Pak kohë më parë, revista ‘Forbes’ vlerësoi se ylli portugez është sportisti i tretë më i paguar në botë, pas boksierit amerikan Floyd Mayweather jr dhe rivalit të përjetshëm, Lionel Messi. Kushedi, ndoshta nga marrëveshja me klubin bardhezi, CR7 mund të ngjitet në këtë klasifikim.
Lajmi vjen nga Spanja, sulmuesi i Real Madridit mund të lërë Real Madridin për Juventusin. E përditshmja spanjolle flet “për 120 milionë euro deri në vitin 2022”, duke shtuar se “klauzola 1 miliard është e negociueshme në shifra të arritshme”.
Mesa duket, klauzola 1 miliard euro vlen për klube si Barcelona, Manchester United dhe klubet e tjera të Premier League, si dhe Paris Saint-Germain. Ajo nuk është e vlefshme për klubet italiane ndaj përflitet se Juventus ka ofruar 100 milionë euro dhe mesa, duket Florentino Perez do ta pranojë këtë ofertë.
Ajo që dikush e cilëson si “blerja e bujshme e këtij viti”, edhe pse mungojnë konfirmimet nga të dyja shoqëritë – vjen tre ditë pas eliminimit të Portugalisë nga Botërori i Futbollit në Rusi. Në atë rast, Ronaldo tha para gazetarëve “E ardhmja ime? Nuk është momenti”.
E megjithatë, momenti duket se ka ardhur. “Cristiano Ronaldo është gjithnjë e më larg nga Real Madridi. Duket se në sezonin tjetër, CR7 do të luajë te Juventus – shkruan ‘Marca’, duke iu referuar burimeve të mirinformuara sipas të cilave, në kontratën e Ronaldos, me një klauzolë prej 1 miliard eurosh, një aneks mes portugezit dhe presidentit Florentino Perez e detyron Realin të mos e pengojë shitjen e lojtarit nëse ai e kërkon dhe nëse vjen një ofertë e mirë (por jo nga një klub “rival direkt”).
Është rasti të bëjmë disa llogari të pasurisë së 33-vjeçarit portugez. Sipas ‘Forbes’, mes 1 qershorit 2017 dhe 1 qershorit 2018, CR7 ka fituar 81,7 milionë dollarë, nga të cilat thuajse 40 milionë nga sponsorizimet. Sponsori kryesor është Nike. Ronaldo është futbollisti i parë që ka nënshkruar një kontratë me fitime kaq të larta me kompaninë amerikane, për thuajse 30 milionë dollarë në vit.
Por marrëveshjet sponsorizuese nuk përfundojnë këtu. Sa për të përmendur ndonjë emër, portugezi ka marrëveshje me Armani, Tag Heuer, Samsung, Herbalife, Mtg, American Tourister. Disa muaj më parë, portali SportCal u përpoq të përpilonte një listë të plotë, duke treguar, aty ku ishte e mundur, edhe shifra.
•Abbott Laboratories (Farmaceutikë – 0,5 milion dollarë)
•Altice (Telekomunikacione)
•American Tourister (Aksesorë udhëtimesh – 0,4 milion dollarë)
•Banco Espirito Santo (Bankë)
•Clear Shampoo (Kujdesi për trupin – 0,5 milion dollarë)
•Egyptian Steel (Industri)
•Emirates Airlines (Transport ajror)
•Exness (Konsulencë financiare – 0,5 milion dollarë)
•JBS (Veshje – 0,5 milion dollarë)
•MTG (Farmaceutikë)
•Nike (Veshje sportive – 30 milionë dollarë)
•PanzerGlass (Aksesorë telefonash – 0,5 milion dollarë)
•PokerStars.com (Baste online – 0,5 milion dollarë)
•Samsung (Elektronikë)
•Soccerade (Pije energjike)
•Smaash Entertainment (Baste online – 0,5 milion dollarë)
•Sportlobster (Portal)
•TAG Heuer (Ora – 1 milion dollarë)
•Toyota (Automobila)
•XTrade (Shërbime financiare).
Në rast të kalimit te Juventusi, listës së sponsorizimit mund t’i shtohet edhe FCA (Fiat Chrysler Automobiles).
Vlera e pasurisë totale të CR7 do të ishte 280 milionë dollarë, të fituara edhe falë rrjeteve sociale: Ronaldo ka 122 milionë ndjekës në Facebook, 74 milionë në Twitter dhe 133 milionë në Instagram.
Në pritje të konfirmimit zyrtar të transferimit të Ronaldo te Juventus, pasi mbylli ditën e martë në 0,6875 euro (+3,2%), aksionet e Juventus në orët e para të ditës së sotme u rritën 5,89% në 0,73 euro për aksione.
Në rrjetet sociale, tifozët (dhe ata që e urrejnë) janë në një luftë interpretimesh. Faqja zyrtare e Real Madrid në Twitter ka publikuar një video me golat më të bukur të Ronaldos. Kjo interpretohet si një përshëndetje dhe si një shenjë që konfirmon largimin e CR7 nga Madridi.
Burimi: Il Sole 24 Ore