Nisja e aksionit të arrestimeve për vjedhjen e energjisë ka dhënë efektet e para të paktën në rradhët e krijuara për pagesat e energjisë në zyrat e Postës dhe vetë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHE). Dje dhe sot në zyrat e OSHE janë shtuar rradhët e pritjes dhe kryesisht në shërbimet e klientelës për shkak se shumë abonentë kanë kërkuar riaktivizimin e kontratave pasi kishin vite që spaguanin energjinë elektrike që konsumonin.
Vendimi i deklaruar nga kryeministri se nuk do të rritet çmimi energjisë por do përmirësohet administrimi nëpërmjet arrestimit të atyre që vjedhin energjinë, rritjes së arkëtimeve dhe zvogëlimit të humbjeve teknike dhe jo teknike, shoqëruar me qindra arrestime ditën e djeshme ka dhënë efekt në rritjen e ndërgjegjësimit të konsumatorëve.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sh.a, nuk ka publikuar të dhënat financiare mbi arkëtimet e dy ditëve të fundit por duke patur parasysh rritjen e fluksit te personave abonentë ka njoftuar se ka nisur puna për lëshimin e vërtetimeve të debisë, për Abonentët Familjar.
Sipas OSHE të gjithë të interesuarit mund të paraqiten pranë çdo Zyre të Kujdesit Ndaj Klientit (KNK), duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm për pajisjen me vërtetimin e debisë: dokument identifikimi (Kartë identiteti ose Passaportë) dhe Formular vetëdeklarimi (me të cilin abonentët do te pajisen dhe plotësojnë pranë Qendrave të Kujdesit ndaj Klientit). Gjatë procedurës së pajisjes më vërtetimin e debisë, të interesuarit do të asistohen nga specialisti i KNK-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.