Shumë vende, duke përfshirë Hungarinë, Rumaninë, Poloninë, Sllovakinë, Indinë, Kinën, Korenë e Jugut, Singaporin, Tajvanin, Tunizinë, Marokun, Kilin, Afrikën e Jugut dhe Kolumbinë tani u kushtojnë më shumë vëmendje akademikëve, studiuesve dhe inxhinierëve të tyre emigrantë, duke i mobilizuar dhe duke i organizuar në dobi të vendit të tyre të origjinës.
Këto vende kanë zhvilluar mënyra të ndryshme të formalizimit të lidhjeve me diasporat e tyre përkatëse shkencore, ku akademikët dhe kërkuesit emigrantë kanë vendosur lidhje me qarqet shkencore në vendin e tyre të origjinës. Në vitin 1991, një grup hulumtuesish kolumbianë që studionin dhe punonin jashtë vendit, krijuan rrjetin e “Kaldas të Kolumbisë”, me qëllim të forcimit të komunitetit kërkimor kombëtar.
Në të njëjtën kohë, emigrantë profesionistë nga India dhe Kina krijuan shoqata dhe rrjete në Silicon Valley në SHBA për të bashkëpunuar me vendet e tyre të origjinës. Në fillim të viteve 2000, shkencëtarët rumunë krijuan Rrjetin Ad-Astra në favor të reformës së sektorit të kërkimit në vendin e tyre.
Studimi i PNUD vlerëson se, diaspora shkencore shqiptare mund të ndikojë në zhvillimin socio-ekonomik të vendit në dy mënyra kryesore. E para është përmes kthimit të mbajtësve të doktoraturës në Shqipëri. Kthimi i emigrantëve të kualifikuar, të trajnuar për shumë vite në universitete, laboratorë dhe institucione kërkimi në vendet e avancuara të OECD, do të sillte në vend aftësi dhe njohuri të reja, të afta për të dhënë një impuls dinamik për jetën akademike dhe shkencore në Shqipëri.
Ermali, një profesor në një universitet në Kanada, dha një vlerësim tipik racional: “Edhe nëse shumë persona nga diaspora shkencore ishin të gatshme të ktheheshin, do të ishte e vështirë që kjo të materializohej, sepse nuk ka laboratorë të specializuar dhe universitetet në Shqipëri nuk funksionojnë siç duhet. Në vend të fitimit të të huajve për të ofruar konsulencë apo leksione, ose të përfshihen në projekte të rëndësishme në Shqipëri, ekspertët nga diaspora mund të jenë një zgjedhje shumë e mirë”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.