Shqipëria rrezikohet nga varfëria në rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.
Zhvillimet kryesore të 2012
Gjatë vitit 2012, u festua me entuziazëm 100-vjetori i Pavarësisë, ku shoqëria shqiptare e sfidoi realitetin dhe bëri një festë shembullore ku tregoi një solidaritet të të gjithë shqiptarëve kudo që ata jetojnë e punojnë. (aq sa frymëzuan politikën të zgjohet me teza nacionaliste).
Politika shqiptare, që në përgjithësi gjatë vitit 2012 punoi së bashku në Kuvend, vazhdon të mbetet shumë e brishtë dhe nuk krijon konsensus edhe për axhendat më të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Fakti që jemi edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, çdo mosrealizim kërkohet t’i faturohet kundërshtarit politik.
Shqipëria arriti të zgjedhë në mënyrë kushtetuese (por, pa konsensus, vetëm me votat e mazhorancës), Presidentin e Republikës, i cili në një periudhë të shpejtë kohore bëri edhe zgjedhjen e drejtuesve të institucioneve më të larta kushtetuese të vendit (Prokuror i Përgjithshëm, SHISH), të cilët u miratuan në Kuvend, gjithashtu vetëm me votat e mazhorancës qeverisëse.
Për herë të tretë nuk u mor statusi i vendit kandidat dhe këtë radhë tërësisht për mungesën e vullnetit të politikës shqiptare, kjo i kushton shumë edhe ekonomisë.
Ajo që vjen pas konsensusit politik për miratimin e ligjeve janë: marrja në mënyrë serioze e çështjeve madhore, si zgjedhjet e lira e demokratike, zgjidhja e çështjes së pronave, lufta kundër korrupsionit, që i qëndrojnë politikës dhe ekonomisë shqiptare shumë të rënda mbi kurriz dhe pa to, zor se mund të ndërtojmë standarde integrimi.
Në rrafshin ekonomik.
Është hera e parë që të gjithë pranojnë se ishte viti i një krize të fortë ekonomike dhe se rritja ishte më e ulët se sa 1%. Programi antikrizë nuk duket gjëkundi. Sektori i bujqësisë dhe i turizmit kontribuuan gjithsesi në ruajtjen pozitive, ndërkohë që industria, ndërtimi dhe energjia njohën zhvillime negative.
Ka shembuj të veçantë pozitivë në zhvillimet ekonomike:
-Tregtia e jashtme vazhdoi të kontribuojë në përmirësimin e bilancit të tregtisë së jashtme në 11 muaj. Me rritjen e eksporteve me 8.7% dhe uljen e importeve me 1.5%, u ul edhe deficiti tregtar me 7.4%. Raporti eksport-import ishte 1:2,5.
-Institucionet për regjistrimin e biznesit dhe licencimit kanë bërë progres dhe po konsolidohen si praktika të mira në Shqipëri, në shërbim të biznesit vendas e të huaj.
-Shqipëria nuk arriti për vitin 2012 të ruajë borxhin publik nën nivelin ligjor 60%. Për këtë arsye, në buxhetin e vitit 2013 është parashikuar që niveli i borxhit do të jetë mbi 62%, pa përcaktuar një kufi ligjor rigoroz për t’u zbatuar.
-Në rrafshin social: shqiptarët jetuan vitin më të vështirë ekonomik.
Rënia e rritjes ekonomike në këto nivele goditi familjet me të ardhura të ulëta, që kërcënohen nga një tjetër rrezik shtesë, i lidhur me çmimet e ushqimeve. Shqipëria mbetet një nga vendet më të rrezikuara nga çmimet e ushqimeve, rt ksporteve me 8.7 aejtuesem- si pasojë e peshës së lartë të shpenzimeve që ushqimet zënë në buxhetin e familjeve shqiptare (rreth 50% e buxhetit familjar).
-Banka e Shqipërisë publikon treguesin e ndjesisë ekonomike (TNE) nga bizneset dhe konsumatori. Ky tregues pësoi rënie të theksuar në tremujorin e katërt të vitit 2011 dhe ka shënuar rënie të lehtë por të vazhduar gjatë tre tremujorëve të vitit 2012.
Rënia u shkaktua nga besimi i dobët i bizneseve, ndërsa besimi i konsumatorëve u përmirësua lehtë. Aktualisht, niveli i këtij treguesi qëndron ndjeshëm poshtë mesatares së tij afatgjatë.
-Statistikat ekonomike (mungesa e tyre) i ngatërron shumë debatet ekonomike dhe na pengon të reagojmë në kohë. Statistikat, me gjithë përpjekjet për të qenë bashkëkohorë për nga metodikat e standardet, mbeten të paplota. Një shembull konkret janë statistikat për tregun e punës dhe papunësinë. Edhe pse ky tregues botohet çdo tre muaj, shifrat mbeten ato mbi bazën e vrojtimeve shumë të hershme. Kështu, për sa i përket numrit të të punësuarve në bujqësi prej rreth 485.000 vetash ose 1.8 herë më i lartë se sa të gjithë të punësuarit në biznesin privat të të gjithë sektorëve të tjerë të ekonomisë (që për hir të së vërtetës është shumë i pabesueshëm) është i vlerësuar nga anketat e forcave të punës të vitit 2008 dhe 2010.
*) Numri mesatar i të punësuarve në sektorin privat bujqësor nga tremujori i tretë 2010 deri në tremujorin e dytë 2012 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2009 dhe që nga tremujori i tretë 2012 është vlerësuar sipas Anketës së Forcës së Punës 2010 (INSTAT).
Edhe raporti që quhet “final” i Censusit i vitit 2011, për fat të keq nuk i publikon të dhënat për punësimin dhe papunësinë në Shqipëri. Në raportin e botuar ka një shkallë shumë të gjerë informacioni, përfshirë edhe ato për fenë e minoritetet, por për fat të keq nuk u gjet e arsyeshme të botohen të dhënat e punësimit, që ishin edhe më të fundit dhe do të jepnin edhe një përgjigje më të mirë të adresuar debateve shumë të mëdha midis qeverisë dhe opozitës, për papunësinë në Shqipëri.
-Lufta ndaj korrupsionit dhe evazionit fiskal, si dhe reformat strukturore në shërbim të biznesit tregojnë se nuk janë përmirësuar.
Banka Botërore në raportin vjetor “Doing Business” apo “Si të bësh biznes” për vitin 2013, e rendit Shqipërinë në vendin e 85-të nga 185 vende që përfshihen në klasifikim. Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria pësoi rënie të lehtë (me tre vende), arsyet e të cilave, lidhen me hapat e shpejtë të ndërmarra nga vendet e tjera në drejtim të reformave. Tri temat më kritike për Shqipërinë mbeten: vendi i fundit i pandryshuar për lejet e ndërtimit, pagimi i taksave (-5); energjia (-3) dhe regjistrimi i pronave (-2).
“Transparency International” publikoi raportin e detajuar të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2012 ku renditen 176 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik. Sipas këtij raporti, Shqipëria është vendi me përkeqësim të madh të korrupsionit në rajon, duke u renditur në vendin e 113-të, ndërkohë që në raportin e publikuar një vit më parë, pozicionohej e 95-a.
Nga raporti i “Global Financial Integrity”, me qendër në Uashington, rreth 1,3 miliardë dollarë dolën nga Shqipëria, në periudhën 2005-2011 (60% nga evazioni, 35% nga lidhjet kriminale dhe 5% nga korrupsioni).
Aftësia konkurruese e Shqipërisë është vlerësuar në mënyrë tërësore në raportin e “Konkurrueshmërisë Globale”. Në renditjen e përgjithshme për vitin 2011-2012, Shqipëria zë vendin e 78 nga 142 në total, me një përmirësim prej 10 vendesh nga viti i kaluar.
-Kredia për ekonominë ka hyrë në ngërç të plotë, pavarësisht rritjes së fortë të depozitave.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në fund të tremujorit të tretë, kreditë e dhëna për ekonominë ishin më të ulëta se 60% për qind e totalit të depozitave. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është sot vendi me ndërmjetësimin më të ulët financiar edhe ndër ekonomitë e ngjashme të rajonit, ku bankat kanalizojnë si kredi për ekonomitë respektive nga 90 deri në 122 për qind të depozitave.
Por ku shkojnë paratë e bankave shqiptare? Në fund të tetorit të këtij viti, shifra e fondit që bankat mbajnë jashtë shtetit arriti rekordin historik e 1.7 miliardë dollarëve, ose 15% e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Këta tregues dëshmojnë se teksa ekonomia përballet me mungesë likuiditeti dhe bizneset kanë tkurrur investimet se nuk kanë fonde, 1.7 miliardë dollarë, kursime të shqiptarëve, janë duke financuar ekonomitë e huaja.
Në fund të tremujorit të tretë 2012, sasia e kredive me probleme krahasuar me totalin e kredive arriti në 22.7%. Në fund të vitit të kaluar, kreditë e këqija ishin 18.8%, ndërkohë që ishin vetëm 10.5% në fund të 2009-s. Rritja shumë e shpejtë e kredive me probleme ka ardhur si pasojë e bllokimit të ekonomisë nga rënia e konsumit vendas, rënia e kërkesës nga importi, si dhe fakti që qeveria shqiptare prej vitesh po vonon pagesat për fatura të mëdha të kontraktorëve, që kanë kryer punime në infrastrukturë.
-Buxheti i vitit 2013 fillon me borxhe të mëdha ndaj biznesit të ndërtimit, për punën që ata kanë kryer “me vullnetin e tyre” në infrastrukturë, si dhe vlera të tjera të prapambetura të rimbursimit të TVSH-së. Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, vlerat janë të larta mbi 100 milionë dollarë. Të njëjtin shqetësim e shtron edhe Banka Botërore, e cila vlerëson se në Shqipëri ka një rritje të konsiderueshme të detyrimeve të pagesave të prapambetura të sektorit publik, si në lidhje me rimbursimin e tyre, ashtu edhe për pagesat për punime ndërtimi apo shërbime, të cilat janë kryer për sektorin publik, e që besohet se arrijnë të jenë midis 1-2% të PBB-së.
Shumë njësi të qeverisjes vendore janë përfshirë në krizë financiare dhe nuk kanë një perspektivë të qartë. Viti 2012 shënoi edhe një precedent, pasi disa komuna e bashki po falimentojnë nga ana financiare dhe nuk janë më në gjendje të përballojnë shërbimet që duhet t’u ofrojnë qytetarëve. Shembujt konkretë, të disa kryetarëve të bashkive dhe komunave që mbyllën zyrat e administratave të tyre për mungesë fondesh për pagat nuk janë një sinjal i mirë për këtë vit.
Një arsye janë përmasat e vogla të shumë komunave, veçanërisht në zonat malore. Nga rezultatet e censusit, popullsia rurale është ulur ndjeshëm dhe zë tashmë 47% të popullsisë. Rreth 45 komuna rezultojnë me më pak se 1,000 banorë dhe 200 komuna me më pak se 4,000 banorë. Nga ana tjetër, financimi i komunave dhe bashkive nga buxheti i shtetit për vitin 2013 do të vazhdojë të jetë shumë i ulët, (transferta e pakushtëzuar më pak se 11 miliardë lekë): 148 bashki e komuna kanë në buxhetin e tyre transfertën e pakushtëzuar më të vogël se 15 milionë lekë, (ndërkohë që 43 komuna kanë një buxhet të pakushtëzuar, më pak se 10 milionë lekë). Vetëm 28 bashki e komuna kanë mbi 50 milionë lekë (nga këto 11 bashki me mbi 100 milionë). I gjithë grupi tjetër, prej 197 komunash e bashkish, kanë një buxhet midis 10-50 milionë lekëve. Nuk ka bazë për të siguruar të ardhura as nga biznesi.
Shkëlqimi i humbur i energjisë
Slogani i qeverisë “Shqipëria – superfuqi energjetike në Ballkan” e ka humbur “shkëlqimin” në fazën aktuale dhe është kthyer në një nga problemet më të mëdha të vendit dhe faktor kufizues për ekonominë shqiptare dhe jetën sociale të qytetarëve.
Kriza e plotë e menaxhimit të sektorit të energjisë elektrike shkaktoi performancën më të ulët të sistemit energjetik, duke arritur në nivelin më të lartë të humbjeve të energjisë elektrike (mbi 50%), humbje joteknike ose më shqip vjedhje, abuzime dhe mospagime faturash të energjisë nga përdoruesit. Më shumë energji vidhet se konsumohet dhe në grupin e atyre që nuk e paguajnë energjinë elektrike janë tashmë edhe vetë institucionet shtetërore dhe ato të qeverisjes vendore.
Shqipëria konsumon (faturon) në një vit normal rreth 5-5,5 milionë MWh energji elektrike, por i nevojiten 7,5 milionë MWh, pasi mbi 2,2 milionë MWh i ka humbje në rrjetin e shpërndarjes. Konsumi në familje vlerësohet mbi 2,4 miliardë KWh (ose mesatarisht 300 KWh/muaj për familje). Viti 2012 shënoi edhe vitin më të keq për sa i përket performancës energjetike. Bazuar në shifrat statistikore të 6-mujorit të parë, (që vazhduan të përkeqësohen në periudhën në vazhdim) humbjet arritën në mbi 50%. Mbi 1,86 milionë MWh u konsideruan humbje, ndërkohë që vetëm 1,75 milionë MWh u përdorën (u paguan) nga konsumatorët.
Me këtë situatë po krijohet një padrejtësi sociale midis atyre që paguajnë me çmime të larta dhe përpiqen të kursejnë dhe atyre që vjedhin dhe nuk paguajnë dhe harxhojnë pa kufi energji elektrike.
CEZ, një investitor privat që menaxhon sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri (me 84% të aksioneve) është tashmë e zhytur në borxhe dhe në një konflikt të hapur me qeverinë shqiptare, për mënyrën se si do të largohet nga ky biznes dhe çfarë “borxhi” do t’i shlyejë apo në të kundërt do t’i marrë shtetit shqiptar nëpërmjet arbitrazhit ndërkombëtar.
Parë në këndvështrimin e investimeve të huaja në sektorin e energjisë, në këtë periudhë krize ndërkombëtare, Shqipëria ka arritur të fitojë investime kryesisht për ndërtimin e HEC-eve të reja. Pa diskutim na duhen investitorë seriozë për të ndërtuar burime të reja energjie ose për të nxjerrë nga prapambetja ato që punojnë me humbje, por jo për të privatizuar çdo pasuri shtetërore edhe kur ajo është rentabël dhe menaxhohet mirë. Privatizimi i fundit i katër HEC-eve në Bistricë dhe UlëC( e z-Shkopet, përbën pikërisht një rast të tillë që ka krijuar debat të madh në politikën dhe shoqërinë shqiptare.
Pse po privatizohen këto HEC-e?
A ka lidhje me efektivitetin e tyre? Me sa duket jo. Enti Rregullator i Energjisë (ERE) pasi ka analizuar kostot e prodhimit të energjisë nga HEC-et vendase ka vendosur që tarifat për prodhimin e energjisë elektrike për periudhën 2012-2014,
për këto kompani të jenë: 2.72 lekë/kWh për HEC-et “Ulëz-Shkopet sh.a”, 2.20 lekë/kWh për HEC–et “Bistrica 1”, “Bistrica 2 sh.a”.
A kanë ato nevoja të mëdha për financime kapitale, shtesë për rikonstruksionin e tyre?
Edhe kjo nuk duket e tillë, të paktën për dy HEC-et e Bistricës. Vetëm para dy vitesh ka përfunduar rikonstruksioni në nivelin më të lartë teknik e teknologjik me financime të Bashkëpunimit Financiar Gjerman, me kredi zhvillimi, që paguhen sot nga shteti shqiptar.
Qeveria shtron si argument kryesor kërkesat nga BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare, si
Ce IFC që edhe po e asistojnë me konsulencë në këtë proces. Por, nëse është ky argumenti: pse nuk privatizohet TEC-i i Vlorës, që gjithashtu është një pasuri e KESH-it, për ndërtimin e të cilit janë investuar më shumë se 100 milionë dollarë dhe nuk është vënë asnjë ditë në punë, pasi nuk ka rentabilitet ekonomik (me 97 MW fuqi të instaluar dhe e planifikuar për t’u trefishuar)? ERE, gjithashtu ka publikuar një studim se si mund të përmirësohej efektiviteti ekonomik i këtij TEC-i nëse do të punonte me gaz të lëngshëm, për të cilin do të kërkoheshin investime shtesë, që nuk mund t’i përballojë KESH-i.
Mekanizimi ekonomik i të gjithë sistemit energjetik është vënë në rrezik
KESH (një ndërmarrje ekonomike sh.a.) detyrohet nga qeveria të blejë shtrenjtë energjinë elektrike nga prodhuesit privatë me çmimin 7-8 lekë/KWh (përfshirë edhe energjinë nga 4 HEC-et që po privatizohen) dhe të shesë lirë energjinë elektrike me 2 lekë/KWh tek CEZ (ose pasardhësi i tij)???
OST, gjithashtu një ndërmarrje ekonomike, detyrohet të transmetojë energji me tarifa të ulëta, që ndoshta mundësojnë vetëm përballimin e kostove operative e nuk i japin mundësinë të ristrukturojë linjat e nënstacioneve, kaq të nevojshme për të transmetuar pa humbje energjinë e mbi të gjitha, për të lidhur furnizuesit e rinj privatë.
Të gjithë apelojnë: Kujdes me kontrollin e borxhit dhe konsolidimin fiskal
Banka Botërore, Bashkimi Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka e Shqipërisë dhe shumë ekspertë ndërkombëtarë e shqiptarë, kanë të njëjtin opinion, por edhe këshillë për qeverinë dhe Kuvendin. Shqipëria duhet të kontrollojë urgjentisht borxhin publik dhe duhet të vendosë rregulla në financa.
Miratimi në Kuvend i rritjes së limitit të borxhit ekzistues, duke e çuar atë përtej shifrës 62% dhe duke e lënë të hapur që qeveria të mund të kreditojë KESH-in jashtë këtij kufiri, dëshmon se qëndrueshmëria makroekonomike dhe fiskale e Shqipërisë është e kërcënuar. Ndërkohë që nuk janë prezantuar masa të forta për të ulur deficitin dhe borxhin.
Ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet me normë të ulët të gjenerimit të të ardhurave nga taksat dhe tatimet e biznesit. Vetëm 20% e të ardhurave nga tatimet dhe 25% e të ardhurave gjithsej të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) është niveli aktual i ekonomisë shqiptare. Po të kthehemi 8 vjet më pas, në atë kohë në opozitë (qeveria e sotme) deklaronte se rezervën më të madhe e kishte tek rritja e nivelit të të ardhurave tatimore në shkallë të PBB-së, si dhe luftën kundër korrupsionit. Në fakt, çfarë po ndodh? Pse ka mbetur në të njëjtat nivele kundrejt PBB-së? A janë ezauruar nivelet e rritjes apo kemi akoma shumë rezerva në formalizimin e ekonomisë informale dhe në uljen e evazionit fiskal e korrupsionit?
Ky rishikim do të jetë kuptimplotë vetëm nëse përmban edhe një riformulim të strategjisë për rritjen e qëndrueshme dhe krijimin e punësimit në Shqipëri, “modeli afatgjatë i zhvillimit”.
Shqipëria akoma nuk ka realizuar transformimet strukturore që janë të domosdoshme për të vënë themelet për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe për të krijuar vende pune cilësore.
Fakti është se Shqipëria aktualisht prodhon shumë pak. Sektori i prodhimit të mallrave, veçanërisht për eksportet, mbetet shumë i vogël dhe i papërfillshëm.
Megjithatë ka shumë sektorë në të cilët Shqipëria ka një avantazh konkurrues, për shembull: bujqësia, turizmi, energjia etj. Shqipëria akoma nuk i ka realizuar këto potenciale, për shkak të mungesës së ndërhyrjes efikase të qeverisë, në bashkëpunim me sektorin privat. Duhen studime të veçanta në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, për të identifikuar faktorët bllokues në zhvillimin e këtyre sektorëve dhe më pas ndërhyrjet e duhura, për të shmangur këta faktorë bllokues. Duhen gjithashtu edhe masa shumë të forta për të mbrojtur mjedisin. Për shembull, situata duket shumë kritike për sa i përket cilësisë dhe pastërtisë së ujërave detare, por edhe qëndrueshmërisë dhe shtrirjes së pyjeve. Përmirësimet në këto fusha do të ishin shumë të rëndësishme, jo vetëm për standardin e jetës në Shqipëri, por edhe për të ardhmen e turizmit, i cili mund të jetë një sektor strategjik për vendin tuaj.
Zhvillimi i sektorëve strategjikë
Bujqësia dhe veçanërisht pesha e produkteve shqiptare në treg vazhdon të rritet me ritme shumë më të ulëta se sa pritshmëria krahasuar me burimet që ka vendi dhe me angazhimet e qeverisë shqiptare, e cila në programin e saj në vitin 2008 kishte parashikuar se Shqipëria në 6 vjet do të dyfishonte prodhimin bujqësor.
Ushqimi bazë i popullsisë ka një varësi shumë të lartë nga importet. Edhe gjatë vitit 2012 (shifrat e 11-mujorit nga INSTAT), importet ushqimore u rritën me 1.4%, ndërkohë që u arrit një rritje e eksporteve me 14.4% dhe ka mbetur i pandryshuar deficiti ushqimor, që shënon një vlerë prej 73 miliardë lekësh ose 25,6% të deficitit gjithsej dhe një raport eksport-import 1:7,2.
Pa u ndalur në çështjet e sektorit të bujqësisë, një temë shumë e rëndësishme që del sot përballë politikës shqiptare është zhvillimi i qëndrueshëm rural, rritja ekonomike për këto zona, lëvizja graduale drejt shërbimeve dhe biznesit të vogël
Me madhësinë që kanë fermat bujqësore prej rreth 1,2 hektarësh, nuk ka mundësi që një fermë të ushqejë një familje mesatare prej 4,2 personash, apo të gjenerojë punë për mesatarisht 2 persona. Kemi të bëjmë me ekonominë e shkallës.
Në fakt, në zonat rurale, shumë familje i sigurojnë të ardhurat, jo vetëm nga puna në bujqësi, por edhe nga aktivitetet e vogla ekonomike, informale. Shumë profesione dhe shërbime, si: murator, hidraulik, elektricist, marangoz, berber, mekanizator, lavazhier e ofrues shërbimesh të vogla për makinat, biçikletat e pajisjet elektroshtëpiake, baxho qumështi e punishte të tjera të vogla ushqimore, pika therje e tregtimi mishi, dyqane shitjeje e magazinimi artikujsh të ndryshëm ushqimorë apo kafene, mjete transporti lokal etj., zhvillojnë veprimtari ekonomike të vogël në zonat rurale për komunitetin lokal, si dhe lidhin zonat e tyre me ato urbane. Në shumicën e rasteve, tarifat e shërbimeve bazohen më së shumti në mbulimin e kostos së punës dhe shkalla e realizimit të të ardhurave është në nivel mjaft të ulët, pasi e tillë është edhe aftësia paguese e banorëve të zonave rurale.
Atje ku sektori informal është pjesë e rëndësishme e sigurimit të të ardhurave nuk duhet të nënvleftësohet, por duhet të mbështetet me instrumente zhvillimi, për ta çuar drejt legalizimit. Programet e zhvillimit do ta ndihmonin fermerin të zhvillonte/zgjeronte veprimtari jobujqësore, duke specializuar të rinjtë edhe me profesione të tjera. Ata do të bënin një punë të dyfishtë në biznes dhe në fermë, për të shmangur edhe rreziqet e veprimtarisë së biznesit. Shembujt e mësipërm janë relevantë për zonat rurale, kryesisht në ato të ulëta e bregdetare, ose pranë qendrave të mëdha banuese, ku edhe jeta ekonomike dhe niveli i të ardhurave për popullsinë është relativisht i mirë. Përveç këtyre zonave kemi edhe zonat malore, ato që edhe nga ana gjeografike janë të izoluara, me distanca të largëta nga zonat urbane, territore topografisht të papërshtatshme, me tokë shumë të pakët e jo produktive, të harruara nga shteti, tregu dhe shoqëria. Pa infrastrukturën e nevojshme, pa shërbimin shëndetësor e pa shkolla të përshtatshme për arsimim. Popullsia e këtyre zonave është e diskriminuar dhe ka si çështje kryesore mbijetesën dhe përballjen me varfërinë. Në këto zona, si aktiviteti bujqësor ashtu edhe mundësitë për biznese të tjera janë shumë të kufizuara. Ndaj edhe qasja ndaj zonave rurale është e ndryshme, pra kërkohet diversifikim në ndërhyrje me politikat shtetërore. Për fat të keq, edhe sot pas 20 vite ndryshimesh demokratike, politikat shtetërore janë shumë të kufizuara. Të gjithë programet shtetërore të deritanishme nuk po veprojnë në këto zona. Mungesa e arsimit dhe formimit profesional përbën një nga shkaqet kryesore. Programet e nxitjes së punësimit gjithashtu nuk veprojnë në zonat rurale. Politikat bujqësore vazhdojnë të jenë të orientuara në dy projekte të mëdha kombëtare: ai i ullirit dhe arrorëve. Por, as premtimet elektorale të opozitës nuk duket se shkojnë në zgjidhjen e problemit, pasi nuk do të mjaftonte ulja e taksave dhe e TVSH-së për karburantet e bujqësinë apo inputet bujqësore, pasi për shumë ferma ato janë një luks dhe do të kenë shumë më pak ndikim se sa këto buxhete që shkojnë për investime, për përmirësimin e kushteve ekonomike në fshat.
Orientimi nga nevoja mbi bazë fshati e komune do të arrinte projekte të suksesshme, veçanërisht atje ku ka edhe potenciale zhvillimi. Për shembull: nëse turizmi malor zhvillohet me kujdes mund të arrihen rezultate edhe më pozitive. Programet kombëtare për zhvillimin e turizmit malor mund të krijojnë modele të suksesshme, si referencë për t’i shtrirë në zona të tjera të vendit.
Çështja e ndryshimeve klimaterike dhe në përgjithësi uji dhe energjia janë probleme kapitale që duhet të zgjidhen në zonat rurale. Sot, është shtuar ndjeshëm prerja masive e pyjeve (në mënyrë ilegale, por për fat të keq edhe legale), si pasojë e rritjes së përdorimit si burim energjie për ngrohje apo për eksport. Gjatë dy viteve të fundit, djegia masive e pyjeve është shtuar ndjeshëm. Vetëm gjatë vitit 2012 janë djegur 4,760 hektarë pyje dhe 1,400 hektarë kullota dhe nuk është investuar për t’i zëvendësuar. Në këtë mënyrë rrezikohet të rritet erozioni i tokës, të pakësohen burimet e ujërave (kjo ndikohet edhe tek klima) dhe të ulen resurset turistike (siç është rasti i liqeneve të Lurës).
Nga ndryshimet e klimës përkeqësohet më tej jeta e banorëve në zonat rurale, si pasojë e thatësirës dhe e përmbytjeve. Çështja më e rëndësishme lidhet me ujin me cilësi dhe prioritete të ndryshme përdorimi, duke e mbajtur të pastër që nga burimi deri në derdhjen në det. Uji me cilësi më të lartë për t’u përdorur si i pijshëm, gatim dhe më tej për vaditje e shërbime industriale, prodhim energjie, peshkim, por edhe si burim turistik. Të gjithë lumenjtë burojnë në zonat rurale, kryesisht malore, që këtu duhet të fillojë puna për mirëmbajtjen dhe miradministrimin e tyre. Kjo duhet të kthehet në një program të madh kombëtar, ndërgjegjësimi dhe veprimi. Të shfrytëzohen në mënyrë racionale, të mbrohen nga ndotjet, nga shfrytëzimi pa kriter, nga mbetjet industriale e nga plehrat, duke bërë që të derdhen të pastër në det.
Shqipëria rrezikohet nga varfëria në rritje, për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë.
Rrezik serioz është shtimi i varfërisë për popullsinë që jeton me përkrahje sociale Shumë familje në Shqipëri rrezikohen të bëhen më të varfra. Kjo për faktin se skema e mbështetjes sociale nuk ka njohur rritje, ndërkohë që edhe të ardhurat nga emigracioni janë ulur shumë. Niveli i inflacionit dhe indeksi i çmimeve të konsumit nuk janë të njëjta me rritjen që ka pësuar ajo paketë bazë që konsumon popullsia me të ardhura të ulëta. Nga një vlerësim i statistikave rezulton se pesë nga grupmallrat më të rëndësishme: buka, energjia, shëndetësia dhe transporti u rritën midis 20-30% në fund të vitit 2012, krahasuar me fundin e vitit 2007.
Shqipëria ka mbi 1 milion qytetarë (rreth 1/3 e popullsisë), që kanë bazën e tyre të jetesës të lidhur me përkrahjen sociale nga buxheti i shtetit. Mbi 100 mijë familje përfitojnë ndihmën ekonomike, rreth 150 mijë përfitues janë persona me aftësi të kufizuar ose në shërbim të tyre, 546 mijë janë pensionistë, disa mijëra persona trajtohen me fondin e papunësisë, pa llogaritur këtu të papunët e tjerë që nuk përfitojnë as nga shërbimi social. Në kushtet e buxheteve të shtrënguara të këtyre viteve të fundit, shkalla e rritjes së kontributit të shtetit për këtë kategori qytetarësh, veçanërisht ndihma ekonomike, nuk ka ecur në të njëjtën masë me rritjen e çmimeve të mallrave bazë që lidhen me konsumin e përditshëm (ushqim, energji, shëndetësi dhe transport). Për programin e ndihmës ekonomike, për vitin 2012 u dhanë 4.2 miliardë lekë nga buxheti i shtetit. Nga ky program për vitin 2012 përfituan rreth 98.800 familje të varfra, ose rreth 13.7% e të gjithë familjeve shqiptare që janë 722.262 (Censusi i vitit 2011), (40% në zonat urbane dhe 60% në zonat rurale), (rreth 385 000 banorë). Mesatarisht 42.510 lekë në vit ose 3.543 lekë në muaj. Rreth 20% e familjeve në zonat rurale (rreth 60.000) marrin ndihmë ekonomike (kryesisht të pjesshme). Më shumë se 65% e tyre marrin ndihmë të pjesshme. Burimi i dytë i të ardhurave të tyre, nga emigracioni, është ulur ndjeshëm. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore këto dërgesa që vijnë kryesisht nga Greqia dhe Italia, kanë rënë me afro 10% në vit mesatarisht pas 2007-ëqwesshshs. Nëse vazhdon kjo rënie e dërgesave të emigrantëve, e ndërthurur edhe me një rritje më të ngadaltë ekonomike, nivel të pandryshuar papunësie dhe tronditje të tjera të mundshme mbi të ardhurat, nuk mund të përjashtohet risku i kthimit mbrapa në trendin e varfërisë.
Këshilla
Shqipëria duhet të kontrollojë urgjentisht borxhin publik dhe duhet të vendosë rregulla në financa. Nuk janë prezantuar masa të forta për të ulur deficitin dhe borxhin
Bujqësia
Politikat bujqësore vazhdojnë të jenë të orientuara në dy projekte të mëdha kombëtare: ai i ullirit dhe arrorëve. Por, as premtimet elektorale të opozitës nuk duket se shkojnë në zgjidhjen e problemit, pasi nuk do të mjaftonte ulja e taksave dhe e TVSH-së për karburantet e bujqësinë apo inputet bujqësore, pasi për shumë ferma ato janë një luks dhe do të kenë shumë më pak ndikim se sa këto buxhete që shkojnë për investime, për përmirësimin e kushteve ekonomike në fshat
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.