Instituti i Statistikave të Turqisë bëri të ditur ditën e sotme të dhënat mbi eksportet në periudhën janar-korrik, sipas të cilave kanë pësuar rritje me 118% eksportet me bazë monedhën vendase.
Sa i përket totalit të eksporteve në këtë periudhë, raporti tregon se arritën në 90 miliardë dollarë, kurse importet i tejkaluan 129 miliardë dollarët, raporton TRT.
Eksportet me bazë lirën turke për këtë periudhë shënuan një rritje me 118 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe nga 4 miliardë e 119 milionë dollarë u rritën në 8 miliard e 987 milionë dollarë.
Pjesa prej 42 miliardë 452 milionë dollarëve e eksporteve totale në këtë periudhë është realizuar në euro, pjesa prej 35 miliardë e 384 milionë dollarë është realizuar në dollarë, kurse pjesa me 2 miliardë e 597 milionë dollarë është bërë me sterlinë.
Ndërsa përdorimi i lirës turke në importe në periudhën janar-korrik (2017) i shprehur në përqindje është rritur me 31% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe nga 7 miliardë e 858 milionë dollarë është rritur në 10 miliardë e 282 milionë dollarë.