Dënim dy vjet, me kusht, dhe gjobë 18,8 milionë euro. Cristiano Ronaldo ka arritur një marrëveshje me Avokaturën e Shtetit Spanjoll rreth procesit gjyqësor me autoritetet tatimore, duke pranuar përgjegjësitë e tij për katër krime – shkruan El Mundo.
Shifra për evazion fiskal është reduktuar nga 14,7 milionë në 5,7 milionë euro. Me këtë marrëveshje, CR 7 zgjidh problemet fiskale, nga pikëpamja penale dhe administrative.
Sulmuesi i Realit të Madridit – shpjegon El Mundo – ka pranuar kushtet e vendosura ka Agjencia e të Ardhurave – ai është fajtor për katër krime fiskale dhe do të paguajë 18,8 milionë euro gjobë.
Mashtrimi i referohet të ardhurave nga të drejtat e imazhit mes viteve 2011-2014 të padeklaruara tek autoritetet tatimore.
Ky nuk është rasti i parë për evazion fiskal. Futbollistë si Falcao, Carvalho, Di María, Alexis Sanchez, Mascherano, Coentrao, Marcelo e Modric janë përballur me situata të ngjashme duke arritur marrëveshje në të njëjtën mënyrë.