Roboti i ri Walk-Man – i krijuar nga Instituti Italian i Teknologjisë në Xhenova, është një robot me dimensionet e një njeriu, i gjatë 1,85 metra dhe mund të ndërhyjë në vend të njerëzve në raste emergjencash si tërmete dhe zjarre.
Trupi i tij kontrollohet nga 32 motorë dhe te koka e tij janë të instaluara telekamera, skanerë, laserë dhe mikrofona. Mund të ecë edhe në situata të vështira dhe duart e tij i ngjajnë atyre të një njeriu.
Ky projekt ka përfshirë një sërë Institutesh: Instituti Italian i Teknologjisë (IIT) dhe Qendra e Kërkimeve E. Piaggio në Universitetin e Pizës në Itali, École Polytechnique Fédérale në Lozanë, Zvicër (EPFL), Institutin e Teknologjisë në Karlsruhe (Gjermani), Universitetin Katolik të Louvain (UCL) në Belgjikë.
Në provën e tij të fundit, roboti u përball me një skenar të përcaktuar nga kërkuesit, së bashku me Mbrojtjen Civile në Firence: një fabrikë industriale e shkatërruar nga një tërmet, në të cilin janë të pranishme rrjedhje gazi, zjarr – pra një situatë e rrezikshme për njeriun.
Kjo skenë u rikrijua në një laborator nëpërmjet ndërtimit të një mjedisi fiktiv ku Walk-Man ishte në gjendje të lëvizte dhe të kryente detyra specifike: të hapte dhe të kalonte një derë për të hyrë në zonë, të lokalizonte një valvulë industriale dhe ta mbyllte, për të simuluar ndërprerjen e rrjedhjes së gazit; të largonte pengesat gjatë rrugës së tij dhe në fund të identifikonte pozicionin e flakëve dhe të aktivizonte fiksen e zjarrit.