Bizneset, përfshirë dhe partnerët e huaj, kanë zgjatur në maksimum afatet e shlyerjes së pagesa; bankat nuk po japin kredi; shitjet kanë rënë, duke reflektuar tkurrjen e fuqisë blerëse konsumatore. Si po përkeqësohet situata e likuiditeteve në ekonomi dhe çfarë masash po marrin bizneset vendase. Shumica po fokusohen te klientët e mëdhenj e seriozë, ndërkohë që të tjerë po shikojnë nga tregjet e huaja
Nga Laura Çela
Situata financiare e bizneseve vendase është përkeqësuar edhe më shumë gjatë këtij viti. Drejtues të sipërmarrjeve kryesore në vend, tregtarë, prodhues, ndërtues e eksportues konfirmuan për “Monitor” se sot e kanë gjithnjë e më të vështirë të “marrin paratë e tyre”. Ata po përpiqen të zgjedhin klientët, ku kërkohet që ata të kenë aftësi paguese, duke pranuar edhe shtyrje të afateve të shlyerjes së detyrimeve, që në kohët e sotme arrijnë deri në 120 ditë.
Mungesa e theksuar e likuiditeteve (paraja në qarkullim) po ndihet në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke reflektuar më pak investime, punësime, reduktime shpenzimesh dhe në mjaft raste, edhe detyrime të pashlyera.
Përfaqësues të shoqatave të bizneseve, të pyetura nga “Monitor”, kanë konfirmuar se shumë kompani janë duke ruajtur me fanatizëm likuiditetet e tyre për të paguar detyrimet e përmuajshme ndaj shtetit apo punonjësve.
Biznesi nuk gjen as përkrahjen e bankave, në të cilat është vënë re rënie e ndjeshme e kërkesës së klientëve të biznesit për kreditë për investime afatgjatë dhe janë shtuar nevojat e tyre për likuiditete, si rrjedhojë dhe kredia në lekë është bërë më e preferueshme.
Në uljen e likuiditeteve ka ndikuar edhe vetë qeveria, përmes vonesës së pagesave për detyrimet që ajo ka ndaj biznesit. Megjithëse ka kryer një pjesë të detyrimeve, te kompanitë e ndërtimit ajo ka shlyer deri në 8% të vlerës që kanë shpenzuar në punët publike.
Një shenjë e thellimit të krizës së likuiditeteve të biznesit është rritja e vazhdueshme e overdrafteve të subjekteve private gjatë muajve të fundit. Overdraftet përdoren nga biznesi për kapital qarkullues për furnizime apo shlyerje detyrimesh.
Vihet re se rritja më e madhe ka ndodhur tek overdraftet në lekë, si pasojë edhe e orientimit të bankave drejt kreditimit në monedhë vendase. Sipas Raportit të fundit Statistikor të Bankës së Shqipërisë, në fund të marsit 2013, overdraftet arritën në mbi 110 miliardë lekë.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe te kredia për kapital qarkullues, e cila ka vijuar të rritet.
Në fund të muajit mars 2013, kredia për kapital qarkullues arriti në afro 74 miliardë lekë, ku kredia në lek është thuajse dyfishi në raport me tre vjet më parë.
Ndalin investimet
Bizneset e kanë të vështirë të shtojnë investimet, në një kohë kur fitimet e tyre janë ulur ndjeshëm, sidomos krahasuar me vitet e arta të biznesit, 2002-2008. Negativisht kanë ndikuar vetë bankat, që e kishin paralajmëruar reduktimin e huadhënies, sidomos për sektorë të veçantë, si ndërtimi etj. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, në muajt e parë të këtij viti, të dhënat fiskale për periudhën janar-prill 2013 treguan se të ardhurat nga tatimfitimi në buxhet dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar shënuan rënie duke konfirmuar se bizneset po fitojnë më pak dhe individët po shpenzojnë më pak.
I frenuar ka mbetur edhe kreditimi. Edhe vendimet e BSH-së për të ulur normën bazë të interesit dhe paralajmërimi i saj se mund ta reduktojë më tej atë, nuk kanë reflektuar aspak në përmirësimin e huadhënies, që është edhe motori i nxitjes për biznesin dhe për ekonominë në tërësi.
Të dhënat më të fundit nga Banka Qendrore konfirmojnë rënien e kreditimit në ndërtim e tregti dhe rritjen në sektorin energjetik.
Rënia e investimeve konfirmohet edhe nga ecuria negative e kredisë për blerje makinerish e pajisjesh te biznesi. Në këtë zë, rënie ka pësuar edhe kredia në euro dhe ajo në lekë.
Flasin bizneset:
Ndërtimi, “në dorë” të parave të të huajve
Një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike në periudhën 2000-2008, që angazhoi një kapital të konsiderueshëm financiar, tani nuk është më i tillë. Sektori i ndërtimit është futur në një krizë të thellë likuiditetesh, më shumë se të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. Borxhet që kompanitë i kanë njëra-tjetrës përllogariten në 30-40% të totalit të volumeve të këtij sektori.
Të dhënat e fundit nga Shoqata e Ndërtuesve konfirmojnë se kompanitë po punojnë vetëm me 20% të kapaciteteve. Kryesisht po vazhdojnë punimet ato kompani mbi lejet e mëparshme të ndërtimit, ndërkohë që punët publike janë thuajse në zero.
“Në këtë situatë po ndikon edhe vetë qeveria, sepse shteti i ka ulur investimet publike, duke u futur në një stanjacion në këtë drejtim. Politika nuk e ka mendjen tek ekonomia dhe kjo vetëm e përkeqëson situatën”, thotë Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve.
Mungesa e likuiditeteve thellohet edhe nga mospagesat e qeverisë ndaj kompanive që kanë realizuar punët publike.
Megjithëse qeveria shleu një pjesë të detyrimeve ndaj biznesit, ajo nuk ishte as 8% e vlerës së totalit të “borxhit” që ajo u ka kompanive të ndërtimit.
Situata nuk pritet të përmirësohet as në muajt në vazhdim, në një kohë kur lejet e ndërtimit nuk kanë nisur të miratohen dhe investimet publike po pësojnë rënie të vazhdueshme.
Shoqata e Ndërtuesve ka theksuar se shumë kompani janë në vështirësi të mëdha ekonomike dhe në prag të shpalljes së falimentit.
Ngopja e tregut, rënia e fuqisë blerëse si rrjedhojë e krizës, frenimi i kredive hipotekore të lira nga bankat dhe problemet me lejet e ndërtimit kanë bërë që sektori i ndërtimit të tkurret vazhdimisht vitet e fundit, duke ulur dhe kontributin e tij në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB).
Aktualisht po punohet në akset ku investimi bëhet nga financimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, i tillë si Tiranë-Elbasan apo aksi i Tepelenës që mbulohen me kredinë e Bankës Botërore.
“Po vazhdohet edhe tek asfaltimi i rrugës së Rrogozhinës, ndërkohë që projekte të tilla si dublimi i urave të Kukësit, Ura e Matit, etj., kanë ndalur. Në këtë situatë ka shumë pak shpresë që të rigjallërohet sektori dhe tashmë kompanitë po paguajnë kostot e kredive të marra në banka”, thotë z. Dervishi.
Situata shfaqet shumë problematike edhe në ndërtimin e apartamenteve, ku Vlora, Durrësi dhe Saranda kanë problematikat më të mëdha pasi shitjet sot janë në nivele thuajse zero. E njëjta gjë ndodh edhe në periferinë e Tiranës, në zonat e Unazës së Re, Farkës dhe Komunës Dajt.
Sipas ndërtuesve, sot po ndërtohet vetëm në kryeqytet dhe vetëm në zonat rrotull Unazës ku kërkesa, me gjithë krizën, vijon të mbetet e lartë.
Përkeqësohet edhe tregtia
Situata duket edhe më alarmante në kushtet kur edhe në tregtinë me pakicë, afatet e pagesave po shtyhen ndjeshëm.
Maklen Lakuriqi, administrator i përgjithshëm i kompanisë së distribucionit, “Top Distribution”, thotë se sot është bërë shumë e vështirë “të marrësh paratë e tua”.
“Ne jemi orientuar drejt kompanive të mëdha të retailit që japin edhe garanci për pagesat apo detyrimet ndaj furnitorëve. Por megjithatë, gjithmonë shkelen afatet e pagesës të rëna dakord në kontratë”, thotë z. Lakuriqi.
Afatet e pagesave në tregti sot luhaten në mbi 60-70 ditë, në varësi të aftësisë paguese të kompanive.
“Në këto kushte, ne jemi detyruar që të ulim ndjeshëm investimet dhe shpenzimet tona. Ne si kompani kemi shkurtuar një pjesë të vogël të stafit, duke ulur edhe numrin e automjeteve që përdorim për shpërndarje”, thotë administratori i “Top Distribution”.
Të njëjtin fakt e konfirmon edhe drejtuesi i dy kompanive të mëdha ushqimore në vend, “Floryhen” e mbarështimit të vezëve dhe “Primalat”, kompania e përpunimit të qumështit.
“Pagesat janë sot problem shumë i madh për ne. Ato janë zgjatur shumë në kohë, nëse më parë klientët i shlyenin detyrimet brenda 30 ditëve, sot arrijmë që të marrin pagesat në një periudhë 90-120 ditë. Është fakt, se kjo po ndodh tek të gjitha kompanitë”, thotë Sami Gjergji.
Kjo ka përkeqësuar ndjeshëm situatën e likuiditeteve dhe situata duket se nuk do të ketë përmirësim në muajt në vazhdim.
“Bizneset do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të kenë likuiditete në të ardhmen. Kur kjo bëhet evidente dhe problematike te produktet ushqimore, te sektorët e tjerë, si ndërtimi, etj., gjendja është edhe më e keqe. Bankat, pavarësisht uljes së interesave, nuk kanë dhënë asnjë lloj ndikimi në nxitjen e biznesit, madje e kanë tkurrur kredinë dhe janë bërë më pak bashkëpunuese me biznesin”, thotë z. Gjergji.
Përveç shtyrjes së pagesave, edhe shitjet kanë rënë 20-30%. Sipas administratorit Gjergji, shitjet e qumështit dhe vezës kanë rënë në kushtet kur familjarët po konsumojnë më pak, si pasojë e krizës dhe frikës për të shpenzuar.
Sot, shumë kompani po e gjejnë “kurën” tek eksporti, ku ato kanë mundësi të marrin pagesat më shpejt (kjo vlen për artikujt ushqimorë) dhe të marrin vlera të mëdha monetare njëherësh.
Drejtuesit e “Primalat” janë duke bërë kontrata të ndryshme në vende të largëta, si në Libi, Afrikën e Jugut, ku kompania po operon përmes një brokeri italian.
Ndërsa veza po eksportohet në Itali dhe Greqi.
“Me gjithë masat që mund të marrin vetë bizneset, duhet medoemos një ndërhyrje më e madhe. Zgjidhja ime është që qeveria të ulet për të bërë një pakt kombëtar ekonomik, për të përcaktuar sesi do të zhvillohet ekonomia vendase.
Qeveria duhet të ketë një paketë të qartë për zhvillimin e ekonomisë dhe duhet të dijë ç’të kërkojë edhe nga fondet e BE-së apo fonde të ndryshme”, thotë Sami Gjergji.
Eksportet, kërkohet rimbursimi i TVSH-së
Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve, thotë se “jemi në situatën më të keqe të mundshme”. Partnerët i kanë zgjatur afatet e pagesave, thuajse dyfishuar, ndërkohë që ka nga ata që nuk kanë paguar fare.
Nga ana tjetër, eksportuesve nuk u është rimbursuar Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) nga qeveria, dhe ky borxh, sipas Shoqatës, përllogaritet të ketë tejkaluar 30 milionë euro.
E gjithë kjo situatë po rëndon tek investimet, që janë të pamundura të realizohen në kushtet kur mungojnë paratë cash dhe financimi nga bankat është shumë i ulët.
Eksportuesit po kërkojnë të orientohen drejt tregjeve europiane më pak të prekura nga kriza, duke kërkuar partnerë të rinj në Gjermani, Holandë, etj., por që të zgjerohesh ka kosto dhe kur financimet mungojnë, kjo nuk është e mundur.
“Duhet medoemos që qeveria të rimbursojë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për bizneset sepse kështu do të mund t’i jepet ajër shumë kompanive dhe sektorëve”, thotë Zusi.
Një nga sektorët më potencialë të eksporteve shqiptare, fasoni, ka regjistruar rritje të shitjeve jashtë vendit gjatë muajve të fundit, por kjo nuk është reflektuar në pagesat ndaj tyre.
Përfaqësuesit e fasonit thonë se afati i pagesës nga partnerët ndërkombëtarë (kryesisht ata italianë) ka arritur në mbi 180 ditë, nga deri në 90 ditë që ishte më parë.
“Vonesat janë shtuar dhe kjo e vështirëson aktivitetin e shumë ndërmarrjeve, sidomos atyre që janë më të vogla”, thotë Bardhi Sejdarasi, drejtor ekzekutiv i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve.
Rënia e volumeve dhe vonesat në pagesat e kanë thelluar krizën e likuiditeteve edhe në sektorë potencialë të eksporteve. Fakt është që kompanitë po marrin porosi më të pakta dhe ndryshe nga vitet e mëparshme, nuk i njohin planet e punës për një vit të tërë. Punojnë me koleksione të vogla dhe duke ofruar çmime konkurruese, çka ka ulur ndjeshëm edhe fitimet.
“Së fundmi po vërejmë se edhe kompanitë gjermane, që kanë qenë më korrekte, i kanë zgjatur afatet e pagesave në 120-180 ditë.
Një pjesë e mirë e bizneseve, në këto kushte, ka shlyer detyrimet mujore duke operuar me overdrafte në banka. Një pjesë tjetër kanë hyrë në borxhe, jo vetëm me qeverinë, sepse nuk kanë pagur taksat, ndërkohë që kanë larguar punonjësit në shtëpi, në pritje të rifillimit të porosive”.
Sipas fasonistëve, kompanitë në qytetet e mëdha po vijojnë të kenë ecuri të mirë, pasi janë edhe më të konsoliduarat. Në këto kushte, firmat po kërkojnë të mbyllin ciklin e prodhimit ndërkohë që po kërkohen partnerë të rinj, francezë, holandezë, apo italianë të Veriut.
“Kemi filluar negociatat edhe me Izraelin, ku ka shumë potencial për uniforma. Jemi në hapat e shkëmbimit të informacionit”, thotë drejtori ekzekutiv i DHKPV.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.