Ndryshon e gjitha, por nuk sjell “shpikje”, madje as nuk “shpik” vetveten, thjesht përditësohet, duke ruajtur në maja klasin dhe stilin e përhershëm, pa humbur nga sytë traditat e kompanisë
Mes një historie dhe një tjetre, Phantom po bëhet njëqind vjeç. Modeli i parë, në fakt, daton në vitet 20-të të shekullit të kaluar, ndërkohë që i shtati, ai i sapo dalë nga skena, ishte modeli që, pesëmbëdhjetë vjet më parë, ishte debutuesi i fazës delikate të kalimin nën flamurin e BMW-së. Sot, modeli i tetë, nën një stil që ndjek dhe përditëson gjithë çfarë është thelbësore në një Rolls, fsheh një platformë krejtësisht të re.
Platforma prej alumini, do të jetë baza i të gjithë modeleve të ardhshme të Goodwood-it, duke filluar nga modeli Cullinan, Suv-i që së shpejti, do t’i lejojë kompanisë Britanike ndërmarrjen e një hapi të ri përpara. Tashmë, suspensionet e gomave monitorohen nga një telekamera që e bën aksin të butë, në M momentin kur rrota bie në kontakt me gropën. Ka shumë pak për të thënë: komforti është mbretëror, një gjykim i cili ndihmohet nga 130 kilogramë material fonoabsorbues që vesh gjithandej modelin Phantom.
Rezultati ndihet menjëherë, madje jo, dëgjohet: motori është një pëshpëritje e vazhdueshme, dhe, për sa i përket ecjes, mund të bisedohet sikur të ishe në sallonin e shtëpisë. Rregullsia e funksionimit të motorëve Rolls është proverbiale, dhe padyshim që nuk është ky rasti për të hedhur poshtë traditat. Cilindrata është gjithmonë e njëjta (6.750 cm3), por specialistët e kompanisë angleze, garantojnë se bëhet fjalë për një motor V12 rrënjësisht të ri. Motori me aspirim i së shkuarës i ka lënë vendin në kofano, një motori biturbo me fraksionim të njëjtë.
Kohët kur tek Rolls, me njëfarë mendjemadhësie deklaronin se fuqia thjesht ishte “e përshtatshme”, janë larg. Sot shifrat janë të sakta: 571 kf dhe 900 Nm, të menaxhuara në mënyrë të përsosur nga kambio me tetë marshe. Bëhet fjalë për një kambio aq automatike sa më s’ka: nuk ka gjurmë pranie të dorezave në timon dhe as ekziston mundësia për të zgjedhur marshet.
Pasi të jetë përzgjedhur D-ja, për pjesën tjetër mendon elektronika, e cila për të menaxhuar sa më mirë ndërrimin e marsheve, ndihmohet edhe nga konfigurimi i GPS-it. Motori me dymbëdhjetë cilindra, i cili ka të gjithë energjinë e nevojshme për të bërë të mundur që trupi monumental i makinës të eci më shumë se shpejt, por kjo nuk e privon Phantom-in nga natyra e
vet primare: një lounge luksoz që rrëshqet me qetësi nga një kthesë në tjetrën.
Një gjykimi i tillë ndihmohet edhe nga sistemi i drejtimit, ngadalësia pak “vintage” e të cilit, sjell në mendje mënyrën e drejtimit të disa dekadave më parë: një letargji që, herë pas here, duket sikur vë në dyshim saktësinë e komandës, e cila në të vërtetë është e përsosur. Ky detaj duhet konsideruar si i mirëqenë: përndryshe, sapo shpejtësia rritet, në rrugë jo të drejtë, aksi me shufra aktive, menaxhon gjithçka mjaft mirë përsa i përket sigurisë, dhe në të njëjtën kohë tregon vendosmëri, duke e bindur shoferin se kokëfortësia nuk ja vlen. Është e kotë të kërkohet diçka që nuk i përket: bëhet fjalë për një mbretëreshë që sillet në çdo rast si e tillë.
Alessio Viola
Çdo gjë komunikon luks dhe ekskluzivitetin. Duke filluar nga ekranet Led, që riprodhojnë qiellin me yje (poshtë djathtas): në mungesë të udhëzimeve nga drejtuesi, riprodhojnë qiellin mbi Goodwood, në minutën e parë të datës 1 janar 2003, viti i rilindjes së kompanisë nën markën BMW
PHANTOM EWB
Motori
• VV12 biturbobenzinë
• Cilindrata 6.749 cm3
• Fuqia maksimale 420 Kw (571 kf) në 5.000 xhiro/min
• Momenti përdredhës maksimal 900 Nm në 1.700 xhiro/min
Transmisioni
• Traksion në rrotat prapa
• Kambio automatike me 8 marshe
Performanca
• Shpejtësia maksimale 250 km/h
• 0-100 km/h 5,4 s
• Konsumi mesatar 7,2 km/l Përmasat dhe pesha
• Hapi 377 cm
• Gjatësia 598 cm Gjerësia 202 cm Lartësia 166 cm
• Pesha 2.685 kg
Çmimi
• 550.000 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.