Rooney kthehet tek Everton me gjysmën e pagës. Ishte lojtari më i paguar në Premier League

10/07/2017 2:28 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Duke filluar nga sezoni 2017-2018, Wayne Rooney nuk do të jetë më futbollisti më i paguar i Premier League. Siç bëhet e ditur nga mediat britanike, ish-kapiteni i kombëtares së Anglisë, i cili dje zyrtarizoi transferimin e tij nga Manchester United tek Everton, pranoi të përgjysmonte pagën e tij, vetëm që të veshë fanellën e skuadrës për të cilën është tifoz, e cila e kishte bërë të famshëm në Premier League, në moshën 16-vjeçare në sezonin 2002-2003.

Në fakt, deri në sezonin e kaluar, 31-vjeçari Rooney paguhej nga Manchester United dhe me kontributin e sponsorëve 300 mijë paund në javë. Sipas mediave britanike, duke filluar nga sezoni i ardhshëm, pagesa e Rooney, i cili ka firmosur një kontratë dyvjeçare me Everton, do të zbresë në rreth 150 mijë paund në javë.

“Lamtumirë një legjende. Faleminderit për gjithçka nga të gjithë ne”. Këto ishin fjalët përshëndetëse në faqen zyrtare të klubit të ‘Djajve të Kuq’ në Twitter, për kapitenin e tyre që pas 13 vjetësh, kthehet tek Everton.
Edhe trajneri i Red Devils, José Mourinho, ka shprehur vlerësimin e tij për lojtarin.

“Unë jam një admirues i Wayne prej kohësh dhe ky nuk është një sekret. Gjatë këtyre viteve, ai ka qenë një profesionist model e do të mbetet në histori edhe për shumë vjet. Nuk është asnjëherë e lehtë të shohësh një lojtar të madh që luan më pak se sa do të dëshironte dhe nuk mund të mos e kuptoja kur kërkoi të kthehej tek Everton. Përvoja e tij, fokusi dhe vendosmëria e tij do të na mungojnë. I uroj më të mirën në të ardhmen”.

Me largimin e ish-kapitenit, Manchester United duhet të përfitojë rreth 10 milionë paund. Këtij largimi i paraprin edhe ai i Zlatan Ibrahimovic, kontrata e të cilit me Red Devils përfundoi më 30 qershor. Po të konsiderojmë pagat e këtyre dy sulmuesve, shtohen resurset e klubit për merkaton e kësaj vere. Një pjesë të këtyre parave Manchester United i ka përdorur për blerjen e Romelu Lukaku, pikërisht nga Everton për 75 milionë sterlina.

Klubi nga Liverpuli ka bërë deri më tani një merkato të shfrenuar duke harxhuar rreth 86 milionë sterlina për afrimet e këtyre futbollistëve: portieri anglez, Jordan Pickford nga Sunderland për 25 milionë sterlina, mbrojtësi i talentuar, Michael Keane nga Burnley gjithashtu për 25 milionë, mesfushorin holandez, Davy Klaassen nga Ajax për 23 milionë, i riu nigerian, Henry Onyekuru nga Eupen për 7 milionë dhe sulmuesi spanjoll, Sandro Ramirez nga Malaga për 5,2 milionë sterlina.

Ndërsa, pa shtuar shifrën e çmendur që ‘Blutë’ e Liverpulit do të përfitojnë nga shitja e belgut Lukaku tek United, arkëtimet deri tani janë më të pakta. Spanjolli Gerard Deulofeu u rible nga Barcelona për 10 milionë sterlina dhe mesfushori anglez, Tom Cleverley u shit te Watford për 8.2 milionë sterlina.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz