Kursimet janë shtuar në banka për të katërtin muaj radhazi, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.
Në korrik, totali i depozitave në ekonomi arriti në 957.8 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej rreth 0.3% në raport me qershorin e 2014-s.
Si kursimet në lekë, ashtu dhe ato në valutë kanë parë rritje gjatë periudhës përkatëse. Por, nga një vëzhgim më i detajuar i të dhënave rezulton se rritja e depozitave ka ardhur kryesisht nga korporatat dhe jo nga individët (këta të fundit zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në banka) .
Depozitat e individëve, si në lekë ashtu dhe në valutë, kanë rëën me 6.4 miliardë lekë në korrik, në raport me qershorin.
Në krahasim me dhjetorin 2013, depozitat totale në ekonominë janë rritur me 0.8%.
Me bazë vjetore (korrik 2014/korrik 2013), kursimet në ekonomi janë shtuar me 2.4%.
Dy vitet e fundit, ritmet e rritjes së depozitave janë ngadalësuar ndjeshëm. Janë disa arsyet e kësaj ecurie të dobët të depozitave në sistemin bankar.
-Së pari, kriza ekonomike ka dobësuar buxhetet e njerëzve dhe aftësinë e tyre për të kursyer.
-Së dyti, interesat e depozitave kanë rënë ndjeshëm, në rreth 2% për afatet 12-mujore, duke i detyruar njerëzit të gjejnë metoda alternative për të investuar kursimet e tyre.
Së treti, një pjesë e kursimtarëve i janë drejtuar fondit Raiffeisen Invest, pasi janë larguar nga Raiffeisen Bank, si rrjedhojë e interesave më të larta që ofron fondi. Të dhënat e Shoqatës së Bankave treguan se depozitat në sistemin bankar janë rritur me rreth 1.1% në fund të gjashtëmujorit të parë 2014, në raport me fundin e 2013-s. Por, sipas statistikave të detajuara të Shoqatës së Bankave, në rast se nuk merret në konsideratë Raiffeisen – e cila po ndjek strategjinë e tkurrjes së bilancit të saj – atëherë rritja e kursimeve në banka për të njëjtën periudhë është rreth 4%, teksa pothuajse të gjitha bankat kanë parë rritje të kursimeve.