Suksesi i parë i zviceranit daton më 4 shkurt 2001 në turneun e Milanos. I fundit, të shtunën e kaluar në Dubai. Në 18 vjet, Roger Federer ka fituar 100 tituj në karrierë, nga të cilat 20 turne të Grand Slam.
Por ai që ka fituar më shumë tituj është amerikani Jimmy Connors, 109 tituj gjithsej.
Të ardhurat e kampionit zviceran
Federer, i cili aktualisht renditet në vendin e katërt në klasifikimin botëror, këtë vit ka fituar 73 mijë dollarë nga kompeticionet. Gjatë karrierës së tij, ai ka fituar në total 121.268.063 dollarë. Por prize money nuk përfaqëson pjesën më të madhe të të ardhurave për 37-vjeçarin nga Bazeli.
Sipas revistës Forbes, në periudhën 31 maj 2017 – 31 maj 2018, Federer ka fituar 77,2 milionë dollarë, nga të cilat 65 milionë dollarë nga sponsorizimet, fitimet nga turnetë dhe sponsorët. Këta të fundit janë rritur me rreth 7 milionë dollarë krahasuar me një vit më parë, falë mbi të gjitha, kontratës që ka nënshkruar me brandin italian Barilla.
Nga Nike tek Uniqlo, 300 milionë në 10 vjet
Pas 24 vjetësh, verën e kaluar Roger Federer mbylli bashkëpunimin me gjigantin e veshjeve sportive Nike, për të firmosur një kontratë me vlerë 300 milionë dollarë për dhjetë vjet me Uniqlo. Kompania e famshme japoneze, në 5 vitet e mëparshme ka qenë sponsor i tenistit serb Novak Djokovic.
Sipas ESPN, marrëveshja vlen më shumë se 300 milionë dollarë në dhjetë vjet. Ndër të tjera, rinovimi i kontratës me Lindt sjell në arkat e zviceranit 20 milionë dollarë; ajo me Mercedez Benz 5 milionë në sezon. Federer ka nënshkruar kontrata në afat të gjatë edhe me Moet & Chandon, Wilson, Rolex, Sunrise, Credit Suisse, Jura e Net Jets.
65 milionë dollarët e fituar e ngjisin Federer në krye të klasifikimit, ndër sportistët që kanë fituar më shumë falë kontratave nga sponsorizimet. Pas tij, gjejmë basketbollistin amerikan Lebron James me 52 milionë dollarë dhe futbollistin e Juventus, Cristiano Ronaldo, me 47 milionë dollarë.
Burimi: Il Sole 24 Ore