Ndonëse Shqipëria ka burime të shumta ujore, ndryshimet klimaterike e kanë vështirësuar menaxhimin e tij.
Ministria e Bujqësisë llogarit se duhen të paktën 1.1 miliardë euro për të administruar burimet ujore dhe përdorimin e tyre. Si po shterojnë burimet dhe lumenjtë, rreziku nga përmbytjet dhe thatësira në tre dekadat e ardhshme. Cilësia e ujit në rrezik dhe shëndeti i njerëzve gjithashtu
Shqipëria është e pasur me burime ujore, me tetë lumenj dhe tre liqene të mëdhenj të lundrueshëm, ka një numër të madh ligatinash burime të bollshme ujërash nëntokësore, por vendi do të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike, që shoqërohen me rritjen e temperaturave dhe uljen e sasisë së reshjeve. Për pasojë burimet ujore do të kenë sjellje ekstreme, herë më thatësirë, që do të vërë me shpatulla për muri prodhimin e energjisë këtë verë dhe prodhimin bujqësor dhe herë me reshje të dendura, që do të krijojnë përmbytje të mëdha. Nisur nga këto ndryshime ekstreme, që po përsëriten shpesh vitet e fundit, Këshilli Kombëtare i Ujit lajmëron në një strategji të posaçme për administrimin e burimeve ujore se, kapaciteti i burimeve ujore pritet të ulet me 14% deri në vitin 2050.
Presione shtesë do të vijnë për shkak të rritjes së popullsisë, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës për burimet ujore.
Parashikimet lajmërojnë se në dhjetë vitet e ardhshme, përdorimi i burimeve ujore për prodhimin e energjisë, furnizimin e popullsisë me ujë, zgjerimin e vaditjes për bujqësinë, industrinë dhe ruajtjen e ekosistemeve ujore do të kërkojë sasi më të mëdha uji dhe përmirësimin e cilësisë së tij.
Kapaciteti i vendit për menaxhimin e burimeve ujore është aktualisht i kufizuar përsa i përket burimeve njerëzore, institucioneve, eksperiencës dhe infrastrukturës. Këshilli i Kombëtar i Ujit vë alarmin se për t’i bërë ballë këtyre sfidave, menaxhimi i integruar i burimeve ujore të vendit është thelbësor në zbatimin e një Strategjie të qartë të Menaxhimit të Integruar të Burimeve Ujore (MIBU), të paktën për 10 vitet në vijim. Më rëndësi të veçante për t’u trajtuar në sektorin e ujit janë menaxhimi i sasive, cilësisë së ujit, rreziqet që vijnë, informacioni në lidhje më të dhe administrimi i ujit.
Deri më 2027 duhen 1.1 miliardë euro për ujin
Administrimi i ujit, që nga burimet deri tek shpërndarja e tij sipas nevojave të konsumit kërkon fonde të mëdha. Ministria e Bujqësisë llogarit se deri në vitin 2027 duhen të paktën 166 miliardë lekë ose 1.1 miliardë euro. Mirëpo gjetja dhe angazhimi i tyre më eficiencë përbën një rrezik më vete.
Për periudhën 2016 – 2018 fondet nga buxheti total i shtetit arrijnë në 48.5 miliardë lekë (347 milionë Euro). Për llogaritjet për 2019-2027 janë bazuar në supozimin që raporti i burimeve financiare për këto programe, krahasuar me buxhetin e përgjithshëm, mbetet i njëjtë dhe rritja ekonomike për këto vite është mesatarisht 2.6% në vit. Supozimi është i cenueshëm meqenëse strategjia shtrihet në një kohë shumë më të gjatë. Si rrjedhojë, ka shumë mundësi që, gjatë kësaj kohe, të ketë ndryshime të politikave për ujin të cilat mund të sjellin edhe ndryshime në financimin e tyre.
Aktualisht, janë 39 projekte në zbatim lidhur me një vlerë totale prej 534 milionë euro, nga të cilat, 149 milionë euro janë grante dhe rreth 285 milion euro janë hua.
Për më tepër, duke u bazuar mbi dokumentet Strategjikë të Vendit të përgatitura nga donatorët kryesorë që veprojnë në Shqipëri, veçanërisht në sektorin e ujit, si për shembull Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe GIZ, janë aktualisht 14 projekte që arrijnë një vlerë totale prej rreth 146 milionë euro.
Nga këto, 13 milionë euro janë grante dhe 133 milionë euro janë hua. Duke zbatuar Strategjinë MIBU, Shqipëria do të bëhet një vend me eficiencë ujore, me një menaxhim funksional të integruar të burimeve të tij, ku përdorimi i ujit mbështetet në parimet e qëndrueshmërisë dhe barazisë për përfitime ekonomike të barabarta sociale-gjinore dhe drejtësi mjedisore për të sotmen dhe për brezat e ardhshme.
Shqipëria i përket zonës klimatike Mesdhetare Subtropikale, e cila karakterizohet nga një dimër i butë me sasi të mëdha reshjesh, verë të nxehtë dhe të thatë, ku të gjitha kanë një ndikim thelbësor mbi burimet ujore në vend, thekson raporti.
Rajoni Mesdhetar është zona e Europës ku temperaturat do të rriten më së shumti gjatë verës, ndërsa reshjet vjetore dhe numri vjetor i ditëve me reshje ka shumë të ngjarë të ulet, gjë e cila nga ana tjetër rrit rreziqet nga thatësira.
Simulimet tregojnë se rritja e pritshme vjetore e temperaturës mund të jetë 1°C deri në vitin 2025, dhe 1.8°C deri në 2050, përkatësisht. Reshjet priten të bien me 3.8% deri në vitin 2025 dhe 6.1% deri në vitin 2050, përkatësisht. Temperatura pritet të rritet gjatë të gjitha stinëve.
Deri në vitin 2050, sasia totale e reshjeve vjetore pritet të luhatet ndërmjet 570mm në Jug-Lindje dhe 2,100mm në zonën Jug-Perëndimore. Vlera maksimale parashikohet të jetë rreth 2,650-2,850 mm në zonat alpine. Për shkak të temperaturave mesatare që priten të jenë më të larta në dimër, ka mundësi që pjesa më e madhe e reshjeve të bjerë në formën e shiut dhe jo të dëborës, gjë që do të rrisë lagështirën e tokës së bashku me erozionin dhe rrëshqitjen e saj. Ndërkohë pritet që të shtohet edhe numri i rasteve me shira të rrëmbyeshme.
Numri i ditëve me reshje të rrëmbyeshme (maksimumi 24 orë) krahasuar me mesataren e viteve 1961-1990 ka gjasa të rritet me 1-2 ditë deri në vitin 2025, me 2-3 ditë deri në vitin 2050.
Për më tepër, është parashikuar që do të ndryshojnë edhe parametra të vranësirat priten të ulen me 2.6% deri në vitin 2050 krahasuar me vitin 1990. Si rrjedhojë e lidhjes së ngushtë me rrezatimin, numri i orëve me diell dhe rrezatimi global priten të rriten.
Erëra më të mëdha priten të fryjnë kryesisht në verë dhe temperaturat në rritje priten të kontribuojnë në një numër më të madh ditësh me stuhi breshëri në verë.
Temperaturat më të larta do të ndikojnë gjithashtu shpeshtësinë dhe intensitetin e ditëve të nxehta dhe valëve te të nxehtit. Numri i ditëve me një temperaturë më të lartë se 35°C ka të ngjarë të rritet me 3-4 ditë deri në vitin 2020 krahasuar me mesataren e viteve 1961-1990. Numri i ditëve me ngrica (me temperatura më të ulëta se -5°C) në lartësi të mëdha pritet të ulet me 4-5 ditë deri në vitin 2025, dhe me 9 ditë deri në vitin 2050.
Si do ulen prurjet nga lumenjtë
Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë të reshjeve në bimësi, është e qartë se ulja e reshjeve do të ulë edhe prurjet e lumenjve. Burimet ujore priten të ulen me 14% deri më 2050 sipas studimit EVN/Starkraft, 2009.
Deri në vitin 2050, rrjedha e mbetur në verë parashikohet të jetë 2-4 herë më pak se rrjedha aktuale, që do të thotë rrjedha natyrore hidro-dinamike e ujit do të jetë në rrezik. Deri në vitin 2050 rrjedhat pritet të ulen me 25-50% . Një tjetër vlerësim i ndjeshmërisë ndaj klimës përgatitur duke u bazuar në parashikimet e temperaturave dhe reshjeve vlerëson se do të ketë reduktime me rreth 20% në pellgjet ujëmbledhëse të Lumenjve të Drinit, Matit dhe Vjosës.
Rrjedhat mjedisore, të cilat nevojiten për të ruajtur shëndetin e ekosistemeve, janë të kërcënuara paralelisht nga ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimet social-ekonomike. Si rezultat, është e rëndësishme që të ulet reduktimi gjatë periudhave me rrjedhë të ulët (verë) për të pasur mundësi të ruhen funksionet e ekosistemit. Lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet ujit, mjedisit natyror, strukturës dhe funksionit të habitateve detyron përdoruesit e ujit të menaxhojnë burimet në mënyrë të tillë që të mbrojnë, dhe aty ku është e mundur, të rrisin në maksimum mundësinë për të ruajtur dhe rikthyer biodiversitetin .
Krahasimi i nxjerrjes së ujit me disponueshmërinë e ujit tregon se basenet e Semanit, Shkumbinit dhe Ishëm-Erzenit janë parashikuar që të kenë mungesë të theksuar uji në verën e viteve 2050, qoftë edhe në skenarin më optimist. Baseni i Vjosës nga ana tjetër karakterizohet nga një mungesë mesatare e ujit deri në vitin 2050 qoftë edhe në skenarin më të keq nga pikëpamja e përdorimit të ujit.
Përmbytjet, skenarët e rrezikut
Përmbytjet janë një problem veçanërisht midis Nëntorit dhe Marsit, kur bien rreth 80% e reshjeve vjetore. Ultësirat perëndimore dhe basenet ujore të lumenjve Drin dhe Vjosë janë veçanërisht të prirur ndaj përmbytjeve për shkak të shpyllëzimit dhe mungesës së menaxhimit të shtretërve të lumenjve. Këshilli i Kombëtar i ujit vë në dukje se, shumica e përmbytjeve ndodhin përgjatë baseneve ujore të lumenjve Bunë, Drin, Vjosë dhe Seman, duke ndikuar potencialisht 24,000 ndërtesa dhe deri në 840,000 persona.
Sipas raporteve të brendshme të Ministrisë së Bujqësisë përmbytja e Lumit Vjosë në Janar të vitit 2016, ishte më e rënda që prej vitit 1954. Përmbytjet në basene të tjera ujore mund të ndikojnë 8,000 ndërtesa dhe deri në 50,000 persona. Puna kërkimore bazuar në skenarët e tregon se afati i kthimit në nivelin e rrjedhjeve me përsëritje 1 herë ne 100 vite mund të ulet në 1 herë ne 50 vite ose më pak, që do të thotë se një ngjarje e lidhur me nivelin e përsëritjes 1 herë në 100 vite në periudhën 1960-1990 është shumë më i mundshëm të ndodhë në periudhën 2020-2050.
Analiza e ndikimit të përmbytjeve tregon se do të ndikohen në total 85,500 ndërtesa me një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 7,900 km2 dhe 565,000 banorë.
Rritja e nivelit të ujit të detit e parashikuar në bregdete, pritet të jetë 1 deri në 2 cm deri në vitin 2025 dhe 3 deri 15 cm deri në vitin 2050, duke sjellë një përmbytje të zonave nën nivelin e detit. Komunitetet që jetojnë në këto zona pritet të zhvendosen më në brendësi të vendit. Plazhet në zona specifike (Shëngjin, Kune-Vain, Tale, Patok, Ishëm) do të ndikohen dhe toka bujqësore do të jetë më e përmbytur. Po kështu, përmbytjet mund të ndikojnë pjesërisht plazhet e ndodhura në zonat më në lartësi (Durrës, Golem, Divjakë, Himarë, Borsh).
Modelet e ndryshueshme të parashikuara të reshjeve. Temperaturat më të larta dhe thatësira mund të ndryshojnë strukturën e dherave në mënyrë të tillë që mund të humbasin në mënyrë të konsiderueshme kapacitetin për të thithur reshje, çka sjell si pasojë përmbytjet. Zonat më kritike ku toka është tashmë e dëmtuar në mënyrë serioze janë Shkodra, Tropoja, Saranda dhe Gjirokastra. Për më tepër, praktikat e menaxhimit të tokës dhe përdorimit të tokës, si ndërtimi, administrimi i pyjeve, argjinaturat, digat dhe rezervuarët, kanë pasur gjithashtu një ndikim të konsiderueshëm mbi faktorët që ndikojnë përmbytjet.
Shkalla e përmbytjeve mund të ndikohet gjithashtu nga ngjarje ekstreme të ujërave të larta bregdetare, rritja e nivelit të detit dhe stuhitë me shpeshti të rritur, sidomos në Lezhë. Këto ndikime të parashikuara të ndryshimeve klimatike kërkojnë një kuptim më të mirë dhe njohuri më të thellë, për të qenë të aftë të parashikohen përmbytjet dhe të merren masa efikase ndaj përmbytjeve, në mënyrë që të shmangen ndikime domethënëse mbi shëndetin njerëzor, ekosistemet dhe infrastrukturën. Mbrojtja nga përmbytja përfshin parandalimin e përmbytjeve, paralajmërimin e hershëm, minimizimin e dëmeve edhe reagim emergjent.
Mbrojtja nga përmbytjet është përgjegjësi publike dhe rrjedhimisht financimi i tij vjen nga buxheti i shtetit. Përmbytja është një dukuri e zakonshme në Shqipëri dhe se përmbytja shpesh çon në vdekje. Përmbytja e vitit 1905 shkaktoi numrin më të madh të vdekjeve dhe shtëpive të shkatërruara, por ka pak informacion për llojet e tjera të dëmtimeve, thuhet se përmbytjet ndodhën në rajonin e Liqenit të Shkodrës.
Ndryshimet klimatike ndikojnë cilësinë e ujit përmes një vijimësie të ndërlikuar mekanizmash natyrorë dhe antropogjenikë. Lloji i pellgut ujëmbledhës, gjeologjia vendore dhe përdorimi i tokës, stina, ndotësi i objektit dhe burimet e mundshme të ndotjes në kushtet vendore duhet të merren në konsideratë. Ndryshimi i cilësisë së ujit do të ndikojë negativisht në ekosisteme, shëndetin njerëzor dhe besueshmëri, si dhe kostot e operimit të shërbimeve ujore.
Rritja e temperaturës së ajrit, do të ndikojnë gjithashtu në temperaturën e ujit, shtrirja do të ndikohet nga faktorë të ndryshëm si shpejtësia e rrjedhës, avullimi dhe thellësia e ujit. Uji me temperaturë më të lartë ndikon shkallën e proceseve bakteriologjike dhe reaksionet kimike në ujë. Ajo që është më e rëndësishme, kjo temperaturë favorizon rritjen e algave, që në vetvete ul nivelin e ngopjes me oksigjen, duke ndryshuar kështu shtresëzimin e ujit dhe duke intensifikuar eutrofizimin.
Eutrofizimi mund të ndikojë negativisht në cilësinë e ujit duke ndryshuar transparencën e tij, nivelet e oksigjenit të tretur dhe pehashin, që së bashku mund të kenë ndikime negative në funksionimin e ekosistemit si dhe në shëndetin njerëzor dhe sigurinë, veprimtaritë argëtuese dhe proceset e trajtimit të ujit. Eutrofizimi ndikohet gjithashtu nga ngjarje më të shpeshta reshjesh ekstreme, që mund të shpëlajnë lëndët ushqyese duke i dërguar në trupat ujorë.
Jo vetëm ushqyesit, por edhe ndotësit e tjerë si kripërat, koliformat fekale, patogjenët, metalet e rënda dhe kimikatet e ndryshme mund të gjenden dhe të shpëlahen në trupat ujorë, përfshirë rrëketë ujore, liqenet dhe ujërat nëntokësore, në sasi më të mëdha nga rrjedhjet e stuhive dhe përmbytjet, që në vijim mund të dëmtojnë ekosistemet përreth dhe shëndetin njerëzor. Si i tillë, ky është një rrezik i veçantë në Shqipëri, ku uji dhe trajtimi i ujërave të ndotura shpesh mungon. Këta ndotës mund të vijnë nga tokat bujqësore (plehrat kimike, pesticidet) si dhe nga (mbetjet) urbane dhe burimet industriale. Ngarkesat e mëdha të ndotësve në ujërat sipërfaqësore mund të dëmtojnë cilësinë e ujërave nëntokësore në mënyrë të konsiderueshme.
Cilësia e ujit mund të jetë e ndjeshme edhe ndaj disa specieve invazive që mund të shfaqen si pasojë e ndryshimeve në ekosistem të shkaktuara nga ndryshimet e temperaturës së ujit dhe disponueshmëria e ujit e ndikuar nga ndryshimet klimatike. Duke marrë në konsideratë efektet jo të drejtpërdrejta, fenomenet e lidhura me ndryshimet klimatike, mund të dëmtojnë infrastrukturën e rëndësishme të ujit dhe ujërave të ndotura dhe kështu të kërcënojnë cilësinë e furnizimit me ujë.
Në veçanti, thatësira mund të çojnë në rrëshqitje të dheut, që mund të çajë tubat e furnizimit me ujë dhe të lejojë ndotësit të futen në sistemet e ujit të pijshëm, apo në sistemet e largimit të ujërave të ndotura, duke shkaktuar derdhjen e ujërave të ndotura në tokë dhe si rrjedhojë të arrijë në ujërat nëntokësore. Për më tepër, “efektet e kombinuara të temperaturave më të larta, përqendrimet më të mëdha të ndotësve, periudhat më të gjata të ruajtjes dhe sedimentimi i mbetjeve të ngurta mund të sjellë rritje të gërryerjes së tubacioneve të largimit të ujërave të ndotura, jetëgjatësi më të shkurtër të aseteve, më shumë ndotje të ujit të pijshëm dhe kosto më të larta mirëmbajtje.
Me rritjen e nivelit të detit, uji i detit depërton në akuiferët bregdetarë, veçanërisht aty ku ujërat nëntokësore pakësohen për shkak të reshjeve më të pakta. Depërtimi i kripësirës në ujërat nëntokësore është një problem aktualisht ekzistues në afërsi të Lezhës, në Laç. Për më tepër, uji i detit ka hyrë edhe në grykaja, ku rrjedhjet e pakësuara të lumenjve nuk mund të parandalojnë rrjedhjen në kahun e kundërt me rrymën drejt burimit. Ky ndryshim i cilësisë së ujit, ndikon gjithashtu në uljen e disponueshmërisë të ujit të ëmbël për përdorim nga njerëzit dhe nga ekosistemet. Efektet e ndryshimeve klimatike të përshkruara më sipër tregojnë qartë se cilësia e ujit kërkon vëmendje të menjëhershme për të shmangur ndikimet e konsiderueshme në shëndetin e njerëzve, bujqësi, ekosistemet e lidhura me ujin dhe mjedisin në përgjithësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.