurisë
së paluajtshme që nga momenti i njohjes fillestare të aktivit dhe tatimin
përkatës, të paguar sipas legjislacionit në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.