Huat e humbura arrijnë në një nivel rekord të dekadës së fundit, duke arritur në gati 490 milionë euro, apo gjysmën e totalit të huave që nuk po kthehen në afat…..
Muaji korrik ka sjellë një rritje të mëtejshme të raportit të huave jo performuese (NPL), të cilat kanë arritur në 24.9% të totalit, nga 24.06% që ishin në fund të tremujorit të dytë 2014. Të dhënat bëhen të ditura nga statistikat mujore të Shoqatës së Bankave.
Rritja e papritur vjen në një kohë që dukej se niveli i NPL-ve ishte stabilizuar dhe po shkonte drejt frenimit, teksa politikat e ndërmarra prej mëse dy vitesh nga Banka e Shqipërisë kishin filluar të jepnin efektin e tyre. Nga ana tjetër, që nga muaji maj, kredia për ekonominë kishte shënuar një rritje të lehtë, duke sinjalizuar një përmirësim të situatës së sistemit bankar.
Niveli i NPL-ne në korrik, prej gati 25% është më i larti që nga qershori 2001, kur rezultonte 40%. Pas asaj periudhe, sistemi bankar u pastrua nga huat me probleme të bankave të atëhershme shtetërore. Privatizimi i tyre dhe hyrja e kapitalit të huaj përmirësoi ndjeshëm cilësinë dhe performancën e sistemit bankar në Shqipëri, deri në vitin 2008.
Pas 2008-s, kriza ekonomike financiare çoi në një rritje të shpejtë të huave me probleme, nga 4.11% në tremujorin e tretë 2008, në rreth një të katërtën e totalit të kredive që janë dhënë për ekonominë, aktualisht.
Në korrik, rritja e huave e probleme ka ardhur nga zgjerimi i huave nënstandarde (kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike), që u rrit me 8% në vlerë absolute, në 45 miliardë lekë, apo rreth 33% të NPL-ve gjithsej. Kjo tendencë tregon se portofoli i mirë i kredisë (huat standarde dhe ato në ndjekje, deri në tre muaj vonesë) po vazhdon të përkeqësohet. Stoku i huave standarde (deri në një muaj vonesë) u ul me 1.2% në vlerë absolute.
Ndërkohë huat e humbura (që bankat nuk kanë shpresë se do t’i marrin ndonjëherë) frenuan rritjen në korrik, megjithatë ato përbëjnë gati gjysmën e portofolit të kredive me probleme (pa llogaritur interesat), duke rezultuar në 68 miliardë lekë, apo gati 490 milionë euro në korrik.
Në raport me stokun total të kredive, huat e humbura zënë rreth 12% në korrik, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave.